You Are Here: Home » Të ndryshme » Uncategorized » MBRETËRESHA DHE… KATËR BASHKËSHORTËT E SAJ!

MBRETËRESHA DHE… KATËR BASHKËSHORTËT E SAJ!

Përktheu: Lorena Stroka

Njëherë e një kohë, ishte një mbretëreshë që kishte katër bashkëshortë.

Pika e saj e dobët ishte i katërti. E stoliste me rroba të shtrenjta, bizhuteri të çmuara, parfume të këndshme dhe e trajtonte me shumë dashuri dhe ëmbëlsi. Bashkëshorti i tretë ishte i pashëm dhe arrogant, i pëlqente vetja shumë, por pavarësisht kësaj ajo e donte dhe nuk nguronte ta prezantonte te miqtë e saj. Gjithsesi, gjithmonë kishte frikë se një ditë mund ta braktiste për ndonjë grua tjetër! I dyti ishte njeri i sjellshëm dhe i durueshëm me të. Sa herë që ajo përballej me një problem, e dinte se mund të mbështetej tek ai, dhe se do ta ndihmonte të gjente zgjidhjen e duhur. I pari, megjithëse ishte besnik dhe gjithmonë pranë saj, ajo nuk i kushtonte vëmendje, e linte pas dore, e tallte dhe e largonte… Një ditë, kur mbretëresha u sëmurë rëndë dhe e dinte se do të vdiste, vendosi të thërriste pranë vetes katër bashkëshortët e saj.

 Si fillim, pyeti të katërtin, i cili ishte dobësia e saj më e madhe:

-“Të kam dashur më shumë se gjithë të tjerët, të kam trajtuar si askënd më parë. Çfarë ke dashur, ta kam dhënë, prandaj tani që po vdes, dua të më shoqërosh aty ku do shkoj!

-“ Në asnjë mënyrë. Ti në rrugën tënde, unë në timen”, iu përgjigj prerë ai duke e përqafuar për të fundit herë.  Fjalët e tij ia bënë zemrën copë…

Në vijim, pyeti të tretin:

– “Gjithmonë të kam dashur, respektuar e mbajtur pranë. Tani që po vdes, a do të më ndjekësh deri në vdekje?”

-“Jo, sigurisht,” u përgjigj ai. “Jeta është shumë e mirë për ta lënë përgjysmë. Përkundrazi kur të vdesësh, kam ndërmend të martohem sërish.” Mbretëresha ndjeu se po i merrej fryma, nga ato që po dëgjonte!

Më pas, ajo pyeti bashkëshortin e dytë:

 -“Sa herë që kam pasur nevojë për ty, ti më je gjendur. Kur të vdes, a do të më ndjekësh për të më bërë shoqëri?”.

– “Më fal, por tani nuk të ndihmoj dot më. E vetmja gjë që mund të bëj është të të shoqëroj deri në varreza”, iu përgjigj ftohtë duke i shtuar dhimbjen edhe më shumë.

Në fund, u dëgjua një zë:

-“Unë, mbretëresha ime, do të vij me ty! Do të të ndjek kudo që të shkosh!” Mbretëresha u kthye për të parë se nga vinte zëri dhe pa bashkëshortin e saj të parë. Ai dukej shumë i lodhur dhe i lënë pas dore. Atëherë mbretëresha mërmëriti – “Oh, çfarë gabimi paskam bërë, e gjora, duhej të të kisha kushtuar më shumë vëmendje kur kisha mundësi!”, e gjithë ngashërim dha shpirt! Tashmë ishte tepër vonë.

Këtu mbaron përralla dhe fillon realiteti. (vijon…)

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top