You Are Here: Home » Të ndryshme » Uncategorized » PENDESA ERDHI VONË, TEPËR VONË!

PENDESA ERDHI VONË, TEPËR VONË!

lorena-stroka-perkthime-books-wikipedia-gazetare-instagram-poezi-gazeta-albstrokaShqipëroi: Lorena Stroka 

Na ishte njëherë një ushtar i guximshëm e sypatrembur, i cili gëzonte mbështetjen e dashurinë jo vetëm të mbretit, por dhe të të gjithë oborrtarëve të tjerë. Ushtari kishte një qen të besuar, të cilin e kishte mësuar që këlysh të sillej si njeri.

Një ditë prej ditësh, gruaja e ushtarit vendosi të shkonte te prindërit e saj, mirëpo duke qenë se ish dimër dhe disi larg, i kërkoi të shoqit që për sa kohë të mungonte, të kujdesej ai për foshnjën e tyre.

  • “Ruaje si sytë e ballit” – e porositi kushedi sesa herë – “Nuk do të vonohem. Do të kthehem shpejt!”

Aty ku burri i ri qe ulur, e tundte djepin me një dorë, papritmas dëgjoi një trokitje në derë. U ngrit për të parë se kush ishte. Një i dërguar nga mbreti, i tha se duhej të shkonte në pallat. Sapo dëgjoi këtë, ushtari veshi menjëherë uniformën ushtarake, vuri shpatën në këllëf, gati për të ndjekur ushtarin.

Para se të ikte, urdhëroi qenin të ruante foshnjën e shtëpinë, dhe të mos linte askënd që të hynte brenda.

E ndërsa qeni rrinte pranë kokës së fëmijës, teksa ai flinte i qetë, papritmas pa një gjarpër të madh që po i drejtohej foshnjës për t’i pirë gjakun. Menjëherë, qeni u hodh dhe filloi përleshjen me gjarpërin. E kafshoi, e kafshoi, derisa më në fund e vrau.

Në atë çast, u dëgjuan hapat e ushtarit. Qeni doli i gëzuar te dera për të pritur të zotin. Kur ai pa gojën e qenit plot me gjak, hamendësoi se mund të kishte shqyer foshnjën. Pa e menduar dy herë, nxorri shpatën nga brezi dhe i preu kokën.

Për habinë e tij të madhe, kur hyri brenda në shtëpi, pa se fëmija flinte i sigurt në djepin e vet, dhe se në krah, shtrihej një gjarpër i vrarë. Atëherë kuptoi se qeni kishte vrarë gjarpërin. Një lëmsh hidhërimi iu mblodh në fyt për vrasjen e padrejtë të qenit të tij besnik. As trishtimi, dhe as pendimi nuk mund ta kthenin më në jetë! Tashmë ishte vonë, tepër vonë për të derdhur lotë!/albstroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top