You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » MREKULLITË E VODKËS PËR FLOKËT TUAJ!

MREKULLITË E VODKËS PËR FLOKËT TUAJ!

keshilla-nga-lorena-stroka-wikipedia-biografia-gazetare-albstroka-blog-receta-bukurie© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Më kujtohet si tani që kur isha ende nxënëse, dhe vinte mami në shkollë për të marrë notat e fund-semestrit, gjithmonë ndieja njëfarë sikleti, sepse e dija që me të kapërcyer derën kryesore, do të fillonte t’i tregonte notat tek të gjithë të njohurit tanë (zakon tipik i shumë nënave shqiptare)! Sinqerisht, qe diçka që nuk më pëlqente aspak. Të lutem, i thoshja, mos u mburr lart e poshtë se mua më vjen turp nga shoqet e shokët e klasës, do të më përgojojnë! Po nuk është mburrje, më thoshte, është gëzim që dua ta ndaj.

Unë s’do ta bëj kurrë këtë me fëmijët e mi, mendoja atëherë. Po mirë, më thoshte mami, bëhu njëherë nënë ti, e pastaj flasim bashkë për të tjerat… Dhe në fakt kishte shumë të drejtë, kurrë mos thuaj kurrë, sepse bota qenka me rrota. Ja ku erdhi dita, që edhe unë po bëj të njëjtën gjë me atë sot.

Me pak fjalë, nuk qenka turp, as mburrje të flasësh për fëmijët e tu, të gëzohesh për arritjet e tyre, e mbi të gjitha të ropatesh për t’i parë mijëra herë më lart se veten tënde. Por që të bëhen të gjitha këto, nevojitet shumë dashuri, organizim, përkushtim, durim, pa harruar më kryesoren, përpjekjet e pandërprera të të dyja palëve, të prindërve dhe fëmijëve. Asgjë e mirë nuk vjen pa lodhje!

Siç e kuptoni dhe vetë, kjo ka qenë dhe arsyeja e shkëputjeve të mia të herëpashershme nga të shkruarit. Detyrimet prindërore në pikëpamje të edukimit e arsimimit, ishin tepër të rëndësishme për t’i anashkaluar, apo shtyrë për më vonë. Prandaj zgjodha, të mbeten unë pak mbrapa, për të ecur ata përpara. Tani, që gjithçka ka marrë rrugën e përparimit, unë ndihem më e qetë për ardhmërinë e tyre, si dhe më e ngeshme për të vazhduar pasionin tim, të shkruarit…

Jo, jo mos kini frikë, nuk do të zgjatem më tej, sepse e di që disa prej jush kanë filluar të thonë me vete: “Ehu, ç’na lodhi kokën dhe kjo tani!”

Sa për ju që i keni dobësi flokët e shëndetshëm e të gjatë hidhini një sy recetave të mëposhtme:

Në qoftë se nuk e keni provuar, me siguri të gjithë e keni dëgjuar! Vodka, kjo pije alkoolike e njohur që nga vitet mesjetare nuk është e preferuar veç për konsumim, por edhe për kurim e zbukurim. Më poshtë po ju citoj tri mënyra praktike për ta përdorur atë në shërbim të bukurisë suaj.

PËR FLOKË ME SHKËLQIM

Dëshironi një trajtim të menjëhershëm për rikthimin e shkëlqimit të flokëve tuaj? Zgjidhja është vetëm një: Vodkë! Në një tas mesatar përzieni së bashku 1 vezë, 1-2 lugë mjaltë, 1 lugë majonezë dhe 10 ml vodkë. Në vazhdim, aplikojeni në flokët tuaj për rreth 20 minuta. Mandej lahuni me ujë të vakët e shampo të butë. Që pas përdorimit të parë do të vëreni ndryshim. Vodka ndihmon në mbushjen e fijeve të flokut, si dhe zvogëlon ndjeshëm nivelin e pH të flokëve.

Tani, nëse ndonjëri/ra prej jush e ka bezdi përgatitjen e maskës, ekziston edhe një mënyrë tjetër përdorimi. Në ujin që përdorni për shpëlarjen e flokëve shtoni 10-15 ml vodkë.

PËR RRITJE FLOKËSH

Vodka favorizon rritjen e shpejtë të flokëve, pasi heq çdo papastërti të grumbulluar në fije. Në 60 ml shampo shtoni 10 ml vodkë, përziejini mirë së bashku dhe pastaj lahuni me të. Për efekt sa më të mirë përsëriteni dy herë një javë.

KUNDËR RËNIES SË FLOKËVE

Sa i përket rënies së flokëve, vodka është një “ilaç” mjaft efikas në kushte shtëpie, nëse përdoret rregullisht.

Në një enë ta pastër përzieni mirë së bashku 2 lugë çaji mjaltë, 2 lugë çaji lëng qepe dhe 5 lugë çaji vodkë. Në vazhdim, përhapeni në rrënjët e flokëve, duke e masazhuar butësisht. Lereni të veprojë përgjatë gjithë natës dhe në mëngjes lahuni me shampo të butë. Për rezultate më të mira, provoni këtë trajtim çdo natë (për pak jave)./albstroka.com/

*Ndalohet kopjimi/ribotimi i shkrimit pa autorizimin e autores.

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top