KUSH ISHTE ISHI?
Nga Lorena Stroka
Deri pak kohë më parë, në tryezat historike mbizotëronte një kaos i vërtet të dhënash. Askush nuk ishte në gjendje të citonte me saktësi shifrën reale të Indianëve që banonin në Amerikën e Veriut (para se të zbulohej nga Europianët). Opinionet kontradiktore kishin zhytur në errësirë çdo përpjekje për zbulimin e së vërtetës.
Tashmë, pas një sërë shqyrtimesh të kryera, u arrit të citohet zyrtarisht se numri i Indianëve që jetonin në trevat Amerikane ishte rreth 18 milionë.
Angazhimi kryesor i tyre ishte bujqësia dhe gjuetia. Kushtet e vështira në të cilat ata jetonin përshpejtuan përhapjen e sëmundjeve të ndryshme ngjitëse. Nuk janë të paktë historianët që pretendojnë se shumica e sëmundjeve të rënda, nuk ishte gjë tjetër veç pjesë e një plani shfarues nga të bardhët. Për fat të keq, edhe ata që mundën t’u shpëtonin sëmundjeve, u masakruan më vonë me metoda të tjera torturuese.
Indiani i fundit (anëtar i fisit Jah) vdiq në vitin 1916, (shumica e anëtarëve të të njëjtit fis u therën nga kolonët e bardhë gjatë viteve 1853-1870).
Ishi, i njohur ndryshe si i mbijetuari i fundit në Kaliforninë e Veriut, u shfaq për herë të parë më 29 gusht 1914.
Në vitin 1870, gjashtëmbëdhjetë të mbijetuarit e masakrës së fundit u mënjanuan në natyrën e egër të Lasenit, ku vazhduan të jetonin si gjahtarë e mbledhës-ushqimesh për 40 vjet me rradhë… Në nëntor të 1908, kur numri i të mbijetuarve kishte shkuar në 4, një ekip topografësh që zbuloi rastësisht kampin e tyre, u mori të gjitha veglat e punës, veshjet dhe furnizimet ushqimore për dimrin. Mungesa e të sipërpërmendurave vështirësoi akoma më shumë jetën e tyre, gjë që çoi në vdekjen e nënës dhe motrës së Ishit, si dhe të një burri të moshuar.
Ishi qëndroi i vetëm edhe 3 vjet të tjera, derisa një ditë prej ditësh, duke mos pasur më asgjë tjetër për të humbur, vendosi të dilte haptas rrugëve të qytetit, në zemrën e qytetërimit të të bardhëve, duke besuar se do ta vrisnin. Në vend të kësaj, iu ofrua një vend pune në Muzeun e Universitetit të Kalifornisë, në San Françisko, ku dhe vdiq nga tuberkulozi në vitin 1916./albstroka.com/
© AlbStroka.com