You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » ANTOLOGJI » PSE DUHET TA DËGJOJMË ZEMRËN – PAULO COELHO

PSE DUHET TA DËGJOJMË ZEMRËN – PAULO COELHO

Përshëndetje të gjithëve!

Qoftë ky një vit i mbarë për të gjithë ju. Shëndeti, lumturia dhe begatia mbretërofshin në familjet tuaja. Gëzuar 2014!

Shkrimi i parë për këtë vit është një pjesë e përkthyer nga libri i Paulo Coelho-s, “Alkimisti”. Romantikët si puna ime gjithmonë gjurmojnë të lexojnë apo përkthejnë libra të këtij lloji. Lexim të këndshëm miq…

Përktheu: Lorena Stroka, Roehampton University, UK

– “Pse duhet ta dëgjojmë zemrën?”, pyeti djali atë ditë, ndërsa po ngrinin çadrën.

– “Sepse ku ke zemrën, ke thesarin tënd”.

– “Zemra ime është e tronditur”, tha djali. “Sheh ëndrra, emocionohet, është e dashuruar me një grua të shkretëtirës. Më kërkon gjëra, dhe shumë net kur mendoj për të, nuk më lë të fle”.

– “Kjo është gjë e mirë. Zemra jote është e gjallë. Vazhdo të dëgjosh ato që do të të thotë”.

Gjatë ditëve të ardhshme, u ndeshën me shumë luftëtarë si dhe shquan dhe të tjerë në horizont. Zemra e djalit filloi të fliste për frikën. I rrëfente ndodhi që kishte dëgjuar nga shpirti i Botës, histori të pafrytshme njerëzish për të gjetur thesare. Ndonjëherë djali frikësohej me mendimin se nuk do t’ia dilte të gjente thesarin ose do të vdiste në shkretëtirë. Herë të tjera, i thoshte se ndihej e kënaqur që tashmë kishte gjetur një dashuri dhe shumë monedha ari.

– “Zemra po më tradhton”,  i tha djali alikimistit, kur ndaluan për të pushuar kuajt. “Nuk do që të vazhdoj”.

– “Kjo është gjë e mirë. Dëshmon se zemra jote është e gjallë. Është e natyrshme të kesh frikë të shkëmbesh me një ëndërr gjithçka që ke arritur deri tani”.

– “Atëherë, pse duhet ta dëgjoj zemrën time?”.

– “Sepse kurrë nuk do të arrish ta bësh të heshtë. Akoma dhe nëse bën sikur nuk e dëgjon, ajo do të jetë gjithmonë brenda gjoksit tënd duke të përsëritur ato që mendon për jetën dhe botën”.

– “Akoma dhe nëse më tradhton?”.

– “Tradhtia është goditja e papritur. Në qoftë se e njeh mirë zemrën tënde, nuk do të të tradhtojë kurrë. Sepse duke ditur ëndrrat dhe dëshirat e tua do të dish dhe si të reagosh. Askush nuk mund ta shpërfillë zemrën e vet. Ndaj në qoftë se nuk do të të befasojë, është mirë ta dëgjosh se ç’të thotë”.

Djali vazhdonte të dëgjonte zemrën e tij, ndërsa ecnin në shkretëtirë. Avash-avash fillloi të mësonte dinakëritë dhe të pathënat e saj, mësoi ta pranonte ashtu si ishte. Ndaloi të kishte frikë dhe të kthehej prapa, pasi një pasdite zemra i tha se ishte e lumtur”.

– “Mund të ankohem ndonjëherë”, tha zemra, “por kjo ndodh sepse jam zemër njeriu dhe ato gjithmonë janë të tilla. Kanë frikë të bëjnë ëndrra të mëdha sepse mendojnë se nuk e meritojnë ose nuk do t’ia dalin dot mbanë. Ne zemrat vdesim nga frika kur mendojmë për dashuritë e humbura, për çastet e mundshme të mira, që kurrë s’ishin të tilla, për thesaret që mund të zbuloheshin dhe mbetën të varrosura nën rërë. Sepse kur ndodh diçka e tillë, në fund vuajmë shumë”.

– “Zemra ime ka frikë dhembjen”, tha djali.

– “Thuaji se frika e dhembjes është më e keqe se vetë dhembja. Dhe se asnjë zemër nuk vuajti kurrë kur filloi të kërkonte ëndrrat e saj, pasi çdo çast kërkimi është një çast takimi me përjetësinë”./AlbStroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top