You Are Here: Home » Mjekësi » Psikologji » TORTURA E DASHURISË!

TORTURA E DASHURISË!

Nga Lorena Stroka

Si kompromisohet erosi me lirinë? Dashuria a është demokratike?

“Nuk ka dashuri të lumtur!” – thoshte Aragon. Në fakt, për aq kohë sa zgjat, dhe sa do rënie që të ketë, dashuria mbetet një parajsë e vërtetë. Fakti që një aventurë erotike mund të përfundojë një ditë (në Francë për shembull, gjysma e martesave shkon në divorc) nuk redukton as cilësinë dhe as intensitetin e lidhjeve që zhvillohen. Sigurisht që në dashuritë tona ka dhembje, por është një dhembje që shkakton eufori, një lloj agonie që krijon kënaqësi. Ndoshta pasioni fatalisht çon në palumturi/fatkeqësi. Por, mendoj se është fatkeqësi akoma më e madhe nëse nuk ndjen kurrë në jetë këtë pasion të veçantë.

Dashuria e lirë – është një nga mitet e viteve 60-të. Ekuacioni i madh i kohës sonë rekomandohet në pajtimin e dy gjërave kontradiktore – të bashkëjetosh me dikë, duke qenë në të njëjtën kohë zot i vetes tënde. I dashuruari i ditëve tona është një qenie që flet gjuhën e dyfishtë të përkushtimit fatal dhe të dëshirës së lirë personale. Me pak fjalë, njeriu sot do që të lidhet me dikë dhe në të njëjtën kohë të jetë plotësisht i pavarur. Dëshira e një lidhjeje të fortë shoqërohet nga paniku i burgut bashkëshortor. Prandaj ekziston dhe kjo loja e martesës që pak e nga pak po “zbehet” si institucion dhe diçka ideale për të marrë formën e “bashkëbanimit” ose “bashkëjetesës së lirë”. E dini se ku qëndron më e çuditshmja? Kërkojmë të gjitha avantazhet e dashurisë pa pasojat që mund të rrjedhojnë nga ajo. Duam të jetojmë aventurën e dashurisë me parakushtin që të mos na sjellë pasoja në karrierë e të na mohojë të drejtën e një përvojë tjetër paralele. Paradoksi në dashuri është paradoksi i ekzistencës: konflikti mes karakterit vetikal të një dëshire, një pasioni, kërkimit të absolutes dhe karakterit horizontal të kohës që kalon.

Dashuria nuk ka asnjë lidhje me demokracinë. Në qoftë se ende nuk kemi gjetur shërim për sëmundjet që e shoqërojnë si: xhelozia, tradhëtia – është sepse nuk ekziston një trajtim i tillë. Dashuria i reziston utopisë së drejtësisë dhe barazisë, pasi të dashurosh do të thotë të preferosh. Dashuria nuk pranon reforma: sikurse dhe lumturia, është ajo pjesë e ekzistencës që s’arrijmë ta kontrollojmë dot.

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top