You Are Here: Home » Të ndryshme » Uncategorized » SI VDIQ ODISEU MITIK?

SI VDIQ ODISEU MITIK?

lorena-stroka-wikipedia-biografia-gazeta-albstroka-shkrime-mitologjia-grekeNga Lorena Stroka

Megjithëse gjithkush është në dijeni të vuajtjeve të Odiseut mitik, mbretit të Itakës, i cili pas një periudhe të gjatë luftimesh në Trojë, mori rrugën  e kthimit për në atdhe, ku dhe vrau të gjithë krushqarët nga rrethinat e afërta e të largëta që kishin vënë në sy Penelopën, bashkë me pasurinë dhe fronin e tij, pakkush njeh vazhdimësinë e historisë, ose më saktë, fundin e Odiseut!

Në njërën prej rapsodive të Homerit, citohet se Odiseu zbriti në Hadë për t’u takuar me orakullin Tiresia, i cili ndër të tjera, i parashikoi fundin që e priste. Pasi e këshilloi që të falte Posedonin, i tha se do të vdiste tepër vonë, madje jashtë ujërave të detit.

Ndërkohë që burime të tjera përmendin një variant paksa ndryshe nga i sipërpërmenduri. Dikur Odiseu pa një ëndërr keqndjellëse, sipas së cilës, do të vritej nga dora e të birit!

Për shkak të kësaj besëtytnie, Odiseu u përpoq të mbante njëfarë largësie nga i biri, dhe pse më pas u bë pishman për vendimin e ndërmarrë!

Në të vërtetë, ëndrra doli ashtu siç pritej! Brenda një periudhe relativisht të shkurtër, kur një ushtri  e huaj zbarkoi në Itakë, Odiseu i shoqëruar nga ushtria e tij nxitoi për t’i zmbrapsur.

Në përleshje e sipër, kreu i ushtrisë së huaj lëshoi një shtizë në drejtim të Odiseut, me pasojë vdekjen e menjëhershme të tij. Burri në fjalë quhej Telegonus, dhe ishte  i biri i Odiseut dhe Kirkës. Ekzistencën e të cilit Odiseu nuk  e kishte mësuar kurrë. Telegonusi kishte udhëtuar deri aty, për të gjetur gjurmët e të atit, por për fat të keq, e vrau pa e ditur se kush ishte në të vërtetë.

Mandej, pas zbulimit të së vërtetës, Telegonusi dhe Telemakusi vajtuan ditë të tëra mbi trupin e pajetë të Odiseut, të cilin e zhvendosën në ishullin e Kirkës bashkë me Penelopën.

Historia përfundon me dy martesa të papritshme. Me atë të Penelopës dhe Telegonusit, si dhe bashkimin e  Kirkës me Telemakusin!/albstroka.com/

© AlbStroka.com

*Ndalohet ribotimi i shkrimit pa lejen e autores.

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top