You Are Here: Home » Të ndryshme » Lindja dhe Vdekja!

Lindja dhe Vdekja!

Nga Lorena Stroka

Kam përshtypjen se shumë prej njerëzve që jetojnë në planetin Tokë, ende nuk kanë perceptuar nocionin e ekzistencës së tyre. Njohuritë e tyre mbi Lindjen apo Vdekjen (jo thjesht si proces biologjik), janë më pak se elementare. Mund të shpenzosh orë të tëra duke diskutuar me ata mbi këtë temë dhe prapë së prapë të ndihesh se ende ke mbetur në pikën zero. Pse ndodh kjo? Ndoshta, nga që teoritë që kemi dëgjuar herë pas here na kanë krijuar një konfuzion të pallogaritshëm. Kështu, vështirësohemi të dallojmë ndryshimin midis të mundurës, të pamundurës, të besueshmes, të pabesueshmes, të vërtetës dhe gënjeshtrës. Në këtë pikë, ia vlen të theksohet se kur flasim për Lindjen apo Vdekjen – askush nuk mund të jetë 100% i sigurtë për çka thuhet, pasi kush vdiq dhe u rikthye? Megjithatë, kjo nuk na frenon aspak për të hulumtuar mbi këtë temë. Pse jo për të bërë një kryqëzim idesh/mendimesh/konstatimesh akoma dhe supozimesh. Mendoj se frika për një konkluzion të besueshëm/bindës ka shkaktuar hezitim dhe pasiguri për të prekur një temë tillë. Sidoqoftë, asnjëherë nuk duhen neglizhuar apo lënë në hije këndvështrimet e spiritualve lidhur me ekzistencëne njeriut dhe qëllimin e ardhjes së tij në jetë.  Pra, sipas tyre, jemi NDËRGJEGJE! Të gjithë pra, vijmë në fushën Tokësore si gjurmë e Ndërgjegjes Kozmike. Qëllimi ardhjes sonë këtu është që të kemi sa më shumë përvoja unike. Kështu, për t’i bërë realitet, zgjedhim uterusin, prindërit, mjedisin dhe situatat. I gjithë plani i jetës sonë është i njohur në Vetvete – (pavarësisht se shumë prej nesh mund të mendojnë të kundërtën, që domethënë, asgjë s’përcaktohet nga ne).

Lindja

Pasi kemi zgjedhur Nënën, gjurmët e Ndërgjegjes pushtojnë uterusin. Kur Ndërgjegja hyn në mitrën e nënës, fetusi merr jetë. Trupi fizik formohet në përputhje me Energjinë Kozmike në Trupin Energjik dhe Qëllimin. Ndërgjegja udhëton shpesh herë drejt Burimit deri sa realizohet lindja e parë. Menjëherë, pasi del nga mitra e nënës, merr frymën e parë të jashtme. Ky fakt është i njohur si Lindje.

Jeta

Që nga dita e parë deri në moshën shtatë vjeç të gjithë jemi të vetëdijshëm për Burimin. Mendja fillon të formohet nga mosha shtatë deri në katërmbëdhjetë vjeç. Ndërsa Intelekti zhvillohet nga mosha katërmbëdhjetë deri në njëzetë e një vjeç. Nga mosha njëzetë e një deri në njëzetë e tëtë vjeç njeriu përjeton kombinimin e trupit, mendjes dhe intelektit. Qysh nga mosha 28 vjeç jeta varet ekskluzivisht nga Njohja e Vetvetes.

Në qoftë se dikush nuk ka Njohje të Vetvetes, Ndërgjegja e tij ndodhet midis Trupit dhe Mendjes. Për këtë arsye, krijohet fatkeqësia, palumturia etj. Nuk mund të perceptojë situatat të cilat jeton. Gjërat bëhen kritike për atë. Qëndrimi absolut bllokon rrjedhën Kozmike. Si rezultat i kësaj, vuan nga sëmundjet fizike, ankthi dhe tensioni. E kalon përditshmërinë e vet pa Vetëdije. Nuk është i aftë të kuptojë qëllimin e jetës së tij. Kjo është e ashtëquajtura Vdekje!

Vdekja dhe përtej saj…

Në qoftë se dikush e kalon jetën e vet pa Vetëdije dhe Mirëkuptim, atëherë, kalon nga mosha fëminore në rini, nga rinia në pleqëri dhe pastaj vdesë, ikën, pra, nga fusha Tokësore pa përfunduar qëllimin për të cilin erdhi në Tokë, (mos harroni të gjithë kemi ardhur për një qëllim në këtë botë).

Akoma dhe pas vdekjes, shtresat e një mendjeje të ngurtë, me mungesë mirëkuptimi nuk e lënë Ndërgjegjen të kthehet te Burimi. Për shkak të të kuptuarit të gabuar, krijon Ferrin/Parajsën e vet dhe qëndron në nivelin e ulët të Botës Astrale.

Në qoftë se dikush e nis jetën e vet për të qenë me Vetveten, do të jetë gjithmonë i lumtur, në të gjitha situatat. Akoma edhe pas vdekjes fizike, nuk do të qëndrojë në frekuencat e ulta, do të kthehet te BURIMI.

© Ndalohet ribotimi i shkrimit pa autorizimin e autores.

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top