Poeti i përgjakur
Vera e tmerrshme e vitit 1936 e gjeti Federico Garcia Lorca në vendlindjen e tij të dashur, Fuente Vqueros. Lorka si një frekuentues i rregullt i vendit ku u rrit, nuk harroi të shkonte as atë vit, përkundrazi e nderoi me vajtjen e tij si çdo herë. Për fat të keq ato ditë sapo kishte shpërthyer Lufta Civile. Edhe pse Lorka nuk ishte aleat i asnjë force politike, gjë që e vërteton më së miri distancimi që mbante ndaj partive, orgjia fashiste e Eskuanda Negra e detyroi të kërkonte strehim në shtëpinë e shokut të tij fëminor Seraldo Rozales. Përqëndrimi i tij në një vlerësim të frytshëm të traditës së pasur, përbënte idealen e të gjithë artistëve progresivë të Spanjës. Nuk ishte thjesht një shkollë e re, por një revolucion në jetën spirituale të vendit, për ta shpëtuar nga këneta e interfilitetit dhe klasicizmi i shterpë i feudalizmit të vonuar Spanjoll.
Lorka shfaqet në tryezat letrare qysh në moshë fare të re. Sidoqoftë vepra që do ta bëjë të njohur botohet në vitin 1928. Është pra vëllimi poetik “Romancero Gitano“. Tashmë, Lorka ka gjetur rrugën e vet, të cilën do ta ndjek përgjegjësisht edhe me veprat e mëvonshme teatrale të pjekurisë tij. Njerëzit e thjeshtë të Andalucisë, me zemërgjerësinë, dhembjet, shqetësimet, zakonet dhe pasionet e tyre do të bëhen simbole universale duke pasuruar kështu faqet e poezisë lirike.
Për dy-tre ditë, ose më saktësisht më 18 gusht, Lorka u arrestua dhe më pas iu nënshtrua procesit të “hetimit”. Tingëllon çuditshëm pasi Lorka nuk kishte bërë asnjë të keqe. Kush e di ndoshta akuza kishte të bënte me poezinë e famshme “Guardia Civil Espanola” (një satirë e ashpër ndaj xhandarmërisë, armikes shekullore të Andalucisë), ose akoma edhe me “Mariana Pineda”, një vepër dramatike që himnizon luftërat për liri! Akuza e fundit që mund t’i shkojë ndërmend njeriut është ajo e lidhjes së ngushtë shpirtërore të Lorkës me disa ministra demokratë. Në sytë e Frankistëve të betuar, poeti i përgjakur përfaqësonte simbolin e mendimit të lirë e të pavarur. Përpjekjet e Rozales (edhe pse ishte punonjës suprem) për ta shpëtuar fatkeqësisht rezultuan të pafrytshme. I thanë se Eskuanda Nergra nuk e ka për zakon të bëjë ndere, akoma edhe nëse bëhet fjalë për artistin më të madh të Spanjës. Kështu, Lorka u ekzekutua pas varrezave të qytetit, në një hendek, ku mijëra patriotë paguanin me gjakun e vet dominimin e pandërgjegjshmërisë fashiste. Ishte vetëm 37 vjeç. Dy ditë më vonë, në kafenenë Iberial të Granadës shisnin stilolapsin dhe medaljen e tij.
Federico Garcia Lorca lindi në vitin 1899 në një fshat të Andalucisë, pranë Granadës. Origjina e tij provinciare, njohja në thellësi e problemeve bujqësore të banorëve të vendit, brumosja me legjendën, artin popullor dhe traditën popullore në përgjithësi formuan ndjeshmërinë e tij artistike.
Në vitin 1931 Republika e Spanjës e ngarkon me detyrën e organizimit dhe drejtimit të një “shtëpie kulture” që do të kishte si qëllim kryesor njohjen e kryeveprave të teatrit spanjoll akoma dhe në zonat më të thella të vendit. Në ato pak vite të demokracisë, Lorka, i pjekur tashmë, punoi me zell dhe entuziazëm të madh. Të gjitha veprat e famshme të poetit dhe dramaturgut të madh si “Dasma e përgjakur”, “Shtëpia e Bernarda Alba” etj u shkruan gjatë këtyre viteve. Shkroi gjithashtu shumë komedi, poezi, pjesë teatrale për fëmijë etj. Ia vlen të përmendet se Lorka përveç të tjerash ishte piktor, kompozitor dhe muzikant i talentuar. Imagjinoni se ç’mund të bënte ai njeri nëse e linin të jetonte, Lorka ishte me të vërtetë një talent i gjithanshëm.
Pas vdekjes së tij, veprat e dramaturgut të madh u përkthyen në shumë gjuhë dhe njohën sukses të paparë në të gjithë botën. Emri i poetit u bë simbol i njerëzve spiritualë në shkallë botërore. Madje gjatë demonstrimeve studentore të realizuara në Barcelonë dhe Madrid kundër regjimit të Frankos, parullat që dominonin ishin: “Na jepni veprat e Lorkës. Lorka është poet i popullit Spanjoll dhe askush nuk do të na privojë veprat e tij”.
© 2011: Ndalohet ribotimi i shkrimit pa autorizimin e autores.