You Are Here: Home » Të ndryshme » Uncategorized » SHKENCËTARËT ZBULOJNË NJË EKZOPLANET SHKËMBOR SHUMË TË NGJASHËM ME TOKËN

SHKENCËTARËT ZBULOJNË NJË EKZOPLANET SHKËMBOR SHUMË TË NGJASHËM ME TOKËN

lorena-stroka-gazetare-shkence-wikipedia-gazeta-albstroka-facebookNga Lorena Stroka

Një ekip shkencëtarësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europa kanë zbuluar një ekzoplanet shkëmbor tepër të ngjashëm me Tokën në madhësi dhe temperaturë, mbase dhe me kushte të favorshme për ekzistencë uji dhe zhvillim jete, pasi ndodhet brenda “zonës së banueshme”.

Ekopoplaneti Kepler-1649c rreth 300 vjet dritë larg Tokës u zbulua pas një analize të re të të dhënave më të vjetra të dërguara nga Teleskopi Hapësinor Kepler, i cili tashmë nuk funksionin më…

Nga mijëra ekzoplanetë të zbuluar nga ky teleskop, ekzoplaneti i ri duket se ngjan me Tokën më shumë se çdo planet tjetër i gjetur deri më sot.

Kepler-1649c ka vetëm 1,06 herë diametrin e Tokës (d.m.th 6% më i madh) dhe merr nga ylli mëmë rreth 75% të rrezatimit të Tokës nga Dielli, kështu që të dy planetët janë të ngjashëm sa i përket temperaturës.

Por ndryshe nga Toka, në orbitë rreth një ylli të vogël, të kuq e të zbehtë që është një e katërta e madhësisë së Diellit.

“Kjo botë e largët na jep edhe më shumë shpresë se një Tokë e dytë është diku midis yjeve dhe po pret që ta zbulojmë”, tha Thomas Zurbuchen nga agjensia hapësinore amerikane (NASA).

Studiuesit e udhëhequr nga Andrew Vanderbourg nga Universiteti i Teksasit, i cili botoi punimin në The Astrophysical Journal Letters, thanë se në bazë të të dhënave të deritanishme nuk mund të thuhet me siguri nëse Kepler-1649c është vërtet i banueshëm.

Xhuxhët e kuq kanë një zakon të “keq”, në mënyrë periodike lëshojnë rrezatim të rrezikshëm në hapësirën përreth tyre, gjë që mund të shkatërrojë çdo atmosferë planetare. Ekzoplanetë të tjerë të gjetur deri më tani, të ngjashëm në madhësi  me Tokën janë Trappist-1f dhe Teergarden c, ndërsa të ngjashëm në temperaturë janë Trappist-1d dhe TOI 700d.

Në të njëjtin sistem astral është gjetur këtu e tre vjet edhe një ekzoplanet tjetër, Kepler-1649b, i cili duke qenë se gjendet shumë pranë yllit, mendohet të jetë i nxehtë dhe i papërshtatshëm për jetesë (si Venusi në sistemin tonë diellor), ndërkohë që s’është e pamundur që të ketë edhe planete të tjerë.

Teleskopi Kepler, “gjuetari” më i rëndësishëm i ekzoplanetëve për aq kohë sa funksionoi, domethënë deri në vitin 2018, kur ngeli pa karburant, ka sjellë në dritë rreth dy të tretat e gjithsej 4,100 planeteve të konfirmuar përtej sistemit tonë diellor.

Zbulimet e tij kanë bërë që shkencëtarët të vlerësojnë se 20% deri në 25% e afro 200 miliardë yjeve në galaktikën tonë kanë ekzoplanetë shkëmborë në zonën mikpritëse rreth yllit të tyre./albstroka.com

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top