You Are Here: Home » Të ndryshme » Uncategorized » TEORIA PËRMBYSËSE RRETH MISTERIT TË USHTRISË SË HUMBUR PA NAM E PA NISHAN NË SHKRETËTIRË

TEORIA PËRMBYSËSE RRETH MISTERIT TË USHTRISË SË HUMBUR PA NAM E PA NISHAN NË SHKRETËTIRË

albstroka-gazeta-lorena-stroka-wikipediaNga Lorena Stroka

Një nga misteret më të mëdha të antikitetit është gjetja e vendit të zhdukjes së 50,000 burrave të zgjedhur të ushtrisë Persiane, pas një stuhie të fortë rëre në vitin 524 para lindjes së Krishtit, në shkretëtirën e Saharasë. Me kalimin e kohës, shumë pretenduan se kishin gjetur ushtrinë e humbur, por askush nuk ishte në gjendje ta provonte atë.

Tani një arkeolog holandez pretendon të ketë zbuluar se çfarë ndodhi në të vërtetë me ushtrinë fatkeqe, e cila u zhduk 2.500 vjet më parë. Sipas Herodotit, mbreti i Persisë Kambisi II, i cili ishte djali i madh i Kirit, dërgoi ushtrinë e tij për të shkatërruar orakullin e Amonit në oazin e Shivas, kur priftërinjtë atje nuk pranuan të njihnin sundimin e tij në Egjipt.

50,000 ushtarët e tij hynë në Egjipt pranë qytetit të Luksor, por në mes të udhëtimit, papritmas u ngrit një stuhi e fortë rëre e cila varrosi të tërë ushtrinë. Herodoti e përshkruan ngjarjen me detaje rrëqethëse.

Shumë arkeologë e konsiderojnë si një ngjarje të pavërtetë, ndërkohë që misione të ndryshme u përpoqën të gjurmojnë ushtrinë e humbur. Shumë u kthyen duarbosh, ndërsa disa që gjetën gjurmë, nuk mund t’i provonin ato.

Olaf Kaper, profesor i arkeologjisë në Universitetin Leiden, në Holandë, e konsideron të pamundur që dikush të vdesë nga një stuhi rëre, e lëre më një ushtri e tërë prej 50,000 burrash.

Kaper e interpreton zhdukjen ndryshe. Ai thotë se ushtria nuk u varros nën rërë, por u mund në betejë. Ai spekulon se destinacioni përfundimtar i ushtrisë ishte oazi Dakhla, ku ishin vendosur trupat e rebelit egjiptian Petubastis III. Ai i zuri pritë ushtrisë së Kambisit, e shtypi, dhe arriti të rimarrë një pjesë të madhe të Egjiptit, gjë që i dha mundësinë të kurorëzohej Faraon në Memfis.

Kaper pretendon se fati i ushtrisë injorohej për aq kohë, sepse mbreti Persian Darius I, u mundua të mbulonte humbjen e paraardhësit të tij (përmes elementëve natyrorë), për të mos humbur prestigjin e ushtrisë perse.

Gërmimet e Kaperit në oazin e Dakhlas kanë zbuluar pllaka që mbajnë emrin e Petubastis në tempuj, duke treguar që vendi ishte bastioni i tij në periudhën e hershme persiane. Pasi Kaper kombinoi gjetjet dhe informacionet në lidhje me Petubastis, ai arriti të bashkonte pjesët e enigmës dhe t’i jepte interpretimin e tij misterit të zhdukjes së ushtrisë. Padyshim që hulumtimet që do të pasojnë do të hedhin më shumë dritë në një nga misteret më të mëdha të antikitetit./Lorena Stroka

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top