You Are Here: Home » Të ndryshme » ROLI I MËSUESIT

ROLI I MËSUESIT

Nga Lorena Stroka

Cili është roli i ri që thirret të luajë mësuesi në kohën tonë, gjatë së cilës të rinjtë bombardohen përditë me informacione të ndryshme nga mediat?

      Sot, burimet e informacioneve për fëmijët e të gjithë grupmoshave janë shumëfishuar në shkallë të habitshme. Tashmë, gazeta, revista, radioja, televizioni kanë hyrë guximshëm në shtëpitë tona. Kështu, nxënësit, në bazë të aftësive dhe dëshirave të tyre “furnizohen” lirshëm me lajme të pakufizuara dhe dije nga të gjitha zonat e kureshtjes dhe aktivitetit njerëzor. Brenda gjithë këtyre fakteve, roli i mësuesit duhet të ripërcaktohet.

         Së pari, mësuesi duhet të hapë për nevojat e nxënësve të gjitha burimet e informacioneve që ekzistojnë sot, dhe më pas t’u mësojë se cilat janë të rëndësishme dhe se si duhet t’i përdorin ato. Vetë, mësuesi duhet të bëjë një informim të gjithanshëm për çështjet shoqërore, kombëtare, ndërkombëtare, shkencën dhe të gjitha përparimet e rëndësishme në përgjithësi. Vetëm në këtë mënyrë, do mund të mirëkuptojë dhe formojë një opinion personal të plotë pedagogjik, që në vazhdim do t’u vijë në ndihmë nxënësve të vet.

Detyra më e rëndësishme e mësuesit të sotëm nuk është t’u përcjellë thjesht njohuri, por t’i ndihmojë që të krijojnë aftësi kritike, me qëllimin zhvillimin e një metode qasjeje ndaj njohurive që do të bazohet në përpunim dhe vlerësim të metejshëm të informacioneve. Mësuesi duhet të kontribuojë në zhvillimin e mendimit sintetik dhe analitik, në thellimin e mendimit të nxënësit, në nxjerrjen e përfundimeve dhe në formimin e mundësisë përgjithësuese… Vetëm, në këtë mënyrë, nxënësi, do të arrijë të bëhet objektiv, me personalitet të përmbajtur dhe vullnet të lirë. Vetëm kështu, arsimi do të ecë drejt zhvillimit dhe jo drejt prapambetjes./AlbStroka.com/

© www.AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top