You Are Here: Home » Mjekësi » SHKENCËTARËT “ZMADHUAN” ALFABETIN E ADN-së

SHKENCËTARËT “ZMADHUAN” ALFABETIN E ADN-së

lorena-stroka-gazetare-perkthyese-shkrimtare-gazeta-albstroka-facebook-biografia-wikipediaNga Lorena Stroka

Një ekip shkencëtarësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka arritur të ‘zmadhojë’ 50% të alfabetit gjenetik, duke krijuar një bakter gjysmë-sintetik, i cili përmban në ADN-në e vet, përveç katër komponentëve natyralë, edhe dy sintetikë. Këto dy ‘shkronja’ shtesë të alfabetit gjenetik e ndihmojnë mikroorganizmin që të prodhojë proteina të tjera, të cilat nuk gjenden në natyrë. Zbulimi i mësipërm përbën një hap i rëndësishëm drejt krijimit të jetës hibride dhe artificiale.

Këtu e 3.5 miliardë vjet gjenet në ADN shërbejnë si “udhëzues” për krijimin e proteinave. Katër ‘shkronjat’ e kodit gjenetik, të njohura ndryshe si baza azotike janë: A (adenina), C (citozina), G (guanina) dhe T (timina), ndërkohë që organizmi i ri disponon edhe dy të tjera, të quajtura X dhe Y.

Në vitin 2014, shkencëtarët trupëzuan për herë të parë ‘shkronjat’ X dhe Y në ADN-në e një bakteri të quajtur E.coli. Atëherë, e vetmja gjë që mundeshin të bënin këto baktere ishte të ruanin dy bazat sintetike, e pastaj t’i linin “trashëgimi” te pasardhësit e tyre.

Ndërsa sot, po të njëjtët shkencëtarë ndërthurën me sukses katër bazat azotike dhe dy sintetike brenda gjeneve të bakterit, duke bërë ‘sanduiç’ çdo X dhe Y mes dy bazave të tjera azotike. Në këtë mënyrë, bakteri ‘lexoi’ ADN që përmbante X dhe Y shtesë, e ktheu në molekula ARN, pastaj ato u ‘përkthyen’ në proteina, të cilat përmbajnë aminoacide që nuk gjenden në natyrë.

Është hera e parë që një qelizë ka ‘përkthyer’ një proteinë, duke përdorur diçka tjetër përveç G, C, T dhe A.

Normalisht, katër ‘shkronjat’- bazat azotike të kodit gjenetik mund të prodhojnë 20 aminoacide, por me shtimin e bazës X dhe Y, numri i aminoacideve të prodhuara mund të arrijë në 150. Në të ardhmen, këto mund të lejojnë krijimin e barnave dhe përbërësve të rinj, me qëllim luftimin e shumë sëmundjeve të pashërueshme deri më tani.

Shkencëtarët konfirmuan se është e pamundur që një organizëm gjysmë-sintetik të jetojë në natyrë, jashtë laboratorit dhe të shumohet në mënyrë të pakontrolluar. Asnjë formë jete në planet nuk mund të prodhojë vetë ‘shkronjat’ shtesë X he Y në ADN, pa ndihmën e njeriut që të shtojë substancat e duhura./albstroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top