You Are Here: Home » Të ndryshme » Uncategorized » ZBULIM I PABESUESHËM NË LIDHJE ME INTELIGJENCËN E BLETËVE!

ZBULIM I PABESUESHËM NË LIDHJE ME INTELIGJENCËN E BLETËVE!

lorena_stroka_gazetare_gazeta_albstroka_wikipedia_biografia_artikuj-shkencoreNga Lorena Stroka

Shkencëtarët australianë dhe francezë shprehen se përmes disa eksperimenteve të kryera kanë zbuluar se bletët mund të kuptojnë nocionin e zeros dhe asgjësë, fakt i cili sipas tyre ngre pyetjen nëse ekskluzivitetin e kësaj aftësie e gëzojnë vetëm njerëzit apo dhe gjallesa të tjera mes nesh!

Përgjithësisht, bletët njihen si insekte inteligjente, dhe këtë e dëshmojnë jo pak studime shkencore që kanë treguar se ato mund të numërojnë deri në katër. Zyrtarisht tashmë, bletët zgjerojnë më tej rrethin e kafshëve më të zgjuara (delfinëve, papagajve dhe majmunëve), të cilat ndryshe nga kafshët e tjera, mund të dallojnë dhe njohin numrin zero.

Megjithëse bleta ka më pak se 1 milion neurone në trurin e saj, në krahasim me njeriun që posedon rreth 86 miliardë të tilla, ajo duket mjaft e aftë për të kuptuar zeron, domethënë nocionin e asgjësë. Zeroja mund të duket diçka e thjeshtë për të rriturin e sotëm, por është një koncept abstrakt i avancuar që nuk është i lehtë për t’u kuptuar. Kjo është arsyeja pse shumë civilizime të lashta nuk përfshinin zeron në sistemin e tyre të numërimit.

Hulumtuesit pretendojnë se pavarësisht se bletët nuk gjenden në mesin e gjitarëve më të avancuar në pemën e zhvillimit, ato janë në gjendje të kuptojnë jo vetëm ndryshimin mes “më i vogë se” dhe “më i madh se”,  por dhe të dallojnë se zeroja është diçka më e vogël sesa numri një.

Në eksperimentet (që si shpërblim jepej një vakt ushqim shtesë për çdo bletë që bënte zgjedhjen e duhur),  nocioni “më i vogël se” përfaqësohej nga një imazh me disa figura gjeometrike në një sfond të bardhë, ndërsa nocioni “më i madh se” përfaqësohej nga një imazh i bardhë me shumë figura të zeza. Zeroja ishte një imazh që nuk kishte fare figura të zeza, domethënë ishte krejt bosh. Sipas shkencëtarëve, bletët kuptonin se imazhi i bardhë, pa asgjë në të, kishte më pak vlerë sesa imazhi me një shenjë të zezë në të.

Zeroja është një nocion i vështirë për t’u kuptuar, dhe aftësia matematikore nuk është e lehtë për t’u përvetësuar. Për shembull, fëmijët e kanë të pamundur ta mësojnë pa mbushur 4 vjeç. Për një kohë të gjatë besohej se vetëm njerëzit mundeshin të kuptonin nocionin e zeros, derisa hulumtimet e mëvonshme dëshmuan se të njëjtën gjë mundeshin ta bënin më së miri edhe majmunët e zogjtë. Ajo që nuk dihej deri më sot, ishte se listës në fjalë do t’i shtoheshin edhe insektet, më konkretisht bletët./albstroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top