You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » ANTOLOGJI » TË MENÇURIT DHE LUANI

TË MENÇURIT DHE LUANI

Përktheu: Lorena Stroka, MA in Specialised Translation

Në kohët e vjetra, në një qytet të Indisë, jetonin katër burra, të cilët i lidhte një miqësi e fortë qysh nga fëmijëria e hershme. Ishin Brahmanë, domethënë i përkisnin shtresës së mirë shoqërore. Qëllimi i tyre ishte të mësonin shkencat e fshehta dhe vullnetin e Zotave. Tre nga ata pjesën më të madhe të jetës së tyre e kishin kaluar mbi libra shkencorë, duke marrë të gjitha njohuritë njerëzore. Ndërsa Brahmani i katërt nuk qe i dhënë pas studimeve, megjithëse ishte njeri i mirë, i respektuar dhe i logjikshëm.

   Një ditë katër shokët biseduan me njëri-tjetrin dhe arritën në përfundimin e mëposhtëm: “deri tani njohuritë nuk nuk na hynë dhe aq shumë në punë. As pasuri s’na dhanë, as ndonjë post nderues në oborrin e ndonjë mbreti të madh. Pra, le të udhëtojmë, le të shkojmë në qytetet e mëdha ku do të njihet vlera e shkencës sonë”.

Të tjerët ranë dakord me të, dhe të gjithës së bashku u nisën për udhë… Darkën e parë, pasi ndaluan e ndezën një zjarr për të kaluar natën, tre Brahmanët e mençur filluan të ziheshin. Dhe vërtet, njëri thoshte:

– “Po pse ta marrim me vete shokun e paditur. E di që është i logjikshëm, por kjo s’mjafton për të fituar vlerësimin e të tjerëve. Kështu pasurinë që do bëjmë, do duhet ta ndajmë me të…”

Ky mendim i pëlqeu të dytit, por jo të mençurit të tretë, i cili i bindi që ta mbanin shokun, megjithëse dinte më pak se ata.

Mëngjesin e ardhshëm, shokët vazhduan udhëtimin. Rruga e tyre kalonte përmes një pylli të egër, ku nuk kish shkelur këmbë njeriu më parë. Me të mbërritur në një lëndinë, përbri përroit, panë skeletin e një luani që kish ngordhur prej kohësh. Atëherë, një prej Brahmanëve tha:

– “Ja një mundësi e mirë që të testojmë njohuritë tona. Me mençurinë tonë, mund t’i rijapim jetë kësaj kafshe që dikur trondiste pyllin me praninë e saj”.

Të tjerët ranë dakord dhe iu përveshën punës. Brahmani i parë, rilidhi skeletin e luanit, i dyti e mbuloi me mish e gunë. I treti përgatitej t’i jepte jetë në mënyrë magjike, kur i katërti, që gjer atëherë vërente me adhurim veprën e shokëve, e ndaloi duke i thënë: “nëse e ngjall , luani do të na përlajë të gjithëve”.

Tre të mençurit u zemëruan nga sugjerimi i shokut të tyre, dhe i thanë se s’kishin ndërmend të linin përgjysmë veprën e tyre madhore. Dhe në çastin që Brahmani i tretë frynte brenda trupit të luanit për t’i dhënë jetë, i padituri, por dhe më i logjikshmi të tërëve, mori masa mbrojtëse, u ngjit në njërën nga pemët përreth. Me dhembje, pa luanin tek ngjallej por dhe gjithë skenën që kish parashikuar, vërsuljen e luanit ndaj tre shokëve dhe shqyerjen e kobshme të tyre.

   Pasi u ngopë, piu ujë te përroi dhe humbi në pyll. Brahmani i katërt, ai që s’kish dashur të merrte pjesë në veprimet magjike të shokëve, zbriti nga pema avash-avash dhe mori udhën e kthimit. Ndërsa ecte, vetëm fare, duke sjellë në mend mençurinë mrekullibërëse të shokëve të tij, kuptoi se s’i kish ndihmuar në asgjë… Në vend që të bëheshin të pasur e të lavdishëm, kishin vdekur në mënyrë barbare. Kurse ai me urtësinë dhe maturinë e tij kishte shpëtuar gjënë më të shtrenjtë: jetën e tij.

Shkoi në qytetin ku jetonte më parë, vazhdoi të ishte i mirë, i respektuar dhe i matur, pa e vrarë mendjen që s’dinte shumë gjëra. Ky tregim interesant, përcjellë një mësim të thjeshtë: në jetë, shumë herë, logjika vlen më shumë se dituria./AlbStroka.com/

© www. AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top