You Are Here: Home » MITOLOGJI » Greke » PLOTINI (204 – 270 e.r.) – DIALOGJE FILOZOFIKE

PLOTINI (204 – 270 e.r.) – DIALOGJE FILOZOFIKE

lorena_stroka_biografia_facebook_albstroka_facebook_keshilla_nga_lorena_strokaShkëputur nga libri: MITOLOGJIA, FILOZOFËT DHE POETËT E LASHTË GREKË (I)

Plotini ( 204 – 270 e.r.,) ishte një filozof i madh i antikitetit dhe themelues i shkollës neoplatonike të filozofisë. Lindi në Likopoli të Egjiptit të Epërm, në vitin 204 e.r.,. Të gjithë rininë e vet e kaloi në Aleksandri. Në moshën 28 vjeçare nisi të angazhohej me filozofinë pranë mësuesve të kohës, megjithatë, njeriu që e frymëzoi vërtet ishte filozofi platonik Amonius Sakas. Thuhet se gjatë një fjalimi të mbajtur nga Amonius, Plotini deklaroi: “Ky është njeriu që kërkoja”. Në fund të studimeve, u betua se nuk do të rrëfente asgjë nga ato që kish mësuar pranë Amonit.

Rreth moshës 38 vjeç, Plotini vendoi t’i përkushtohej filozofisë Lindore dhe iu bashkua ushtrisë së perandorit Gordiane, gjatë fushatës së tij në Persi. Kur ushtria e perandorit u mund, Plotini shkoi në Romë, ku qëndroi deri në fund të jetës së tij. Aty, merrej me filozofi. Shumë shpejt, emri i tij u dëgjua në mbarë vendin. Midis nxënësve të tij ishin Porfiri dhe Galineusi. Mësimet e Plotinit ishin shumë të gjalla, bashkëbisedimet në klasë realizoheshin permes pyetjeve dhe përgjigjeve. Njohja e tij me perandorin Galineus, dhe respekti i këtij të fundit ndaj filozofit, e shtynë Plotinin t’i kërkonte si nder ndërtimin e një qyteti në rajonin e Campania, qeverisja e të cilit do të ndiqte idealet platonike. Për fat të keq, plani ambicioz i Plotinit, nuk u realizua kurrë… Plotini përshkruhet si një njeri me moral të lartë personal dhe shoqëror. Vetë Porfiri fokusohet në aftësinë e veçantë të Plotinit lidhur me perceptimin e gjendjes psikologjike të bashkëbiseduesit të vet. Madje, thotë se filozofi e kishte shpëtuar nga vetëvrasja e sigurtë. Pasi i kishte diagnostikuar një lloj melankolie, i kishte këshiluar të bënte një udhëtim të gjatë.

Sipas Porfirit, Plotini filloi të shkruante në moshën 49 vjeç, gjë që e vazhdoi deri në fund të jetës së tij. Pavarësisht se në gjuhën e folur kishte talent të veçantë, pra, ishte një orator i vërtetë, nuk mund të thuhet se zotëronte po të njëjtën aftësi edhe në të shkruar. Filozofia e Plotinit përtej karakterit platonik, funksiononte në kontekstin e gjerë teorik të traditës së lashtë filozofike. Plotini asnjëherë nuk humbte origjinalitetin filozofik. Shpesh përpunonte me vështrim të thellë kritik mendimet e vjetra filozofike, dhe zbatonte vizionin e vet të ri (filozofik) me respekt të veçantë. Plotini krijoi dhe zhvilloi teorinë e tre hipostazave. Parimet bazë të teorisë platonike ishin tre nivelet ontologjike Εν – Νους – Ψυχή.

Mendimi i Plotinit u bë i njohur, kryesisht përmes veprës së mrekullueshme Εννεάδες“. Në vitin 1974 dhe 1817 Neoplatoniku i fundit, Thomas Taylor, botoi librin “The Works of Plotinus”, në të cilin përshkruante një dialog mes Porfirit dhe Plotinit…

PORFIRI: Plotin, Ameliusi më tha që të filozofosh, duhet të kesh mësuar më parë parimet botërore. Prandaj po të pyes. Çfarë fshihet pas gjithë formave të jetës? Çfarë është natyra? Si mund të përshkruhet?

PLOTINI: Para së gjithash, duhet gjetur diçka e thjeshtë. Sepse nëse nuk është e thjeshtë, dhe s’është EN, atëherë, nuk do të jetë shkaku. Shkaku i gjithçkaje duhet të jetë vetëm një.

