You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » RECETA ANTIRRUDHË ME KANELLË (EKSKLUZIVE)

RECETA ANTIRRUDHË ME KANELLË (EKSKLUZIVE)

© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Siç e përmenda dhe herën e shkuar, frymëzimin për të shkruar këto receta e kam marrë nga kuzhina. Për ditën e sotme kam zgjedhur kanellën. Mendoj se për shumicën e njerëzve është një nga erëzat më të mira. Përveç aromës karakteristike dhe shijes pikante, ka dhe mjaft veti antirrudhë që ndoshta disa prej jush i injorojnë. Madje ekspertët nuk ngurojnë ta cilësojnë eliksir rinie dhe rregullator të sheqerit në gjak.

Më poshtë po ju rendis përbërësit që do të nevojiteni për përgatitjen e 3 recetave antirrudhë. Do kisha shumë dëshirë që pasi t’i aplikonit, të më thonit se ç’efekte kishin tek ju:

Vaj antirrudhë fytyre

7 lugë gjelle vaj avokado

5 pika vaj kanelle

Përgatitja:

Në një vazo prej qelqi shtoni të gjithë përbërësit e sipërpërmendur duke i tundur butësisht. Në vazhdim, mbulojini dhe lerini 1 orë pa i prekur. Pastaj aplikoni një shtresë të hollë në fytyrë dhe qafë (kryesisht në ato pjesë ku rrudhat janë më të theksuara). Vajin aplikojeni në darkë para se të flini, një ditë po, një ditë jo.

Maskë ideale për puçrrat e fytyrës

1/3 lugë gjelle vaj kanelle

1 lugë gjelle kos të freskët

1 lugë gjelle pluhur argjili

Përgatitja:

Përzieni të gjithë përbërësit bashkë dhe pastaj aplikojeni në fytyrë, përveç syve. Vetitë antibakteriale të kanellës në kombinim me kosin dhe argjilin steptik ndihmojnë në luftimin e puçrrave të fytyrës.

Maskë antirrudhë

1/4 lugë gjelle kanellë pluhur

1 lugë gjelle mjaltë

1 lugë gjelle vaj ulliri

Përgatitja:

Brenda një tasi përzieni mirë të gjithë përbërësit e mësipërm, në vazhdim aplikoni masën e krijuar në fytyrë dhe qafë, duke shmangur pjesën e syve. Lereni të veprojë rreth 15 minuta dhe pastaj shplahuni me ujë të bollshëm

Kujdes: Akoma dhe përbërësit natyralë mund të shkaktojnë acarime ose të mos pranohen nga disa lloje lëkure. Prandaj, gjithmonë para se të eksperimentoheni me recetë të reja, provojini në një pjesë të vogël të lëkurës, për shembull në dorë./AlbStroka.com/

Shihemi në shkrimin e radhës… deri atëherë kalofshi sa më bukur…

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top