You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » SUPER MASKA QË JU BËN TË DUKENI MË TË REJA

SUPER MASKA QË JU BËN TË DUKENI MË TË REJA

ALBSTROKA-BLOG-LORENA-STROKA-BIOGRAFIA-WIKIPEDIA© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Këto ditë që thoni ju mikesha e miq kanë qenë ndër më të bukurat e vitit për mua,  falë ardhjes së nënës sime nga Shqipëria, kam filluar të shikoj me pozitivitet dhe tolerancë akoma dhe ata që nuk e meritojnë. Megjithëse vizita e saj ishte tejet e shkurtër, vetëm 3 ditore, prapë së prapë, besoj se ishte një kohë  e mjaftueshme për t’u çmalluar e diskutuar gjëra që nga larg nuk thuhen dhe aq lehtë. Jemi shumë të lidhura me njëra-tjetrën, pavarësisht viteve që na ndajnë (më ka lindur rreth të 40-ve), me të mund të sillesh si bashkëmoshatare. Ajo është një grua dinamike, mirëkuptuese dhe mbi të gjitha e drejtpërdrejt. Nuk i pëlqejnë lajkat, ç ‘ndjen ta thotë në sy, pa ndrojtje e zbukurime. E adhuroj dhe ndihem tepër krenare për të!

Po e ndaloj këtu rrëfimin tim, sepse e di që askujt prej jush nuk i intereson marrëdhënia jonë, në qoftë se fola dhe kaq, e bëra sepse e ndjeva të nevojshme të shprehja gëzimin tim diku.

Nejse tani do kaloj tek tema e ditës, se po vazhdova kështu pastaj do të më sundojnë emocionet dhe s’di se deri ku mund të arrij…

Sot do të flasim për një maskë super të lehtë në përgatitje, por, shumë të dobishme, kryesisht për femrat mbi 25 vjeç. Ka efekt, pastrues, hidratues, lëmues, mbushës, anti-rrudhë dhe ngritës lëkure njëkohësisht (tip lifting).

Përbërësit

1 lugë çaj xhel aloe vera

1 lugë çaj rozmarinë të freskët

1 lugë çaj vaj kanelle

Përgatitja

Si fillim grini e shtypni mirë rozmarinën e freskët. Në vijim përziejeni së bashku me përbërësit e tjerë derisa të krijohet një tip paste. Pastaj, aplikojeni në fytyrë (përveç pjesës së syve) dhe qafë (të pastër) duke e lënë të veprojë rreth 20 minuta. Në fund shpëlahuni me ujë të bollshëm. Përsëriteni 1 herë në javë./albstroka.com/

Mirë u lexofshim në shkrimin e rradhës…

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top