PORFIRI: A mund të themi se EN është ekzistenca?

PLOTINI: Njëshi nuk është ekzistenca, por ekzistenca është emanimi i tij, lindja e parë. Për këtë arsye, për EN nuk ka asnjë emërtim.

PORFIRI: E kuptova. Është më shumë paqenësi se sa qenësi. Por a ka lidhje me ekzistencën e manifestuar më pare?

PLOTINI: EN është gjithçka, dhe në të njëjtën kohë asgjë. EN është gjithçka, në kuptimin që gjithçka ekziston brenda tij.

PORFIRI: E kuptova, EN përfaqëson mundësinë. Por cila është lidhja e njëshit me jetën?

PLOTINI: Ekziston para jetës dhe është shkaku i saj, energjia e jetës nuk e paraprin, por, rrjedh nga burimi i pashprehur i EN.

PORFIRI: Në qoftë se supozojmë se EN që ekziston para gjithçkaje, nuk është universi i manifestuar. Atëherë, ku ndodhet EN?

PLOTINI: EN gjendet kudo. Nuk ka vend ku të mos jetë, mbushë gjithçka, prodhon gjithçka, pa qenë ajo që prodhon.

PORFIRI: Plotin, siç e di, universi i manifestuar karakterizohet nga lëvizja. EN është lëvizja? Apo mundësia e lëvizjes, një traktat ndalese? Cili është raporti i NJËSHIT me lëvizjen dhe ndalesën?

PLOTINI: EN përmban lëvizjen dhe ndalesën. EN është mundësia e lëvizjes dhe ndalesës, pra, i përmban të dyja.

PORFIRI: Mësues, një mendim tjetër më problematizon. Universi manifestohet mendërisht. A mund ta përshkruash EN si intelekt? EN ka mendim?

PLOTINI: EN nuk mendohet se përmban sa mendimin po aq dhe të menduarit. EN nuk është intelekt, por më shumë se kaq. Dhe përderisa është më lart se intelekti, emanimi i tij do të jetë dhe intelektual.

PORFIRI: Është e qartë që EN qëndron përtej perceptimit njerëzor. Por a mund të më përshkruash disa zona të EN që të arrij t’i perceptoj? Çfarë ndjekë traktati i mundësisë? Si manifestohet universi?

PLOTINI: Çdo gjë që ekziston e ka prejardhjen nga EN. Por, faza e dytë e ekzistencës nuk do të jetë më EN, por shumëfishimi i Njëshit. Vëmë re se të gjitha gjërat që i qasen përsosmërisë nuk mund të qëndrojnë në ekzistencë të pamanifestuar. Kjo vihet re në të gjithë natyrën. Jo vetëm te qeniet që janë të afta në zgjedhje, por, edhe tek ato që s’janë, ekziston tendenca e transmetimit të atyre që kanë brenda. Për shembull, zjarri prodhon ngrohtësi, bora prodhon ftohtësi. Për këtë arsye, të gjitha gjërat në natyrë shkojnë në pavdekësi përmes demonstrimit të cilësive të tyre. EN demonstron vetveten. Çka demonstrohet, demonstron paralelisht vetveten.

PORFIRI: Mësues, harron diçka, gjithçka e demonstruar është bërë nga lënda. Lënda si mund të prodhojë vetveten?

PLOTINI: Lënda nuk është e vdekur. Lënda nuk është pa jetë dhe pa inteligjencë. Njëra nuk ekziston pa tjetrën. Forma dhe lënda janë parime të domosdoshme për çdo gjë që ka trup.

PORFIRI: Të kuptoj, Plotin. Sipas teorisë tënde mendja dhe lënda nuk duhen konsideruar si dy entitete të ndara, por si dy anët e NJËSHIT. Po me njeriun ç’ndodh? Ka ndonjë gjë te njeriu që korrespondon në EN?

PLOTINI: Duhet të ketë një natyrë tjetër, e ndryshme nga trupi, që lind ekzistencë nga vetvetja. Është e domosdoshme dhe duhet të ketë një lloj jete paraardhëse, që është pa formë, e përjetshme dhe pjesë e gjithçkaje. Është e nevojshme të ketë diçka që është burim jete, diçka që do të jetë përtej trupit natyror…

PORFIRI: E ke fjalën për atë që quajmë Shpirt? Në qoftë se po, cili është raporti i shpirtit me EN?

PLOTINI: Shpirti është En, dhe e respekton EN.

PORFIRI: Cila është natyra e Shpirtit?

