You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » Teknika jo-kirurgjikale per buzë joshëse

Teknika jo-kirurgjikale per buzë joshëse

Nga Lorena Stroka

Bukuria si një ndër armët më të fuqishme të njeriut vazhdon të mbizotërojë pothuajse në çdo fushë të jetës së tij. Është padyshim e vetmja gjë që nuk kërkon ASNJË vërtetim… Le të jemi të sinqertë, bukuria është gjëja e parë që shikojmë te dikush. Sado botë të pasur shpirtërore që të ketë dikush, nëse ajo shoqërohet nga një paraqitje mediokre, për të mos thënë e shëmtuar, automatikisht “zbehet”. Siç është e natyrshme, të gjithë njerëzit e bukur (dhe jo) e dinë mirë se vitet do të bëjnë punën e tyre, dhe se rinia e përhershme është e pamundur. Megjithatë, ata mundohen që të kenë raport sa më të mirë me atë. Për ta arritur këtë, mundohen ta ruajnë me çdo kusht, pse jo të rregullojnë dhe defekte të mundshme. Jam e mendimit se akoma dhe njeriu më i bukur në botë, e ka një defekt, prandaj nuk keni pse të ndiheni keq, sot, ka shumë mënyra për t’i rregulluar ato, mjafton të keni para e të zgjidhni specialistin e duhur për të shmangur deformimet që mund të rezultojnë nga zgjedhjet e gabuara. Operacionet plastike kanë “pushtuar” mendjet e femrave të cilat nuk ndihen të kënaqura me aparencën e tyre të jashtme. Në këtë pikë, dua të theksoj se bisturia duhet të jetë zgjedhja e fundit për një grua.  Ka shumë metoda alternative që në qoftë se kryhen nga specialistë mund të bëjnë akoma dhe “mrekullira”. E rëndësishmja nuk është të bëhen të gjitha njëlloj, bionde, sy bojëqielli, me buzë të trasha dhe super gjoks të silikonuar. Çdo femër ka bukurinë e saj… secila prej tyre është unike… Pra, duhet të përmirësojnë tiparet e tyre, jo t’i tjetërsojnë ato… Sipas statistikave më të fundit, vëmendja e femrave përqëndrohet te ndryshimi i buzëve dhe zmadhimi i gjoksit. Personalisht, jam pro rregullimeve estetike me metoda alternative dhe kundër çdo ndërhyrjeje me bisturi…

Në fund të viteve 90-të përhapja e kirurgjisë plastike në mbarë botën zgjoi dëshirën e mijëra grave për perfektësimin e imazhit të tyre të jashtëm. Lëndët biokompatible filluan të përdoreshin gjithnjë e më shumë nga kirurgët plastikë për të rritur trashësinë e buzëve dhe formën e tyre. Midis materialeve bënin pjesë yndyrnat dhe inde të tjera të të njëjtit person.

Teknika jo-kirurgjikale i referohet këtyre materialeve dhe i gjithë procesi kryhet në mjedise ambulatore me bashkëpunimin e vetë gruas dhe praninë e një pasqyre specifike, e cila e ndihmon në monitorimin e çdo faze ndryshimi. Procesi kryhet me krem anestezik ose me anestezi lokale. Pacientja nuk ndjen asnjë dhimbje kur qëllimi është rregullimi dhe jo ekzagjerimi.

Materialet më të zakonshme që përdoren nga kirurgët plastikë janë të bazuara kryesisht në acidin hyaluronik, ose materiale të tjera që ndryshojnë sipas jetëgjatësisë së tyre dhe ruajtjes së efektit pas injektimit.

Ja disa prej materialeve injektuese:

Autologen

Është një material injektues marrë nga lëkura e pacientes. Nuk ka rreziqe për këtë material, efekti i tij është i përkohshëm, pasi trupi e absorbon (përthith) shpejt. Gjithashtu, kostoja e përpunimit është mjaft e lartë.

Alloderm

Bëhet fjalë për material kufomash që pas një përpunimi të veçantë përdoret si shirit i trashë buzësh. Kryhet me anestezi lokale dhe vendoset në konturin dhe brendësinë e buzëve për të shtuar trashësinë e tyre.

Radiance

Është një produkt sintetik laboratorik. Studimet tregojnë se zgjat 3 – 5 vjet. Disa kërkues të tjerë në një studim të materialit vërenë se  në 90 pacientë 59% e tyre ndjeu dhembje gjatë injektimit për 3-5 minuta.

Gore-Tex

Në mjekësi njihet si EPTFE dhe në treg qarkullon si Advanta, Ultrasoft, Softform. Mjekëve kirurgë u jepet në formë shiritash. Kërkon anestezi lokale për vendosje.

Restylane

Është acidi jo-shtazor hyaluronik dhe është shumë i ngjashëm me acidin hyaluronik të trupit të njeriut. Sipas Korporatës Amerikane të Kirurgjisë Plastike, në vitin 2006, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u realizuan 778.000 injeksione Restylan. Materiali në fjalë, ka një jetëgjatësi prej gjashtë muajsh e ndoshta më shumë.

Juvederm – Revanesse

Ndërtimi i Juvederm – Revanesse është i ngjashëm me Restylane por shumë kirurgë referojnë se ky material është më i butë gjatë injektimit.

Artecoll

Artecoll dhe Artefil nuk përdoren më për shkak të skuqjeve që shkaktonin nga mikrosferida që përmbanin.

Materiale nga vetë trupi i pacientit

Heqja e yndyrës

Procesi bazohet në heqjen e yndyrës me teknikën micro-liposuction dhe pas një përpunimi të shkurtër injektohet në buzë. Teknika kryhet me anestezi lokale, jetëgjatësia e efektit varion nga personi në person, megjithatë, pjesa më e madhe qëndron për rreth një vit.

Fascia

Fascia është shtresa e bardhë e indeve që investon muskujt. Zakonisht merret përmes një prerje të vogël me anestezi lokale. Bëhet fjalë për ind që mund të zgjasë kohë. Pas një viti absorbohet (përthithet)./AlbStroka.com/

© Ndalohet ribotimi i shkrimit pa autorizimin e autores.

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top