You Are Here: Home » Të ndryshme » Uncategorized » BOTIME TË REJA (2010) – Lorena Stroka

BOTIME TË REJA (2010) – Lorena Stroka

JEHONË ZËRASH

Bregu sonte është shkretuar

dallga fle si asnjëherë,

detit të lodhur në gjirin e tokës,
era flokët lehtë i krehë…

Jehona e zërave përtej maleve,
drithshëm nënës i kumbon.
Anija e shpresave djaloshare,
thërrime u bë detit Jon…

Durimi i nënës, breshër shpirti,
dhembjen dot më s’e copëton,
shamizezë, sytretur vajesh
thotë: “Tim bir ku po e çojnë?!”

Deti i egër, gojë-kuçedër,
i pashpirt si gjithmonë,
përpirë jetë e buzëqeshje të njoma,
brishtësisht fjalët shkumëzon…

Për të lexuar 20 poezi nga ky vëllim poetik klikoni: POETRY

 

Pjesë të shkëputura nga libri: “Mite dhe legjenda të popujve: Afrikë

KALI I MBRETIT

Madungu-Buçu ishte një fshat i famshëm për kuajt e vet. Të gjithë ishin kuaj rrace dhe të mirë-trajnuar. Mbreti i fshatit kishte një kalë bardhosh që e donte shumë dhe e thërriste Zeres. Një ditë për të treguar se sa shumë e donte, ftoi të gjithë banorët e fshatit dhe u tha:

– “Popull i Madungu-Buçut, dëgjomëni! Jam mbreti juaj dhe Zeres është kali im i dashur. Dua pra që të gjithë ju ta doni njëlloj si unë, dhe mjerë ai që një ditë do të më njoftojë lajmin e ngordhjes së tij”.

Pas kësaj deklarate, monarku i plotfuqishëm shpërndau popullin e mbledhur, u kthye në pallat, ndërsa Zeresin e çuan në stallën e vet.

Por pak më vonë ndodhi diçka e tmerrshme. Një gjarpër kafshoi kalin duke e lënduar për vdekje. Cili do të merrte përsipër vendimin e vështirë që të shkonte e t’i thoshte lajmin e hidhur mbretit? Askush nuk guxonte! Vetëm Vuzu, një ndër të mençurit e fisit, i cili ishte orator i jashtëzakonshëm, mori guximin që t’i fliste. Kërkoi audiencë, dhe kërkesa e tij u bë e pranueshme. Sapo mbërriti pranë mbretit deklaroi:

– “Mbreti im, jeni monarku më i dashur dhe i respektuar, sepse jeni më i forti dhe më i zgjuari. Falë jush dhe dashurisë suaj për kuajt, fshati ynë është i pasur dhe i lumtur”.

Mbreti u përgjigj:

–  “Vuzu, gëzohem sa herë që më viziton, sepse gjithmonë më thua gjëra të zgjuara”.

–  “Mbreti im” vazhdoi Vuzu. Ka një detaj që dua ta theksoj. Ka të bëjë me kalin tuaj. Do doja mendimin tuaj për diçka që më tërhoqi vëmendjen. E pashë sot në një pozicion shumë të çuditshëm”.

–  “Ç’pozicion të çuditshëm?” pyeti me kureshtje mbreti.

–  “E pashë të shtrirë mbi bar, me sy hapur drejtuar qiellit. Ishte më i enjtur se herët e tjera dhe era që binte mblidhte miza”.

Mbreti u mendua pak dhe tha:

–  “Vuzu, me aq sa kuptoj, kali im i shtrenjtë ka ngordhur?”.

–  “Ju e bëtë diagnozën”.

Mbreti ra dakord me Vuzun dhe kështu në vend që ta ndëshkonte ashpërsisht, e bëri nën Mbret. Qysh nga ajo ditë, i gjithë fshati mori mësimin e vet dhe nuk merr më rieziqe që mund të lëndojnë. Përkundrazi, çdo njeri tregohet i kujdesshëm në të shprehur,  aq më shumë kur do të thotë diçka të dhimbshme.

KOPRACI

Dikur jetonte një burrë shumë i pasur. Thuhej se ishte njeriu më i pasur i fshatit të vet. Ishte gjithashtu dhe njeriu më koprac që ekzistonte në planetin Tokë, prandaj dhe të gjithë e thërrisnin Mbibizo, që do të thotë “njeri koprac”. Për shkak të kopracllëkut të vet Mbibizo jetonte krejt i vetëm. Nuk kishte as grua dhe as shërbëtorë. I bënte vetë të gjitha punët e shtëpisë dhe ishte krenar që nuk shpenzonte asnjë lek.

Një ditë, siç po bënte punët e shtëpisë rrëshqiti dhe ra në pus. Ngaqë nuk dilte dot, bërtiti me të madhe:

– “Ndihme! Ndihme!”

Pas pak erdhi me nxitim komshiu i tij. I shtriu dorën dhe i tha:

– “Mbibizo, më jep dorën të të tërheq lart!”

Mbibizo sapo dëgjoi foljen “jap”, u shtang në vend. Kështu që u vështirësua t’i jepte dorën. Kjo vonesë e tepruar u tregua fatale. Ndoshta do të kishte shpëtuar nëse komshiu i kishte thënë “merr doren time”.

Të mençurit e fshatit thanë se Mbibizon e vrau kopracllëku i vet…

© 2010 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top