PLOTINI: Shpirti nuk ka trup. Asnjë shumë njerëzish nuk do mund të prodhonte shpirtin. Shpirti është një materie e pavdekshme dhe pa trup. Shpirti përcjellë lëvizje në gjithçka. Përcjellë jetë në trup. Vetëm ai zotëron jetën e vërtetë.

PORFIRI: Cili është mendimi yt për lidhjen e shpirtit individual me shpirtin botëror?

PLOTINI: Universi ekziston në shpirt, që është lënda e tij dhe asnjë pjesë e tij nuk është e pashpirt. Në qoftë se të gjithë shpirtrat bëhen EN në shpirtin universal, pse të gjithë së bashku të mos formojnë EN. Në qoftë se shpirti im dhe i yti vijnë nga shpirti botëror, atëherë, të gjithë shpirtrat formojnë EN.

PORFIRI: Plotin, atëherë si do ta përkufizosh njerin. Njeriu është shpirt apo thjesht ka një shpirt?

PLOTINI: Njeriu është shpirt dhe ka një trup. Natyra dhe lënda e të dyve duhet ndarë. Që nga çasti që trupi është i ndërlikuar, nevoja nuk mund ta ruajë gjithmonë në të njëjtën gjendje… Shpirti, pra, ndahet nga trupi me vdekjen.

PORFIRI: Plotin, trupi nuk është pjesë e jona?

PLOTINI: Në qoftë se trupi është pjesë e jona, atëherë nuk jemi plotësisht të pavdekshëm. Kur vërejmë me kujdes, zbulojmë se trupi është veç një instrument shpirti. Thelbësisht, shpirti përbën atë që quhet njeri.

PORFIRI: Plotin, edhe pse trupi është një një vegël shpirti, nuk ndalon së qenë një pjesë shumë e rëndësishme e tij. Nuk funksionojmë dot pa atë.

PLOTINI: Nuk jemi trupi, por, nuk jemi dhe plotësisht të ndarë prej tij. Është i varur nga ne. Prandaj dhembjet dhe vuajtjet që përjeton trupi, na ndikojnë. Sa më të dobët jemi, aq më shumë merremi me të. Brenda tij ndodhet një pjesë e jona, që përbën personalitetin tonë.

PORFIRI: Atëherë, pse njerëzit flasin për shpirtin si të ishte trupi?

PLOTINI: Thuhet se shpirti është trupi, për arsye se trupi është i dukshëm. Por nese do të mundeshim të shihnim shpirtin, do të thonim se trupi nuk është në asnjë mënyrë trupi.

PORFIRI: A mund të më japësh një shembull, për t’u qartësuar më shumë?

PLOTINI: Shpirti thuhet ekziston në trup si kapiteni në anije. Por kjo nuk është e drejtë. Se nga njëra anë ndodhet rastësisht në anije, dhe nga ana tjetër, kapiteni drejton gjithë anijen, ndërkohë që gjendet vetëm në një pjesë të tij, ndërsa shpirti drejton trupin dhë është i pranishëm kudo. Një shembull tjetër i mirë do të ishte: shpirti është i pranishëm në trup si drita në ajër. Drita është e pranishme në ajër pa u ngatërruar me të. Kur drita largohet nga ajri, nuk mban asgjë nga drita, por ndriçon për aq kohë sa ajri qëndron brenda saj.

PORFIRI: Plotin, faleminderit për shembujt. Por, kam edhe një pyetje tjetër. Para pak the se një pjesë e jona  ndodhet brenda trupit tonë. Ma merr mendja se as shpirti nuk është plotësisht i pranishëm në trup?

PLOTINI: Shpirti nuk vjen i plotë në trup. Pjesa sipërore qëndron gjithmonë e bashkuar me botën e dijes, ndërsa pjesa e poshtme qëndron e bashkuar me botën e perceptueshme. Pjesa sipërore qëndron e paprekur nga kënaqësitë e përkohshme dhe çon në një jetë të palëkundur. Çdo shpirt ka një pjesë të poshtme drejtuar drejt trupit, dhe një sipërore drejtuar drejt intelektit hynjor…

PORFIRI: Natyra e shpirtit bëhet e dyanshme sapo hyn në trup. Gjë që përkthehet në veprim të dyfishtë.

PLOTINI: Pikërisht! Shpirti ka veprim të dyfishtë në lidhje me pjesën e sipërme dhe të poshtme. Me të parën kontrollon energjinë e trupit, dhe me të dytën studion entitetet e kuptueshme.

PORFIRI: E kuptova! Shpirti është një entitet aktiv?(vijon)/AlbStroka.com/

© www.AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top