Një histori magjike!
Shkëputur nga libri: “Mite dhe legjenda popujsh: Kinë”
Përktheu: Lorena Stroka
Në shek. III një princ nga pjesët veriore të Kinës po përgatitej për t’u kurorëzuar Perandor i vendit. Por para se të kurorëzohej, princit i duhej t’i bindej ligjit të mëposhtëm: Duhej të ishte i martuar!
Vendosi të organizonte një konkurs midis vajzave të oborrit, për të gjetur se cila prej tyre do ia vlente të bëhej bashkëshortja e tij. Të nesërmen, princi njoftoi se do të pranonte të gjitha vajzat në oborr në një ceremoni të veçantë, dhe se disi kështu do të çelte konkursi.
Një punonjëse e moshuar e oborrit kur dëgjoi fjalët e princit rreth ceremonisë që do të organizohej në mjediset e pallatit, u mërzit shumë. E dinte që vajza e saj ushqente një dashuri të thellë për princin. Kur mbërriti në shtëpi ia shtjelloi me hollësi të gjitha ato që kishte dëgjuar. Por fjalët e së bijës:
– “Në atë ceremoni do të jem e pranishme edhe unë”, e çuditën krejtësisht.
– “Bija ime ç’shkon të bësh? Në oborr ka shumë të tjera me pasuri e bukuri. Hiqe nga mendja këtë marrëzi. Më thuaj mos je çmendur gjë?“
Dhe vajza iu përgjigj:
– “Jo, nënë e dashur, nuk u çmenda! E di që kurrë nuk do të më zgjedhin, por të paktën kështu do të kem mundësinë të qëndroj qoftë edhe për disa çaste pranë princit, dhe kjo më mjafton.”
Kishte rënë nata kur vajza mbërriti në pallat. Të gjitha vajzat e oborrit ishin aty, të veshura me fustane të bukura, të qëndisura me merak dhe bizhuteri të çmuara. Në fund, vetë princi anonçoi çeljen e konkursit:
– “Secilës prej jush do t’i jap nga një farë. Ajo që do të më sjellë pas gjashtë muajsh një lule të bukur, do të bëhet bashkëshortja ime dhe perandorja e ardhshme e Kinës…” (vijimi në libër).
P.S: Nga që historia është disi e gjatë dhe shumë prej jush ndoshta nuk e keni lexuar librin, dua t’ju them se në fund triumfon sinqeriteti dhe jo rezultati i shumëpritur… (S’më lejohet t’ju rrëfej më shumë).
© Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.