You Are Here: Home » MITOLOGJI » Greke » MITOLOGJIA, FILOZOFËT DHE POETËT E LASHTË GREKË – Lorena Stroka

MITOLOGJIA, FILOZOFËT DHE POETËT E LASHTË GREKË – Lorena Stroka

Parathënie

Libri “MITOLOGJIA, FILOZOFËT DHE POETËT E LASHTË GREKË (I)” është një botim me karakter filozofiko-letrar, që i shtohet bibliotekës së nxënësve dhe studentëve shqiptarë që dëshirojnë të thellojnë njohuritë e tyre në kulturën e lashtë Greke.
Ai është ndërtuar mbi bazën e kërkesave bashkëkohore. Libri është i ndarë në tri pjesë, në të parën, shpalosen këndshëm disa nga legjendat më të bukura dhe episodike të ndodhura gjatë lashtësisë. Në pjesën e dytë, renditet jeta dhe vepra e 26 filozofëve të lashtë Greke, ndërsa në të fundit, shtjellohet në mënyrë të detajuar veprimtaria letrare e 8 poetëve më të njohur të antikitetit. Gjatë këtyre tri njësive, ka pjesë interesante të përkthyera si, “Ifigjenia në Tauris” dhe ” Apologjia e Sokratit”. Dikur, e kisha këshilluar Lorenën që të angazhohej me përpilimin e librave studimorë, pasi aty vëreja pulsimin e talentit të saj. Kur para disa muajsh, më informoi lidhur me idenë e librit që “bluante” në mendje, i thashë se ishte zgjedhja më e mirë që mund të bënte, dhe realisht nuk u përgënjeshtrova, këtë e vërtetova kur mora përsipër redaktimin e librit të saj. Pavarësisht se është shumë e re në moshë, Lorena, ka arritur të ndërthurë në mënyrë metodike një vepër shumë të rëndësishme si nga përmbajtja, po ashtu edhe nga estetika e fjalës, të cilën është vështirë të guxojnë ta shkruajnë akoma dhe shkrimtarë me përvojë në lëmin e letërsisë.

Dr. Iaonnis Papadopoulos

Autori: Lorena Stroka
Titulli: MITOLOGJIA, FILOZOFËT DHE POETËT E LASHTË GREKË (I)
Botimet: Xartino Karavi
Lloji: Filozofi – Letërsi
Faqe: 212
Pjesë të shkëputura nga libri:

… Ledës, i pëlqente të ecte ngadalë duke kundruar flakët e agimit, në atë tokë të bekuar. I pëlqente të shtrihej mbi dyshekun e butë, trup i denjë për të frymëzuar artin e Fidesë dhe Praksitelit. Hiret e saj të magjishme pas zhytjes në valën e kristaltë, shkëlqenin si yje. Velloja e lehtë dhe e hollë, të linte të përfytyroje përsosmërinë e lakuriqësisë verbuese. Pamja e saj tërheqëse ishte aq mahnitëse sa që nuk la pa magnetizuar akoma dhe vështrimin e kryezotit. Por në ç’mënyrë të shfaqej, në aq vetmi, për të mos tronditur mbretëreshën e qetë? Jashtë madhështisë së mjellmave që rrëshqisnin mbi ujë si anije të fildishta të shtyra nga flladet e lehta, Leda nuk shihte asgjë tjetër. Po sikur Zeusi të shndërrohej në një nga ata zogjtë lozonjarë që fluturonin mbi të bukurën, Ledë? Pse të mos ta provonte? Se mos ishte hera e parë që do bënte një gjë të tillë?… (vijon).

… Midis mëkatarëve më të mëdhenj, më i njohuri i të gjithëve ishte Tantali, për shkak të ndëshkimit karakteristik që i’u imponua. Mbreti i Lidisë, pranoi vizitën e zotava, dhe u shtroi një gosti të mrekullueshme. Për të kontrolluar rreptësinë e fuqisë hyjnore, i shkrepi një ide e çuditshme: Në mesin e gostisë, shërbeu mish njeriu. Mëse i habitur nga kjo lëvizje e sëmurë, por dhe i fyer si Zot Suprem, Zeusi,  vendosi ta ndëshkonte me uri dhe etje të përjetshme. Hermesi, mori përsipër ekzekutimin e dënimit. Lajmsjellësi qiellor, e lidhi Tantalin me zinxhirë në krah të një burimi, të ftohtë e të kulluar, nën pemë të mbushura me fruta të pjekura. Sapo bënte para të pinte, uji largohej. Sapo ngrinte dorën të këpuste një frut, degët ngjiteshin lart. Dëshira e tij e parealizuar, u bë sinonim i torturës së frikshme: “Tortura e Tantalit”… (vijon).

Pjesë nga bashkëbisedimi i Ifigjenias dhe Orestit:

Oresti
Gjithçka the, tingëllonte bukur, përveç një gjëje. Kjo therrje është lënduese dhe e padurueshme për mua. Anijen e fatkeqësisë e kam ngarkuar unë. Ai veç bashkëudhëton me mua si ndihmës. Nuk është e drejtë që përmes flijimit të tij, unë të gëzoj e t’i rrëshqas së keqes. Po le të bëhet ndryshe. Letra që më dhe për në Argos, do të dorëzohet dhe çdo gjë tjetër që të më kërkosh, do ta bëj. Mua lermë të më vrasë kush të dojë. Veç të përgjërohem, mos më detyro të hedh në zjarr miqtë e mi, për të shpëtuar lëkurën time. Jeta e një miku të tillë, nuk vlen më pak se e imja.
Ifigjenia
Oh, sa shpirt fisnik! Mik i rrallë e i përsosur. Dashtë Zoti që vëllai im i mbetur pas, të të ngjajë, se dhe unë kam vëlla, o i huaj, më janë tharë sytë pa e parë.
Eh, le të bëhen gjërat kështu siç do ti.
Oresti
Ç’sakrificë e tmerrshme, kush do ta marrë përsipër?
Ifigjenia
Unë, në këtë mënyrë e shlyej… (vijon).

Botime të tjera të autores:

lorena-stroka-mitologjia-filozofet-dhe-poetet-e-lashte-greke-Ilorena-stroka-booklorena_stroka_wikipedia_biography_books1lorena_stroka_biography_wikipedia_books_librat

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top