You Are Here: Home » Të ndryshme » Uncategorized » TË DUA!

TË DUA!

© Lorena STROKA

Të shkruaj me duar që dridhen, me zemër që rreh si dallgë e tërbuar nën dritën e hënës. Mendimi për ty më ndjek si erë e dehur, si zjarr që nuk shuhet, si shi që ushqen lulet e dëshirës sime.

Je nata dhe agimi im, je heshtja që më ledhaton trupin dhe klithma që më shqyen shpirtin. Në vështrimin tënd banon pafundësia dhe unë –– humbas në të pa busull, pa shpëtim. Nëse do të mbytem, le të jetë në sytë e tu; nëse do të humbas, le të jetë në duart e tua.

Trupi im kujton prekjen tënde si një mister të shenjtë. Gishtat e tu kanë gdhendur mbi mua rrugë drite, dhe çdo përkëdhelje jote ka shkruar një poezi në shpirtin tim. Je drita që adhuroj, je flaka që më djeg, tundimi që më bën të harroj çdo arsyetim.

Më lër të humbas sërish në ty, të bëhem hije dhe dritë njëkohësisht, pëshpëritje që zgjon agimin, frymëmarrje që shkrihet në buzët e tua. Nuk ka botë larg teje, nuk ka kohë pa ty.

E jotja, ashtu si deti i përket hënës.
E jotja, ashtu si zjarri i përket erës.
E jotja, përgjithmonë.

TË DUA!

 

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top