You Are Here: Home » Të ndryshme » Uncategorized » “KOZMOGONIA-BOTËKRIJIMI” I ZOROASTRIANIZMIT!

“KOZMOGONIA-BOTËKRIJIMI” I ZOROASTRIANIZMIT!

lorena-stroka-gazetare-wikipedia-biografia-albstroka-blog-gazeta-albstroka-mitologjiNga Lorena STROKA

Në fillim të botës, Ahura Mazda jetonte në dritë, ndërsa vëllai i tij binjak, Arimani, në errësirë. Mes tyre nuk kishte gjë tjetër veçse ajër. Pastaj, Ahura Mazda krijoi kohën dhe kështu filloi bota. Solli ditët me diell dhe shkëlqimin e yjeve. Mundësoi mbushjen dhe ngrënien e hënës, rrufetë e shpejta dhe gjëmimet e forta. Mandej, krijoi Mendjen e Mirë që ekziston benda njeriut përgjatë gjithë krijimit!

Kohë më vonë, i udhëhequr nga inati dhe urrejtja, Arimani shkoi të kërcënonte nga afër vëllanë e tij. Mirëpo kur Ahura Mazda kuptoi që as mikpritja dhe as dashuria e pastër nuk mundën të zbusnin marrëdhënien e tyre, vendosi që ta kthente pas në errësirë duke i thënë: “Ne nuk pajtohemi në asgjë, as në mendime, as në mësime, as në plane, as në bindje, as në fjalë, as në shpirtra.”

Nga drita, Ahura Mazda, krijoi njeriun e parë, Gajomartin. Për tre mijë vjet, Gajomarti as fliste, as pipëtinte, por adhuronte në heshtje urtësinë e krijuesit të tij dhe përsosmërinë e parajsës tokësore që ai kishte krijuar. Më vonë, u bë prifti i parë i zjarrit, dhe kujdestar i flakës, simbolit të Mazdës.

Kundërsulmi i Arimanit, të cilin lutja e tij e kishte dëbuar në errësirë tërësore, ish e tmerrshme. Iu vërsul parajsës, duke sjellë një mori telashesh: lakmi, uri, sëmundje, dhembje, madje dhe vdekje! Çfarëdo që prekte, e ndynte: “fitorja ime është e përkryer”, thoshte i gëzuar. E ndota botën me papastërti e errësirë dhe e bëra fortesën time. Ngurtësova tokën në mënyrë që të thaheshin bimët, si dhe helmova Gajomartin!

Ahura Mazda kuptoi se do të ishte më mirë që Arimani të izolohej, dhe kështu caktoi një kufi kohor duke e bllokuar brenda në krijim. Arimani u përpoq të dilte nga bota, po aq mundimshëm sa kishte luftuar për të hyrë aty, por nuk mundi. Kështu qëndroi në botë për të bërë keq deri në fund…

Për të luftuar thatësirën e Arimanit, Ahura Mazda hodhi shi të bollshëm në tokë. Shiu fekondoi spermën e Gajomartit duke krijuar kështu çiftin e parë, Mashian dhe Mashianën, paraardhësit tanë. Në fillim Mashia dhe Mashiana ishin adhurues besnikë të hijeshisë dhe bollshmërinë së krijimit të Ahura Mazdës, por më pas, kur u mashtruan nga tertipet e Arimanit vendosën ta harronin Mazdën, dhe t’i jepnin përparësi Arimanit… E gjithë kjo ndodhi për shkak se Ahura Mazda nuk ndërhyri askund, përkundrazi i la të gjithë njerëzit të lirë të zgjidhnin vetë mes së mirës dhe së keqes.

Të gjithë njerëzit lindin të mirë dhe toka është më e lumtur kur mbi të qëndron një besimtar i denjë. Kur një besimtar mbjell tokën, përhap fjalët e Ahura Mazdës. Kjo është arsyeja që Ahura Mazda u kujdes që çdo popull të donte tokën e vet, duke e bërë pjellore, dhe të ndritshme. Për fat të keq, kjo nuk ishte gjithmonë e mundur, pasi mes tyre ekzistonte një pengues i përbetuar, Arimani, i cili nuk ndalte së korruptuari njerëzit me mëkat, sëmundje dhe pikëllim!

“Kozmogonia/Botëkrijimi” i Zoroastrianizmit

Zoroastrianizmi është një nga besimet më të vjetra në botë, me pasues besnikë deri në ditët tona. Shfaqja e tij daton rreth 2.600 vjet më parë, si një rregullim rrënjësor i fesë politeiste iraniane që mbizotëroi në Perandorinë Persiane me mbështetjen e shtetit.

Zoroastrianizmi ruan disa nga praktikat e fesë parahistorike, fesë së përbashkët indo-iraniane, rrjedhimisht mbart shumë ngjashmëri me hinduizmin e periudhës Vedike, në lidhje me adhurimin e zjarrit, rrëfenjat mitike dhe respektin ndaj forcave të natyrës./albstroka.com

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top