You Are Here: Home » Të ndryshme » ROLI I TELEVIZIONIT NË EDUKIMIN E FËMIJËVE

ROLI I TELEVIZIONIT NË EDUKIMIN E FËMIJËVE

Nga Lorena Stroka

Mjetet e komunikimit masiv përbëjnë pikë kryesore diskutimi dhe shkëmbimi opinionesh. Funksioni i tyre bashkëkohor është kthyer në formues kryesor të personalitetit të fëmijëve, pasi ushtrojnë rol katalitik (përfundimtar) në edukimin si dhe zhvillimin e njohurive të tyre.

Herë pas here, dëgjohen zëra kundërshtuesë lidhur me rolin që mediat e shkruara apo pamore ushtrojnë në informim ose që do duhej të ushtronin në edukimin e fëmijëve. Në përgjithësi zërat që dëgjohen janë kundër mediave.

Mediat vizuale (pamore), pra, televizioni shumë herë konsiderohet si përcjellës i shembujve negativë, pasi përmes emisioneve me cilësi të dobët përmbajtjeje përcjellë mesazhe të gabuara. Televizioni i shfaqur qysh në dekadat e para të shekullit tonë është një mjet teknik, që ka si qëllim kryesor përcjelljen e tingujve dhe figurave (pamjeve) në distanca të largëta dhe në publik të gjerë.

Televizori gjendet pothuajse në çdo familje shqiptare, madje në shumë prej tyre mund të ketë më shumë se një.  Ky element na bën të kuptojmë se ndikimi i tij është jashtëzakonisht i madh, sa te të rrituri,t po aq edhe te të vegjëlit, pra, luan rol kyç në formimin dhe zhvillimin e ideologjisë shoqërore. Nuk është aspak e rastësishme që Mjetet e Komunikimit Masiv përbëjnë pushtetin e katërt.

Ndikimi pozitiv i televizionit:

Është fakt që televizioni zgjeron horizontet e të rriturve dhe kryesisht të fëmijëve. Televizioni ka aftësinë t’u ofrojë njerëzve në kohë të shpejtë dije dhe lajme të shumëllojshme. Ndjekja e monitoruar e programeve televizive është në dobi të fëmijëve, nxit imagjinatën e tyre, dhe kur nuk kalon në ekzagjerim, përbën element pozitiv për formimin e personalitetit të mëvonshëm. Një tjetër veçori e televizionit është menjëhershmëria që ka me realitetin e përditshëm. Duke ndjekur programe televizive njerëzit mësojnë gjëra të reja për një botë më të gjerë nga ajo që jetojnë përditë. Fëmijët mësojnë ngjarje, gjendje, përvoja dhe dukuri të ndryshme.

Televizioni luan rol edukativ (kur përdoret si duhet, si dhe kur ke mundësi përzgjedhjeje), përmes tij të rriturit dhe fëmijët pasurojnë fjalorin e tyre të përditshëm si dhe mësojnë gjëra të reja, të panjohura më parë. Disa shkencëtarë janë të mendimit se “televizioni është një nxitës i mirë  për të lexuar më shumë”. Ndërsa ca të tjerë mbështesin krejt të kundërtën, theksojnë se “televizioni tërheq vëmendjen e fëmijëve, nuk u lë kohë të lirë dhe i shndërron në teleshikuesë patetikë”.

Ndikimi negativ i televizionit:

Televizioni jo rrallëherë është karakterizuar si mjet patetik komunikimi që i shtyn njerëzit të “kullosin sytë” dhe të mënjanohen nga realiteti.

Në të kundërt, me të rriturin (të paktën këtë dua të besoj), fëmija ndjek televizor pa përdorur aftësi kritike, thjesht se i pëlqejnë ngjyrat ose personazhi që luan në x film vizatimor… Për të nuk ka shumë rëndësi përmbajtja cilësore e programit… mjafton ajo që shikon t’i josh syrin… Ndjekja e rregullt e programeve të tilla, ka të ngjarë ta bëjë fëmijën imitues personazhesh antishoqërorë, të pamoralshëm si dhe mizorë. Mos harroni, fëmija është thithës i lehtë sjelljesh. E ka të vështirë t’i rezistojë shembujve të gabuarë, çdo gjë të panjohur do që ta përvetësojë. Sa herë kemi dëgjuar që shumë fëmijë vetëvrasës, kanë marrë shembuj nga personazhe televizive për të vepruar? Dhjetëra herë…

Drejtorët e emisioneve televizive duhet të jenë më të kujdesshëm në hartimin e programeve, si dhe në caktimin e orëve të transmetimit të tyre. Si është e mundur që në prime time të jepen filma me përmbajtje horror (të frikshme)? Ku janë programet edukative për gjuhën, emisionet kulturore, emisionet me tema shoqërore? Pse nuk pashë një emision që të flasë për jetën e vështirë të fshatarëve në periferi? A e dini që shumë prej tyre, punojnë si “qeni”, nga mëngjesi deri në darkë vonë nëpër ara për të fituar bukën e gojës, dhe kur vjen puna, nuk shesin dot prodhimet e tyre? Kujt iu bë vonë të shikojë Big Brother dhe programe të tilla mbeturina (trash) që mbledhin llumrat e shoqërisë për të na i paraqitur si çfarë? E dimë që shqipoja është thashethemexhi dhe i pëlqen të shikojë jetën e tjetrit nga vrima e çelësit, por mos iu ofrua diçka cilësore dhe nuk pranoi ta shihte? Është turp që në vitin 2013, 70% e nxënësve shqiptarë nuk di pesë të dhëna historike. Po nuk dite histori, atëherë nuk di se as kush je. Lere gjuhën shqipe, e kanë qarë me lotë, si me shkrim dhe me gojë. Të vjen për të qeshur e qarë bashkë kur viziton faqe “poetësh/shkrimtarësh” shqiptarë, mjafton t’i hedhësh një sy prezantimit të tyre… as emrin e tyre s’dinë të shkruajnë, lanë nam… Janë të paktë ata që dallojnë, dhe të kënaqet shpirti që t’i lexosh.

DEFORMUESI/SHPËRBËRËSI kryesor i gjuhës shqipe është televizioni, pasi drejtohet nga një kope analfabetësh/të paditurish, që në dhjetë fjalë, nëntë e gjysëm i thonë gabim. Këto janë përfundimet kur gazetarët dhe prezantuesit përzgjidhen me kritere reçipetash, gjakësish, miqësish, bindjesh politike dhe jo në bazë të formimit profesional.

Statistikat më të fundit (në shkallë botërore) kanë treguar se ndjekja e vazhdueshme dhe e pakontrolluar e programeve televizive ka shkaktuar rritjen e dhunës dhe kriminalitetit fëminor, mungesën e komunikimit, mënjanimin e individëve nga bota e jashtme, mosveprimin (pasivitetin), hipotoninë shpirtërore/mendore, ndryshimin e jetës familjare (bashkëbisedimin e zvogëluar, moskujdesjen e fëmijëve), krijimin e shoqërisë së konsumit dhe shumë probleme shëndetësore (lodhje sysh, depresion, mbipeshë etj.)./AlbStroka.com/Mendoj se ka ardhur koha të bëjmë “zapping”, si thoni?

*zapping/ndërrim kanalesh

© www.AlbStroka.com

 

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top