You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » SI TË LUFTONI RRUDHAT PAS TË 30-VE (RECETË EKSKLUZIVE)

SI TË LUFTONI RRUDHAT PAS TË 30-VE (RECETË EKSKLUZIVE)

© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Gjatë viteve të mia studentore, kisha njohur një farmaciste holandeze, një grua jashtëzakonisht të bukur, bionde, shtatlartë, me sybojëqielli dhe mjaft rinore. Kur më kishte thënë për herë të parë moshën e saj, kisha mbetur pa fjalë, më dukej e pamundur që ajo të ishte 53 vjeçe, ngjante si 40 vjeçe. Nuk ishte martuar asnjëherë, nuk kishte fëmijë, thjesht, vitet e fundit bashkëjetonte me një piktor Italian. Kur e pyeta se si ia dilte të mbahej aq mirë? Më tha se: “sekreti nuk fshihej tek bisturia, por tek gjendja e qetë shpirtërore dhe kurat natyrale”. Ajo më mësoi se si të kujdesesha për lëkurën, shkoja çdo fundjavë në shtëpinë e saj dhe e ndihmoja në përgatitjen e kremrave hidratuese dite apo nate dhe antirrudhë. Ishte një njeri i përsosur pa komplekse dhe shumë zemërgjerë, nuk do ta harroj kurrë, në vitin 2010, mora vesh se vdiq në një aksident autombolistik. Gjithmonë njerëzit e mirë shkojnë herët nga kjo botë…

Motoja e saj ishte: “Asgjë nuk duhet lënë për çastin e fundit, çdo gjë duhet bërë në kohë”, dhe mendoj se kishte të drejtë. Ngaqë e shihte se sa e vëmendshme, por, dhe e “etur” isha për të mësuar gjëra të reja, më këshillonte që të mos humbja kurrë durimin, dëshirën për të ecur përpara, dhe se çfarëdo që të ndodhte, të mos harroja kurrë feminilitetin tim.

Pikërisht, për këtë do të flasim dhe sot, për feminilitetin, për kujdesin që duhet të tregojmë ndaj vetes, në të gjitha dekadat e jetës sonë. Deri në moshën 30 vjeç lëkura e femrave është mjaft elastike, shkëlqyese dhe pa rrudha. Mirëpo, pas të 30-ve, asgjë nuk është më njëlloj, në fytyrë fillojnë të shfaqen shenjat e para të kohës, thatësia, mungesa e shkëlqimit dhe rrudhat e para. Në qoftë se para të 30-ve përdornit vetëm një krem hidratues dite, tani, nevojat e lëkurës për kujdesje të veçantë dyfishohen.

Më poshtë po ju rendis përbërësit që do të nevojiteni për përgatitjen e një kremi nate me veti hidratuese, rigjeneruese dhe antiplakje:

Përbërësit

25 gr dyll blete

25 gr gjalp kakaoje

15 ml vaj kastori

15 ml vaj kokosi

30 ml vaj aguliçeje

45 ml lëng mastike

1/2 lugë çaj pluhur lecithini

1/2 lugë çaj pluhur majaje

1/2 vitamine C

Shtesa antiplakje

15 pika vaj esencial barbaroze

7 pika vaj esencial livandoje

7 pika vaj esencial portokalli

2 pika vaj esencial trëndafili

1/2 ml vitamine A

1/2 ml vitamine B5

1 ml vitamine E

1/2 ml kolagjen

1/2 ml elastin

Përgatitja

Merrni dy enë zjarrduruese, në njërën, shkrini në temperaturë të ulët, dyllin e bletës dhe gjalpin. Në vazhdim, hiqeni nga zjarri dhe shtoni, vajin e kastorit, vajin e kokosit, vajin e aguliçes dhe përziejini me rrahëse elektrike për rreth 1 minutë.

Në enën tjetër, hidhni lëngun e mastikës (ngroheni në teperaturë të ulët), lecithinin, majanë, vitaminën C, dhe rrihini mirë me rrahëse elekrike.

Kujdes, përzierjet e të dyja enëve duhet të kenë të njëjtën temperaturë. Në qoftë se përzierja e enës së parë ka filluar të ngurtësohet, ngroheni dhe pak akoma.

Në fund, shtoni të gjithë vajrat esencialë, vitaminat, kolagjenin, elastinën dhe përziejini bashkë për rreth 1 minutë me rrahëse. Kremin e krijuar hidheni në një vazo prej qelqi të sterilizuar dhe ruajeni në derën e frigoriferit për rreth 3 muaj./AlbStroka.com/Aplikojeni çdo darkë në lëkurë të pastër, para se të flini.

Shihemi pas pak…

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top