LUMTURIA E TRISHTË E LIBERALIZIMIT TË VIZAVE
Nga Artan Mullaj
Qeveria shqiptare është në një gjëndje epshi histerik. Duket se orgazma e suksesit do të shpërthejë seksualisht rrëke nga mbajtja e premtimit për liberalizimin e vizave, por ngazëllimi i pushtetit nuk ka të bëjë thjesht vetëm me këtë. Lumturia e pafshehur e pushtetit vjen nga befasia që administratorët e shtetit privat, ndryshe nga ç’besohej edhe nga ata vetë, janë gati të përballojnë vrasjen kolektive të ndërgjegjies së tyre, për të zezat që i kanë shkaktuar këtij vendi; administratorët në pushtet janë gati të jenë krenarë gjithashtu me këtë ngjarje që është po aq e madhe për shqiptarët, sa është edhe historia e tyre: shumë shpejt, liria e mundësisë për të lëvizur të lirë në mundësinë e re dhe në ëndrrën e vjetër, që quhet Europë, nuk do të jetë më ëndërr për ta, por realitet.
Ashtu si Aleksandri i madh i bëmave të dikurshme, që guxonte dhe gëzonte fitoret mbi mallkimin e shkatërrimeve që linte pas, gjeneralët e rinj shqiptarë të pushtetit janë gati edhe ata të jenë pranë një çasti të tillë dhe të brishtë lumturie: për shkak të prekjes kolektive të lirisë së premtuar, pikërisht pas robërisë së dilemave sa një mal që ata kanë shkaktuar në këtë vend, (korrupsionin), ata i ka rrëmbyer krenaria e heronjve të vjetër; por duket se liria e premtuar shtetasve tanë do të ketë një çmim të vështirë. Ky çmim është haresa: “Njerëz, vërtet ju vodhëm dhe ju poshtëruam për shkak se ju na besuat dhe vetë ne besuam se meritojmë të jemi mbretërit tuaj të jetshëm dhe të përjetshëm në këtë vend, por ne sollëm edhe për ju horizontin e largët në retinat tuaja, lëvizjen e lirë, që ngjan me lirinë. Ne do të mbretërojmë por ju do të prekni magjinë e perëndimit, si ju kemi premtuar. Prandaj, fshini me sfyngjer të shkuarën tuaj dhe jetoni me mundësinë e re që ne për ju e krijuam”.
Ëndrra e lirisë së shqiptarëve duket e trembur. Megjithë ndjeshmërinë që qeveria kërkon të etiketojë në vëmendjen publike, lëvizja e lirë ka gjasa mos ngjajë si një dhuratë pushteti, as si dhuratë perëndie, as si liri, sikundër tentohet sot me kujdes. Dita shumë e vonuar e lëvizjes së lirë për shqiptarët e thjeshtë, mund të mos jetë ajo që pritet, me porta ylberi dhe ngjyrë ndryshuar të qiellit dhe me gjëmime ekstazazh. Nëpër portat e ylberit të liberalizimit të vizave, matanë së cilës perëndimi serviret si një magji, me sa duket, nuk do të kalojnë njerëz të qetë që sapo kanë fituar gjyqin me kohën për të lëvizur të lirë, por njerëz të shqetësuar, të mjerë dhe të papunë, që sapo do të humbin të drejtën për të jetuar të lirë në vendin e tyre. Sepse nuk mund të jesh i lirë të jetosh nëse nuk ke mundësi të jetosh për shkak se jetesa afrohet si liri e kushtëzuar nga mundësi që nuk afrohen në vendin tënd… Ikja matanë, nuk do të jetë vazhdim llogjik i lirisë së merituar, por braktisje e beftë e robërisë së imponuar dhe varfërisë ekstreme, të shnderruar në simbol të mjerimit. Ku do të shkojnë këta njerëz, me pasaporta biometrike të sigurisë së lartë në dorë? Një million turistë shqiptarë nëpër Europë, me xhepat shkundur, që kanë qënë për shumë kohë të papunë në vendin e tyre?!!! Si romët e përfolur në Europë kohët e fundit, edhe këta do të synojnë të shtojnë papunësinë në vendet e tjera! Prandaj kjo gjë, kjo hipokrizi kombëtare, që shitet si lumturi orgjirash, që fsheh demagogji por edhe pabesi, nuk mund të jetë fitorja më e madhe e popullit shqiptar në pesë shekujt e fundit, si pëllitet sot lart e poshtë në planet. Përkundrazi! Kjo gjë është vaksina e fatalitetit që pushteti po injekton në publik, për të fshirë kujtesën e tij nga historitë e qeverisjes së keqe dhe korrupsionit.
Dita e ylberit të lirisë ka gjasa të sjellë një peisazh të ngjashëm me atë të pas viteve 90. Ndryshimi do të jetë se ndërsa njerëzit atëhere morën arratinë nga malet dhe nga deti, sot do të fluturojnë me aviona dhe do të udhëtojnë në autostrada, që pikërisht për këtë gjë shteti i tyre privat ka ndërtuar. Nëse të ikurit e 90-ës lanë pas muzgun e diktaturës komuniste, të zhdukurit e rinj do të lenë pas burgun e mungesës së shpresës që ka instaluar pushteti i pushtetit. Largimi komod nuk do të jetë ngushellim për ata, sepse mikpritja e perëndimit nuk mund të jetë më aq e brishtë si dikur.