You Are Here: Home » Të ndryshme » Uncategorized » “PACIENTJA ZERO” QË PËRHAPI TIFON NË AMERIKË!

“PACIENTJA ZERO” QË PËRHAPI TIFON NË AMERIKË!

gazeta-albstroka-lorena-stroka-gazetare-wikipedia-biografia-instagram-koronavirusi-epidemi-pandemiNga Lorena Stroka

Maria ka mbetur në histori si nga gratë më të rrezikshme në Amerikë. “Maria tifoide”, siç u pagëzua nga shtypi i asokohe, thuhet se ka qenë “pacientja zero”, e cila përgjegjësohet për përhapjen e tifos në SHBA, në fillim të shekullit të 20-të. Maria ishte irlandeze, e lindur dhe e rritur në veri të ishullit, në vitin 1869. Në moshën 14 vjeçe vendosi të përshkonte Atlantikun, me qëllim kërkimin e një fati më të mirë në kontinentin e ri. Në shekullin e 19-të, vala e emigracionit nga Irlanda në Shtetet e Bashkuara të Amerikës arriti kulmin e vet. Çdo ditë mijëra irlandezë hipnin në anije dhe largoheshin nga vendlindja për të ndjekur ëndrrën amerikane.

Në vitet e para, Maria punonte si kujdestare në shtëpitë e pasura të Nju Jorkut. Pastaj, një nga punëdhënësit e saj zbuloi se ajo kishte talent të madh në gatim. Gradualisht, përgjegjësitë e saj kaluan në kuzhinë, ku dalëngadalë filloi të përgatisë të gjitha ushqimet e familjes. Ishte një punë që, nga njëra anë, kishte të ardhura më të mira, dhe nga ana tjetër e bëri atë më të kërkuar. Për shtatë vitet e ardhshme, ajo vazhdoi të punonte si kuzhiniere në familje të ndryshme, duke ndryshuar gjithsej shtatë shtëpi. Nga viti 1900 deri në 1907, pjesa dërrmuese e punëdhënësve të saj u sëmurën. Gjithsej 22 njerëz u prekën nga ethet e tifoide, ndërkohë që një vajzë e vogël vdiq. Këto raste ishin jashtëzakonisht të dyshimta pasi ato ndodhën në disa prej zonave më të pasura të New York-ut. Deri atëherë, ethet e tifos konsideroheshin si sëmundje e të varfërve. Ajo transmetohej kryesisht përmes ujit të kontaminuar në vende dhe rajone me mungesë uji. SHBA ende nuk ishte përballur me sëmundjen në fjalë…

Për shtatë vjet askush nuk kishte dyshuar për Marien.Vajza dukej krejtësisht e shëndetshme dhe nuk kishte shfaqur asnjë simptomë shqetësuese. Përveç kësaj, ajo ndryshonte rregullisht shtëpi. Në vitin 1906, Maria u vu për herë të parë nën vëzhgim të rreptë. Një nga punëdhënësit e saj të fundit kishte punësuar një specialist, Xhorxh Soperin, për të hetuar se çfarë kishte shkaktuar përhapjen e papritur të etheve tifoide në periferinë e Oster Bay-it. Shumë shpejt Soperi zbuloi se të gjitha familjet e prekura nga sëmundja ndanin një element të përbashkët: Një kuzhiniere irlandeze me emrin Maria, e cila kishte kaluar nga kuzhinat e tyre. Ky zbulim çoi në marrjen përsipër të çështjes dhe kërkimin e gjurmëve të Marisë.

Me ndihmën e oficerëve të policisë, Maria u transportua me forcë në spital ku dhe iu nënshtrua një ekzaminimi të hollësishëm. Rezultatet konfirmuan teorinë e Soperit. Organizmi  i irlandezes qe infektuar nga bakteri i salmonelës, i cili besohet të jetë përgjegjës për ethet tifoide. Ajo që u bëri përshtypje mjekëve ishte se vajza po thoshte të vërtetën. Në fakt, trupi i saj nuk kishte simptoma serioze të sëmundjes, nivelet e energjisë së saj ishin të larta dhe trupi dukej mjaft rezistent. Ishte një nga rastet e para të “mbartësve të heshtur” që ishin regjistruar ndonjëherë. Pavarësisht se dukej e shëndetshme, mjekët menduan se e reja duhej të karantinohej. Menjëherë e dërguan në një klinikë speciale në North Brader Island, jashtë Manhattan. Ndërkohë, që në Nju Jork rastet e personave të prekur nga ethet tifoide po bënin kërdinë./albstroka.com

vijon…

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top