You Are Here: Home » Mjekësi » Mjekët e pandërgjegjshëm dhe pacientët e pafajshëm!

Mjekët e pandërgjegjshëm dhe pacientët e pafajshëm!

Nga Lorena Stroka

Ngjarjet e mëposhtme tronditëse tregojnë më së miri se mbi tryezën operative një gabim mjekësor mund të rezultojë fatal sa për jetën e pacientit po aq edhe për cilësinë e jetës së mëvonshme që do të ketë. Pavarësisht se gabimet janë njerëzore – siç themi gjithmonë – për mjekët janë të palejueshme pasi mund të kushtojnë jetë njerëzish. Në historinë e shkencës mjekësore janë regjistruar raste të panumërta neglizhence dhe indiference nga ana e mjekëve, megjithatë pesë të mëposhtmet janë padyshim më të pabesueshmet.

1. Klinika përdori spermë të gabuar…

Znj. Nancy Andrews nga New York përpiqej për vite me rradhë së bashku me bashkëshortin e saj që të bënin fëmijë. Pas një serë tentativash të dështuara (IVF), më në fund arritën të dëgjonin nga goja e mjekëve lajmin e shumëpritur. Shtatzënia e Nancy shkonte shumë mirë dhe çifti priste me padurim të shtrëngonte në gjirin e vet  fëmijën e tij të parë. Por, kur gruaja solli në jetë foshnjen, të gjithë kuptuan gabimin e bërë. Fëmija ishte më shumë i errët nga ç’e prisnin, për këtë arsye, realizuan disa teste ADN për të zbuluar nëse mjeku në klinikë kishte ngatërruar spermatozoidet, duke përdorur spermën e gabuar të një burri tjetër për të fekonduar vezët e Nancy.


2. Një diagnozë e gabuar i kushtoi një… testikul.

Të gjitha nisën kur veterani i Forcave Ajrore, Benjamin Houghton (47 vjeç), ndjeu dhembje në testikulin e tij të majtë, ndërkohë që vizita e tij në spitalin West Los Angeles VA Medical Center do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë. Mjekët të cilët e ekzaminuan vendosën t’i hiqnin testikulin e majtë për shkak tumori. Dhe kështu ndodhi… mirëpo analizat që pasuan treguan se Houghton nuk vuante kurrë nga kanceri. Gabimi tashmë ishte bërë, dhe pacienti ishte gjymtuar. Më pas mjekët dhe pacienti u ndeshën në sallat e gjykatave. Dëmshpërmblimi arrinte shumën e 200.000 dollarëve.


3. Transplantimi i zemrës ishte i suksesshëm por pacientja vdiq!

Ishte vetëm 17 vjeçe kur problemi i zemrës së saj u përkeqësua. Meksikania Jesica Santillan erdhi së bashku me familjen e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të gjetur kurim të përshtatshëm. Pas shumë vizitave të realizuara nëpër spitale, mjekët e informuan se duhej t’i nënshtrohej procesit të transplantimit, pasi ishte e vetmja mënyrë për të shpëtuar. Zemra u gjet dhe transplanti u krye suksesshëm. Për fat të keq, Jesica vdiq dy javë më vonë sepse mjekët kishin harruar të kontrollonin pajtueshmërinë e zemrës së donatorit me vajzën e re.


4. Një vrimë në kafkë u bë në vendin e gabuar…

Një grua 87 vjeçare u dërgua menjëherë në spital me hemoragji cerebrale. Duhej të hynte patjetër në sallën e operacionit për t’u trajtuar problemi i saj. Zgjidhja ishte që mjeku të shponte anën e majtë që kishte gjakderdhje. Në vend të kësaj, neurokirurgu, hapi një vrimë në krahun e djathtë të kokës. Sapo kuptoi gabimin e tij, krejt i qetë, mbylli vrimën e gabuar, dhe filloi të shponte anën e majtë. Fatmirësisht, edhe pse me dy vrima në kokë, gruaja e moshuar arriti të jetonte dhe ca më shumë.


5. I prenë këmbën e gabuar…

52 vjeçari Willie King duhej t’i nënshtrohej procesit të vështirë të prerjes së këmbës së tij, për shkak të një sëmundjeje të rëndë që i kishte shkaktuar dëmtime të pariparueshme. Operacioni filloi dhe gjithçka shkonte shkëlqyeshëm deri në çastin kur mjekët kuptuan se kishin prerë këmbën e gabuar. Si rezultat i kësaj, King, humbi që të dyja këmbët, ndërkohë që çështja natyrisht arriti deri në gjykata. Burri i pafat arriti të merrte si dëmshpërblim shumën e 900.000 dollarëve, edhe pse për torturën mendore nuk u kompensua kurrë./AlbStroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top