You Are Here: Home » Gnomonologji » Dashuria » Koha dhe Dashuria

Koha dhe Dashuria

Shqipëroi: Lorena Stroka – Roehampton University, UK

Njëherë e një kohë, ishte një ishull në të cilin jetonin Lumturia, Pikëllimi, Dija, Pasuria, Arroganca dhe Dashuria.

Një ditë mësuan se ishulli i tyre së shpejti do të përmbytej, prandaj të gjithë filluan të ndërtonin varkat e tyre, dhe në vazhdim të largoheshin një e nga një. Dashuria ishte e vetmja që mbeti pas. Donte të rezistonte deri në çastin e fundit. Kur ishulli filloi të përmbytej, Dashuria vendosi që të kërkojë ndihmë.

Shikon Pasurinë teksa kalon me një anije të ndritshme.

Dashuria e pyet:

–         “Pasuri, a mund të më marrësh me vete?”

–         “Jo, nuk mundem” u përgjigj Pasuria.

–         “Anijen e kam të tejmbushur me ar dhe argjend, nuk kam vend për ty.”

Atëherë, Dashuria vendosi t’i kërkojë ndihmë Arrogancës që kalonte gjithashtu para saj me një varkë të mrekullueshme.

–         “Të lutem, ndihmomë”, tha Dashuria.

–         “Dashuri, nuk të ndihmoj dot, je e lagur dhe kam frikë se do të më prishësh varkën e bukur”, iu përgjigj Arroganca.

Pikëllimi ishte pak më tutje, Dashuria iu afrua dhe i kërkoi edhe atij ndihmë.

–         “Pikëllim, më lejo të vij me ty.”

–         “Oh, Dashuri, ndihem kaq keq, sa dua të rri vetëm” i tha Pikëllimi.

Lumturia kaloi para Dashurisë, por edhe ajo nuk i dha rëndësi. Ishte aq e lumtur, saqë as që e dëgjoi Dashurinë kur i kërkoi ndihmë.

Papritur u dëgjua një zë:

–         “Dashuri, eja këtej, do të të marr unë.”

Ishte një burrë shumë i moshuar të cilin Dashuria nuk e njihte më parë, ishte aq e gëzuar por edhe e mbushur me mirënjohje saqë harroi ta pyeste për emrin e tij. Kur mbërritën në tokë, burri i moshuar iku dhe shkoi në rrugën e vet. Dashuria duke e ditur sa shumë e ndihmoi ai njeri, pyeti Dijen:

– “Dije, kush më ndihmoi?”

– “Koha”, iu përgjigj Dija.

– “Koha?”, pyeti Dashuria.

– “Dhe pse më ndihmoi Koha?”

Atëherë, Dija buzëqeshi dhe me mençuri të thellë i tha:

“Sepse vetëm Koha mund të kuptojë sesa e rëndësishme është Dashuria.”

©  AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top