You Are Here: Home » Mjekësi » SI TË QËNDROJMË LARG NEGATIVITETIT KRONIK

SI TË QËNDROJMË LARG NEGATIVITETIT KRONIK

lorena-stroka-gazetare-poete-books-wikipedia-shrime-psikologji-gazeta-albstrokaNga Lorena STROKA

Gëzimet, zhgënjimet, dëshpërimet janë pjesë e pandashme e jetës së njeriut. Askush nuk mund të ecë përpara pa u ndjerë qoftë dhe për pak i sunduar nga këto ndjenja! Është mëse njerëzore, pra, të përballesh me periudha lumturie dhe palumturie, sado i kujdesshëm, i përpiktë apo dhe i aftë qofsh!

A jeni vetëpyetur ndonjëherë se çfarë është ajo që e diferencon njeriun e lumtur nga të palumtur? Padyshim jo ekzistenca e emocioneve negative, sepse emocione negative përjetojmë të gjithë përgjatë jetës sonë. Dhe kjo është dhe e shëndetshme dhe e domosdoshme, pasi të gjitha ndjenjat shërbejnë për një qëllim të caktuar. Në të vërtetë, ndryshimi midis njerëzve të lumtur dhe të palumtur nuk qëndron tek emocionet, por te mënyra sesi i interpretojmë dhe vendosim t’i menaxhojmë ato.

Studime të shumta dëshmojnë se negativiteti kronik mund të ndikojë ndjeshëm në shëndetin dhe lumturinë tonë. Emocionet negative vijnë kryesisht nga perceptimi i gabuar ose  i shtrembëruar i realitetit. A nuk mendoni se ka ardhur koha që të kuptojmë nëse jeta jonë është vërtet kaq e keqe (sa ne mendojmë se është) apo ne bëjmë diçka gabim?

Disa pej zakoneve më të shpeshta të njerëzve të pakënaqur/palumtur janë:

Tendenca për të “ngjyrosur” me negativitet çdo gjë neutrale

Një ditë me shi, trafiku në rrugë, radhët e gjata në shërbimet publike, për shumë prej nesh shndërrohen në përvoja negative. Por e vërteta nuk është kështu. Këto janë fakte të thjeshta. Kjo nuk do të thotë se ato janë, ose duhet të jenë të këndshme. Janë thjesht disa fakte, asgjë më shumë, asgjë më pak. Dallimi bëhet nga mënyra sesi ne zgjedhim të identifikohemi me rrethanat. Dhe zgjedhja jonë automatikisht na bën më të fortë ose më të dobët, na jep forcë ose na kthen në viktima të situatave. Zgjedhja, gjithsesi, është tërësisht e jona.

Tendenca për ta krahasuar veten me të tjerët

Një mënyrë e sigurt për t’u ndier keq është të krahasojmë veten me të tjerët, duke zgjedhur të përqendrohemi në atë që ne konsiderojmë se është disavantazhi ynë. Gjithmonë do të ketë njerëz që ia çojnë më mirë se ne në punë, në jetën personale, pse jo mund të jenë dhe më të bukur, më të aftë, etj. Por kjo përsëri nuk do të thotë se ne jemi të dështuar. Ne nuk jemi më keq sepse mendojmë se dikush është më i mirë. Çdokush është i veçantë, me të metat dhe përparësitë e veta.

Përdorimi i shprehjeve të ngarkuara me negativitet, siç janë: Nuk mundem, nuk jam mjaftueshëm i mirë, nuk do ta bëj dot etj., etj, të cilat ulin vetëvlerësimin, performancën dhe pritshmëritë tona. Le të reflektojmë pak: A do të konsideronim mikun tonë dikë që do të na quante vazhdimisht të paaftë për t’ia dalë? Me siguri jo. Atëherë, pse e bëjmë vetë? Në thelb, është sikur jemi armiq të vetvetes.

Ngecja në të kaluarën ose shpresimi për një të ardhme më të mirë

E kaluara duhet të shërbejë si mësim për të mos rënë në përsëritje, dhe jo si pengesë për të ecur përpara. Është e vërtetë që mund të kemi përjetuar situata të vështira. Por duke menduar vazhdimisht për këtë, padashur parandalojmë veten të shohim potencialin e saj të vërtetë, dhe të njohim mundësi të reja në të tashmen. E kaluara nuk ndryshon, e ardhmja, nga ana tjetër, është e pamundur të parashikohet. Ajo për të cilën jemi të sigurt është e tanishmja. Kjo që bëjmë tani është ajo që mund të përcaktojë të ardhmen tonë, por më e rëndësishmja ajo mund të kontribuojë shumë në lumturinë ose mjerimin tonë. Është gabim pra, të lejojmë të kaluarën të formësojë të ardhmen tonë!

Nëse ndonjë prej pikave të mësipërme ju kujton diçka, atëherë, me siguri jeni midis dy zgjedhjeve: ose të vazhdoni të viktimizoheni duke rënë në përsëritje, ose të përpiqeni të ndryshoni mënyrën e të menduarit dhe të përmirësoni jetën tuaj!albstroka.com

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top