You Are Here: Home » Gnomonologji » Natën e mirë, BOTË…

Natën e mirë, BOTË…

© Lorena Stroka

Sonte mendimet nuk duan të shprehen. Ikin e rendin larg kursorit, mirëpo s’e di se ç’gjë magjike ndodh dhe ato nisin të rradhiten njëra pas tjetrës.

Kur zemërohem nga sjelljet banale të njerëzve ose kur mbizotërohem nga shqetësimet, fryj e shfryj disa herë për të larguar tensionin. Në ato çaste kam nevojë të dal një xhiro me makinë, të kundroj detin e pafund, dhe nëse rastis të jetë ndonjë natë me hënë përhumbem detit duke vështruar monopatin e dritshëm që krijon hëna në ujrat e kripura, pastaj lë mendimin të ecë mbi të dhe të braktisë atje çdo gjë që më torturon.

Shikoj gjithmonë horizontin e ndriçuar nga dritat e anijeve… Bashkë me to nis udhëtimin e të menduarit… një udhëtim imagjinar që ndërpritet papritur nga kthesat e makinës, disi kështu rikthehem në realitetin tim… kaq e kishin dhe ëndrrat… Pastaj përballem përsëri me hënën, vështrojmë njëra-tjetrën në sy, por nuk flasim. Ç’të më thotë edhe ajo, për disa gjëra është më mirë të heshtësh./AlbStroka.com/

Natën e mirë, BOTË…

© www.AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top