You Are Here: Home » MITOLOGJI » Greke » VDEKJA EGOCENTRIKE E NJË FILOZOFI!

VDEKJA EGOCENTRIKE E NJË FILOZOFI!

zenoja-filozofi-grek-mitologjia-filozofet-dhe-poetet-e-lashte-greke-shkruar-nga-lorena-stroka-albstroka-poete-shkrimtare-gazetare-shqiptareShkëputur nga libri: “MITOLOGJIA, FILOZOFËT DHE POETËT E LASHTË GREKË (I)” – Lorena Stroka

Zeno Citiumi (335-263 p.e.r.,)

Themeluesi i shkollës së Stoicizmit ishte i çmendur pas kastravecëve, fiqve të bërë dhe marrjes së rrezeve.

Ishte zeshkan, qafë-shtrembër, i drejtpërdrejtë dhe me gjërësi të pazakontë pikëpamjesh.

Në të vërtetë nuk ishte Grek, por, Feniks… Një fatkeq i shkundur ekonomikisht, që papritmas dallgët e nxorrën në bregdetin e Pireut, pas përmbytjes së anijes me të cilën ai udhëtonte. Aty, Zenoja nisi të shpaloste botën e brendshme filozofike parë në një këndvështrim tjetër… më përparimtar…

Sipas Plutarkut, Zenoja arsyetonte se sistemi politik nuk duhej bazuar në qytetet që shquheshin për shkak të legjislacionit të tyre, përkundrazi, besonte se të gjithë njerëzit duhej të konsideroheshin bashkë-qytetarë.

Zenoja, ishte njeriu i parë që caktoi statusin e qytetarisë për gratë dhe skllevërit, diçka e padëgjuar në botën e atëhershme Greke. Ishte kundër ndërtimit të tempujve, gjykatave, caktimit të ndëshkimeve dhe vlerës së parave në përgjithësi. Mbronte zellshëm bashkëjetesën e hapur mes çifteve dhe veshjet uniseks. Për atë nuk kishte asgjë të ndaluar… Shpesh, radikalizmi i tij vinte në siklet stoikët e mëvonshëm të Romës, si, Senekën dhe Aureliusin, në kohën kur filozofia e tyre gëzonte vlerësimin dhe respektin e njëkohshëm të perandorit dhe përfaqësuesve të shtresave të larta shoqërore…

Zenoja, njihej për oligarkinë që e karakterizonte, ushqehej me çdo gjë që konsumohej e njomë dhe vishej tepër hollë, vetëm me një këmishë të gjatë. Nuk u kushtonte aspak vëmendje kushteve të motit, nëse binte shi a dilte diell, por, as shëndetit të tij.

Fjalimet e tij mbaheshin në Poikile Stoa, që shtrihej rreth tregut Athinas, me korridore të mbuluara dhe strehëza të veçanta. Dëgjuesit e tij të rregullt fillimisht quheshin Zenianistë, ndërsa më vonë Stoikistë.

Zeno Citiumi qëndroi për gati 60 vjet në kryesinë e shkollës dhe vdiq në mënyrë egocentrike në moshën 98 vjeçare. Një ditë, teksa doli nga shkolla, u pengua, ra përtokë dhe theu një gisht të këmbës. Brenda dhimbjes që ndjente, ashtu i rrëzuar, e përplasi grushtin përdhe, duke përsëritur një varg të poetit lirik, Timoteut: “Po vij, pse bërtet?” Pastaj mbajti frymën dhe dha shpirt në vend…

Përmes vdekjes së filozofit, u arrit bindshmëria stoike se virtytshmëria është të jetuarit në harmoni me natyrën dhe se ngjarjet e të gjitha llojeve të qenësisë – akoma dhe bathët – përbëjnë të ashtëquajturën manifestim hyjnor./albstroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top