Çlirohuni përmes Meditimit!
Kur dëgjoja disa njerëz të flisnin për Meditimin, thoja me veten time, janë në vete këta apo jo?! Ndoshta janë të papunë e s’kanë se si të kalojnë kohën! Mirëpo krejt rastësisht, gjatë një vizite në një librari më tërhoqi vëmendjen një libër mbi këtë temë. Fillimisht, më magnetizuan pamjet/skicat, por edhe udhëzimet në formë të shkurtuar dhe tejet të kuptueshme që referoheshin më poshtë. Vendosa ta blej, pa u menduar dy herë. Jo vetëm e lexova me endje, por këtu e disa javë kam filluar të përvetësoj shumë prej atyre që përmendeshin në të. Faktikisht, në mendësinë shqiptare, meditimi konsiderohet si diçka e parëndësishme, pse jo dhe qejf. Mendoj se ka ardhur koha të mësojmë disa gjëra për të, pse jo ta bëjmë akoma dhe pjesë të jetës sonë. Gjumi është meditim i pandërgjegjshëm. Meditimi është gjumë i ndërgjegjshëm. Gjatë procesit të gjumit pranojmë energji të kufizuar/pakufizuar. Kjo energji pasuron fuqinë e Trupit, Mendjes dhe Intelektit. Hap portën për Ndjesinë e Gjashtë. Me këtë energji shtesë (gjatë meditimit) do të jemi më të shëndetshëm, të qetë dhe të lumtur. Gjithashtu, na ndihmon për të përjetuar përvoja më të larta në fushën natyrore. Meditimi nuk është gjë tjetër veçse një udhëtim i ndërgjegjes përmes Vetvetes. Në Meditim, udhëtojmë me vetëdije nga Trupi në Mendje, nga Mendja në Intelekt dhe nga Intelekti në Vetvete akoma dhe përtej saj. Për të bërë Meditim, më parë duhet të ndalojmë të gjitha funksionet e Trupit. Rregulli i parë që ndiqet gjatë meditimit është Pozicioni (qëndrimi), mjafton të jetë i rehatshëm dhe i qëndrueshëm, qoftë në dysheme apo karrige.
- Uluni rehatshëm
- Kryqëzoni këmbët
- Bashkoni gishtrinjtë e duarve
- Mbyllni sytë ngadalë
- Çlirohuni
- Qetësohuni tërësisht
- Çlironi të gjithë trupin
Kur rrimë këmbëkryq dhe bashkojmë gishtrinjtë e duarve, energjia qarkullon në formë rrethi. Kjo na jep më shumë stabilitet (qëndrueshmëri). Sytë janë dyert e Mendjes. Kur Trupi qetësohet, Ndërgjegja udhëton në zonën tjetër të Mendjes dhe Intelektit. Mendja nuk është gjë tjetër veçse një grubull mendimesh që vjen në sipërfaqen e saj. Për të kapërcyer Mendjen dhe Inteligjencën duhet të vëzhgojmë Frymën. Vëzhgimi është natyra e VETVETES, për këtë, mos merrni frymë artificialisht. Lereni frymëmarjen të bëhet natyrshëm. Ky është Çelësi. Kjo është MËNYRA.
- Mos ndiqni mendimet
- Mos insistoni në pyetje apo mendime.
- Largoni mendimet
- Kthehuni tek Fryma
- Vëzhgoni frymëmarrjen natyrore
- Qëndroni me frymëmarrjen
- Atëherë, mendimet rrallohen
- Gradualisht, frymëmarrja bëhet më e hollë dhe e shkurtër
Së fundi
- Frymëmarrja zerohet… dhe stabilizohet si dritë/shkëlqim në mes të vetullave
- Nuk do të keni as frymëmarrje, as mendim
- Do të jeni plotësisht (të zbrazët) pa mendime
Kjo fazë quhet: Nirmal Sthithi ose Faza pa Mendime. Në këto rrethana përmbytemi nga Energjia Kozmike. Sa më shumë Meditohemi, aq më tepër Energji pranojmë. Kjo energji rrjedh nga Trupi Energjik, i cili njihet ndryshe edhe si Trup Eterik./AlbStroka.om/
© Ndalohet ribotimi i shkrimit pa autorizimin e autores.