You Are Here: Home » Gnomonologji » NDJENJA » RRËFIM MESNATE!

RRËFIM MESNATE!

Nga Lorena Stroka

Ka netë që shkruaj mendime të papërcaktuara, të pajustifikuara, krejt të natyrshme, ashtu siç më vijnë… Imazhet i përkthej në fjalë. Janë ngjarje të veçanta, për të tjerët mund të jenë të parëndësishme, të papërfillshme, por për mua janë unike, të papërsëritshme. Më çojnë në një melankoli të nevojshme, sepse vetëm në çaste të tilla mund të mendoj dhe përpunoj fakte, ndjenja, njerëz. Në çastet e gëzimit të pastër, harrohem dhe s’para i përkushtohem detajeve.

 Ka disa situata, disa njerëz, disa sjellje që më shtyjnë të “dorëzohem”.  Mirëpo karakteri im krenar s’më lejon ta bëj.

Lexoja shkrime të vjetra, që kisha shkruar kohë më parë. Sa shumë ka ndryshuar mënyra se si shkruaj?! Sa shumë ndryshova unë?! Mendime më pozitive, më kuptimplote. Më pëlqen ky optimizmi i shfaqur kohët e fundit.

Ah, ti që më lexon, s’ e di se kush je, ku banon, ç’ndjen, çfarë mendon, si kalon?! Thelbësisht, jemi njëlloj, se as ti nuk di shumë për mua. Përveç një emri artistik (që jo gjithmonë është i vërtetë). As ti s’e di se nga jam unë, sa vjeçe jam, ku jetoj etj?! Dil jashtë miku im i panjohur! Të dy shikojmë të njëjtën hënë! Të dyve na vë në gjumë e njëjta natë. Të dy flasim të njëjtën gjuhë. Por prapë ndihemi dhe jemi kaq të ndryshëm me njëri tjetrin.

Dua të të them shumë fjalë… S’e di por kam përshtypjen se kështu do të bësh dhe ti… Por s’ke besim te askush… ndaj hesht…

Nata sonte kërkon pije, pije të fortë, një zjarr të ndezur dhe ca pika lotë… Kështu kalon ora, vjen e nesërmja, largohen hijet. Dhe pastaj ç’mbetet? Gota e zbrazët që mbrëmë shuajti etjen e dhembjes.

Këtë shkrim nuk do ta arsyetoj, as do ta nënshpjegoj. Thjesht do ia kushtoj të gjithë atyre që KURRË NUK U DORËZUAN!/AlbStroka/com

Natën e mirë BOTË!

© www.AlbStroka.com

 

 

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top