You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » JO SHAMPOS, PO SAPUNIT

JO SHAMPOS, PO SAPUNIT

© Lorena Stroka

Të gjithë, pa përjashtim kemi disa tipare që na pëlqejnë më shumë se të tjerat. Në fytyrën time unë do veçoja lëkurën e lëmuar, buzët dhe flokët. Akoma dhe sikur të më jepej mundësia për t’i ndryshuar, këto të treja nuk do t’i prekja, pasi jam plotësisht e kënaqur. Sigurisht, nuk do të thoja të njëjtën gjë për ngjyrën e syve…

Flokët e gjata në familjen tonë janë çështje gjenetike. Megjithëse isha shumë e vogël, ende më kujtohet skena kur mami im krihte flokët e gjata deri në fund të mesit. Dhe ngaqë i kishte pikë të dobët, donte që dhe unë t’i mbaja gjithmonë të gjata. Tërë kohën, isha me dy bishtaleca si “Pipi Çorapegjata” (pa qukat sigurisht). Më mësonte se si të kujdesesha për to dhe si t’i krihja pa këputur fijet…

Femrat e asokohe kishin flokë më të shëndetshëm se të sotmet, për arsye se nuk përdornin shumë produkte kozmetike. Shampot e tepërta, kremrat zbutës, bojërat plot përbërës kimikë etj., etj., na ofrojnë shkëlqim të përkohshëm dhe dëmtim të përhershëm. Shpesh herë të nxitur nga reklamat e sajuara mundohemi t’i afrohemi sadopak imazheve të përsosura që në të vërtetë janë thjesht të fabrikuara.

Sikurse të gjithë edhe unë kam provuar dhjetra lloje shamposh (Pantene, Palmolive, Dove, etj., etj.,) jo se kisha ndonjë problem të veçantë, por thjesht për qejf. Fillimisht, më joshte butësia, volumi, shkëlqimi që të ofronin, mirëpo me kalimin e kohës vërejta disa ndryshime në cilësinë e fijeve të flokut. I ndërpreva dhe fillova të përdorja sapun jeshil Arkadi. Sapuni i gjelbër është ideal për ata që duan të kenë flokë të buta, të shëndetshme dhe me shkëlqim. Arkadi përbëhet nga acide yndyrore, ngjyrën e merr nga klorofili i vajit të ullirit si dhe ka shumë veti dezinfektuese. Qëndron gjithmonë i sterilizuar, pasi aciditeti i tij i ulët pengon zhvilimin e mikrobeve. Një pllakë sapuni Arkadi fare lehtë mund të zëvendësojë shampon. Është mjaft i shkumueshëm, pas larjes nëse doni mund të përdorni pak krem zbutës./AlbStroka.com/. Personalisht, kam 7 vjet që e përdor dhe jam shumë e kënaqur.

lorena_stroka_foto-biografia-wikipedia-gazetare-shkrimtare-perkthyese-gazeta-albstrokalorena_stroka_foto_biografia_facebook_keshilla_nga_lorena_stroka_albstroka_facebook1

P.S: Për të pasur flokë sa më të shëndetshme dhe shkëlqyese mos harroni të aplikoni dy herë në javë maskat përkatëse… një për ushqyerjen e rrënjëve dhe tjetrën për zbutje dhe shkëlqim.

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top