You Are Here: Home » Të ndryshme » Uncategorized » LUMTURIA ËSHTË ÇËSHTJE KËNDVËSHTRIMI

LUMTURIA ËSHTË ÇËSHTJE KËNDVËSHTRIMI

lorena-stroka-lumturia-gazetare-wikipedia-biografia-gazeta-albstroka-books-facebook-instagramNga Lorena Stroka

Nëqoftë se lumturia do të ishte e njëtrajtshme, me siguri do të humbiste dhe vlerën e vet! S’do mend që lumturia është çështje këndvështrimi dhe diçka krejt relative. Mos bëni gabim të besoni se ajo që për ju përbën lumturi qëndron për të gjithë! Gjithkush e koncepton lumturinë sipas mënyrës së vet, kjo është dhe arsyeja që rruga drejt saj është gjithnjë e ndryshme për secilin prej nesh. Ja hidhni një sy përreth e shikoni sesa njerëz të cilët në sytë tuaj mund të duken të palumtur, të marrë, të shfrenuar, vijojnë të jetojnë të kënaqur në mënyrën e tyre! Të jetuarit ndryshe, jep efekte të ndryshme! Gjithsesi nuk është keq që hera herës t’i kujtojmë vetes se disa korrigjime të vogla sa i përket mënyrës së të menduarit tonë mund të na sjellin një hap më afër lumturisë, ose pse jo të na zbulojnë se ne jemi duke e përjetuar atë, por ende nuk e kemi kuptuar si duhet!

Ecni përpara

E kaluara jonë është ajo që ne zgjedhim të jetë: një sukses i papërsëritshëm (nga i cili gjërat veçse do të përkeqësohen), një liqen mjerimi (në të cilin ende notojmë), një shkollë (në të cilën mësuam dhe u bëmë më të mençur, më të aftë, më të fortë) , një justifikim për atë që nuk arritëm… Çfarëdo që të vendosni, mos u ndalni në të, sepse ajo që ndodhi, ndodhi dhe nuk mund të ri-bëhet. E tashmja është gjithçka që kemi, dhe veç përmes zgjedhjeve të së tanishmes mund të ndikojmë ardhmërinë tonë.

Ndërmerrni vendime në bazë të vlerave tuaja

Gabimi më i shpeshtë që zakonisht të gjithë bëjmë është ndërmarrja e vendimeve bazuar në nevojat dhe dëshirat tona. Pse është e gabuar kjo? Sepse të dyja ndryshojnë vazhdimisht. Një nevojë që plotësohet, menjëherë zëvendësohet nga një nevojë e re. Diçka që duam sot mund të na duket e pamjaftueshme nesër. Vetëm vlerat tona janë ato që zgjasin përgjithmonë dhe që mund të na japin një ndjenjë të vërtetë arritjeje dhe gëzimi…

Ndaloni së ankuari

Të paktën jo shpesh! Vendosni që një ditë në javë (si fillim) të mos ankoheni për askënd dhe asgjë, as për të tjerët dhe as për veten tuaj. Ky është një detoks shpirtëror që mund të ndryshojë jetën tuaj.

Shijoni atë që keni. Mos lakmoni gjënë e tjetrit!

Është bukur të duash të evoluosh në të gjitha nivelet – shpirtërore, mendore, profesionale, materiale. Por mos harroni se vetëm dëshira nuk mjafton, mënyra më e mirë për ta arritur këtë është pasja e kthjelltësisë mendore dhe puna pa ndërprerje, pa këto nuk shkohet as deri te shtegu i kundrimit, e jo me te realizimi! Jini mirënjohës për gjithçka që keni arritur deri më sot, sado të vogla qofshin ato në dukje, sepse siç thotë edhe populli: Gur gur ngrihet kalaja!/albstroka.com

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top