ZOTI MË FALTË – LAMTUMIRË!
Nuk mundem të jetoj më në këtë terrnajë pikëpyetjesh.
As dua t’i përshtatem përulshëm rëndomësisë kolektive.
Mos kërkoni të zbërtheni PSE-në mes këtyre pak rreshtave,
as të luani me hamendësime.
S’është faji i juaj, që unë zgjodha t’i shkëputem suazës suaj të pritshmërive,
për t’i dhënë fund udhëkryqit të të turbulltave mendime..
Zoti më faltë!
LAMTUMIRË!
Nga Lorena Stroka
Kësisoj shënimesh të shkruara nga dora e personave që i kanë dhënë fund jetës së tyre, shkaktojnë shumëllojshmëri ndjenjash dhe mendimesh, jo vetëm tek të afërmit, por edhe te vetë shoqëria që thirret për të kuptuar, arsyetuar dhe pranuar një vendim të tillë, më të kobshmin e të gjithave.
Rishikim historik
Rëndësia dhe kuptimi që i atribuohet aktit të vetëvrasjes nuk është i njëllojtë në të gjitha periudhat historike. Për shembull, në Greqinë e lashtë, vetëvrasja cilësohej si fyerje e drejtpërdrejt ndaj shtetit, e për rrjedhojë vetëflijuesve u privohej e drejta e varrimit në varrezat e qytetit. Fakti që jeta shihej si një dhuratë e dhënë nga Perënditë, e drejta e jetës apo e vdekjes, përcaktohej veç nga ata, ndaj “rebelizma” të tilla s’mund të kishin vend aty.
Nga ana tjetër, në Romën perandorike, rastet e vetëvrasjeve shpesh perceptoheshin si akte nderi, heroizmi dhe vetëflijimi midis udhëheqësve politikë dhe intelektualëve të vendit.
Gjatë Mesjetës qëndrimi ndaj kësaj çështjeje vijoi të ishte përsëri konfuzional. Vetëvrasja konsiderohej një akt egoizmi që duhej të ndiqej penalisht, dhe të pranohej vetëm në rast se kryhej për çështje nderi, për shembull, për shmangie përdhunimi.
Gjatë Rilindjes, u vërejt një përpjekje e ndryshme në lidhje me vetëvrasjet e figurave të njohura historike, duke i interpretuar ato si një lloj shprehje e bindjeve filozofike. Pikërisht në atë periudhë, vetëvrasja u referua për herë të parë si “akt marrëzie.”
Besimet fetare të çdo vendi dhe populli, luanin rol vendimtar në përcaktimin e çështjes së vetëflijimt. Në fetë monoteiste, si krishtërimi, judaizmi, islamizmi etj., vetëvrasja përbënte mëkat i pafalshëm karshi Perëndisë. Ndërkohë që fe të tjera si Hindiuizmi dhe Budizmi shprehnin një qëndrim disi më të butë ndaj vetëvrasësve. Shembull tipik përbënte pranimi i ritualit tradicional të harakirit, që kryhej në JAPONI nga pilotët kamikazë, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Akti i vetëvrasjes duket aq paradoksal për natyrën njerëzore, sa shpesh herë hamendësohet se rrjedhon nga shëndeti i sëmurë mendor. Mirëpo, statistikat tregojnë se vetëm një e treta e individëve që kanë kryer vetëvrasje janë diagnostikuar, para aktit, me çrregullim psikiatrik, pjesa tjetër nuk ka shfaqur kurrë ndonjë formë çrregullimi. Është e rëndësishme që të bëhet dallimi mes individëve që tentojnë vetëvrasjen për shkak të çrregullimit mendor, dhe atyre që përpiqen të bëjnë një veprim të tillë, pas një ngarkese emocionale apo dilemash ekzistenciale në një periudhë të caktuar të jetës së tyre, pa pasur ndonjë simptomatologji të mëparshme.
Çrregullime psikiatrike
Thuajse përherë pas çdo vetëvrasjeje paraqitet diagnoza e depresionit, veçanërisht e tipit të melankolisë. Në këtë rast, pacienti ka vetëbesim të ulët, ndjenja fajshmërie dhe sjellje të luhatshme. E percepton jetën si një barrë të papërballueshme, të pakuptimtë, të pa qëllimtë e mbi të gjitha pa perspektivë për të ardhmen. Në këto rrethana, nuk është e vështirë të identifikohet motivi që e çon drejt tentativës. Sipas specialistëve, kur sëmundja e depresionit është në fazë të avancuar, rreziku për vetëvrasje është tejet i ulët, pasi i sëmuri ndihet tepër i pafuqishëm për të ndërmarrë një vendim të tillë. Përkundrazi, rreziku më i madh vërehet më pas, gjatë periudhës së shërimit nga sëmundja dhe rikthimit në normalitet.
Sipas Durkheimit sjellja e njeriut përcaktohet nga marrëdhëniet që ka me shoqërinë. Sa më e strukturuar dhe e sigurt është kjo marrëdhënie, aq më pak gjasa ka të kryejë vetëvrasje.
Durkheimi veçoi tre lloje vetëvrasjeje:
- Vetëvrasjen altruistike – të cilën individi e kryen kur ndjen se është i detyruar të sakrifikojë për shoqërinë. Në këtë rast duket se personi nuk ka opinion personal, por ndjekë verbërisht rregullat e tërësisë.
- Vetëvrasjen egoistike – e cila është më karakteristikja e kohëve moderne. Në këtë rast indivdi ndihet i shkëputur nga shoqëria dhe përjeton një mungesë të konsiderueshme të marrëdhënieve shoqërore. Nevoja për të jetuar dhe përballuar vështirësitë nuk i zgjojnë asnjë farë interesi. Brenda një kuadri të tillë, gjithnjë e më shumë njerëz sot, të cilët ndihen të vetmuar e të mënjanuar, përpiqen të kryejnë vetëvrasje, pa pasur mënyra të tjera për të përballuar largësinë që i ndan nga pjesa tjetër e shoqërisë.
- Vetëvrasjen anomike – e cila vjen fill pas rrënimit të papritur të marrëdhënieve me institucionet shoqërore. Papunësia, falimentimi, emigrimi janë situata që sjellin ndryshime tejet të menjëhershme në marrëdhëniet e individit me strukturat shoqërore, duke krijuar disorganizëm, stres intensiv, dhe humbje të mundshme të kontrollit. Në këto rrethana mund të ndodh vetëvrasja anomike./albstroka.com/
vijon…
© AlbStroka.com