You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » PEELING FYTYRE NË KUSHTE SHTËPIE

PEELING FYTYRE NË KUSHTE SHTËPIE

© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Këto 5-6 ditët e fundit nuk kam qenë aspak e qetë, për shkak të alergjisë, çdo 30 minuta shihesha në pasqyrë se mos qenë zhdukur skuqjet e lëkurës, përmirësimi ishte aq minimal, sa s’më kënaqte mjaftueshëm. Mirëpo, sot, thuajse “fluturoj” nga gëzimi, përfundimisht 80-90% e tyre janë eleminuar. Dhe siç e kuptoni, kjo është një arsye e fortë për të dalë jashtë e për ta festuar, sigurisht jo e grimuar, pasi mund të shkaktojë acarim të mëtejshëm të lëkurës. O Zot, qenka e tmerrshme ta shikosh veten me puçrra sikur të kanë pickuar grerëzat! Tani, i kuptoj vajzat që ankohen për problemet e lëkurës. Kur u ndjeva unë kështu, për një gjendje të përkohshme, imagjinoni se sa të ngarkuara psikologjikisht janë ato që vuajnë përditë nga prania e tyre. Nejse të shkuara, por, jo të harruara….

Vajza, sot do të flasim për pastrimin e lëkurës në thellësi me përbërës që kemi në kuzhinën tone. Procesi është kaq i lehtë dhe i efektshëm sa brenda 2-3 përdorimeve do të mbeteni të mahnitura. Asnjëherë mos e shpërfillni kujdesjen e lëkurës, pasi ajo është pasqyra e shëndetit tuaj.

Përbërësit

1 lugë çaj mjaltë (të pastër)

1 lugë çaj sheqer të kristalizuar

1 lugë çaj qumësht

Përgatitja

Në një tas të vogël, shtoni tri përbërësit e mësipërm dhe përziejini mirë me njëri-tjetrin, derisa të formohet një masë e trashë. Në vazhdim, përhapeni në të gjithë fytyrën (përveç pjesës së poshtme të syve), dhe filloni të bëni masazh të lehtë me lëvizje rrethore për rreth 2 minuta, akoma dhe në buzë. Pastaj shplani fytyrën, njëherë me ujë të ngrohtë dhe njëherë me ujë të ftohtë, ky ndryshim i temperaturës do të ndihmojë në hapjen dhe mbylljen e poreve si dhe forcimin e lëkurës. Në fund, fshijeni fytyrën me peshqir të pastër e të butë (po të doni, aplikoni dhe pak krem hidratues). Për efekte sa më të mira, parapëlqeni të bëni peeling në orët e mbremjes (2-3 herë në javë)./AlbStroka.com/

*Sekrete shtesë: Për lëkura të thata, shtoni dy pika vaj ulliri (në përzierje) për hidratim plus. Në rast se keni puçrra në fytyrë, në vend të sheqerit të kristalizuar, përdorni sheqer pluhur./AlbStroka.com/

Përqafime të sinqerta për të gjithë ju…

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top