You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » KREM KUNDËR DIELLIT NË KUSHTE SHTËPIE (EKSKLUZIVE)

KREM KUNDËR DIELLIT NË KUSHTE SHTËPIE (EKSKLUZIVE)

© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Mungesa e ditëve të fundit ka qenë një zgjedhje e vetëdijshme dhe e pashmangshme, për shkak të angazhimeve të mia profesionale (s’i lëmë dot pas dore, pasi ato na ushqejnë). Kam marrë përsipër përkthimin e një manuali (udhëzuesi) nga anglishtja në greqisht për një pajisje elektrike, të cilin duhet ta dorëzoj të hënën në mëngjes… Përkthimi teknik në krahasim me përkthimin letrar kërkon përpikmëri më të madhe për arsye sigurie. Në letërsi luan me fjalët, sepse nuk bën përkthim fjalë për fjalë (word by word translation), ndërsa, në terminologji kjo është e pamundur të ndodhë, duhet të jesh ushtar i bindur, aty s’ka rrugë të ndërmjetme.

Akoma dhe kafenë e pi me orë në dorë, jo për gjë por s’duroj dot pa atë të shkretën, do ta ndërpres vetëm në rast shtatzënie (por ajo kohë do të vonojë dhe ca).

Tema që kam zgjedhur për sot ka të bëjë me plazhin, (lum ju që mundeni dhe freskoheni, se ne të tjerët, që punojmë thjesht e ëndërrojmë), ose për të qenë më e saktë, në çka them me mbrojtjen e lëkurës nga rrezet diellore. Në treg ka disa produkte që premtojnë një farë mbrojtjeje në këtë drejtim, por nuk jam e sigurtë se në ç’shkallë. Për ju që jeni mosbesues ndaj produkteve të tregut, do t’ju rekomandoja recetën e mëposhtme për përgatitjen e një kremi kundër diellit në kushte shtëpie.

Përbërësit

20 ml vaj avokadoje

20 ml vaj koksi

20 ml vaj ulliri

20 ml vaj gruri

20 ml vaj luledielli

30 ml vaj susami

10 ml vaj kalendule

20 ml vaj tërfili

20 ml vaj karote

100 ml ujë të distiluar

2 lugë gjelle dyll blete (të thërmuar)

2 kapsula vitamine E

2 kapsula vitamine A

Përgatitja

Marrim dy enë zjarrduruese. Në njërën vendosim vajrat dhe dyllin e thërmuar, ndërsa në tjetrën ujin e distiluar. Në vazhdim, i nxehim të dyja në Bain Marie. Porsa të shkrijë dylli i bashkojmë me njëra tjetrën (me ujin e distiluar) dhe fillojmë të rrahim fort kremin e krijuar. Pasi të jetë ftohur pak, shtojmë vitaminat dhe vazhdojmë përzierjen për rreth 5 minuta të tjera me rrahëse elektrike. Në fund, e hedhim në një vazo te sterilizuar (pasi të jetë ftohur krejtësisht) dhe e ruajmë në derën e frigoriferit për 3 muaj./AlbStroka.com/

Shihemi pas pak me një tjetër temë interesante…

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top