You Are Here: Home » Të ndryshme » Uncategorized » IDHUJTARËT DHE… LUANI

IDHUJTARËT DHE… LUANI

lorena-stroka-biografia-wikipedia-biography-përkthime-albstroka-blogShqipëroi: Lorena STROKA

Qindra vjet më parë, në një qytet të largët të Indisë jetonin katër burra, të cilët i lidhte një miqësi e fortë qysh nga vegjëlia. Ishin brahminë, pjesëtarë të një shtrese të mirë shoqërore, asaj të priftërinjve, njohës të thellë të shkencave të fshehta dhe vullnetit të Zotave.

Tre prej brahminëve, duke qenë se pjesën më të madhe të jetës së tyre e kishin kaluar duke lexuar libra shkencorë e magjie, ia kishin dalë të përvetësonin të gjitha njohuritë njerëzore.

Një ditë prej ditësh, ndërsa ia shtruan muhabetit me të ngrëna e të pira, e gjetën të vlefshme të flisnin dhe për të ardhmen e tyre:

– “Dëgjoni” – tha më i madhi në moshë – “Pavarësisht dijeve, asnjëri prej nesh nuk bëri prokopi a katandi. Si mendoni, a nuk është më mirë të udhëtojmë në ndonjë qytet tjetër, më të madh, diku larg, ku do të njihet vlera e shkencës sonë?”

– “S’e ke keq, jo” – ia kthyen të tjerët, – “Nisemi që nesër.”

Me të gëdhirë, të katër shokët u nisën për udhë. Për të shkuar në qytet, u duhej të kalonin përmes një pylli të dendur e plot urthe, në të cilin për më shumë se një shekull s’kishte shkelur këmbë njeriu.

Natën e parë, kur ndaluan për të pushuar, përreth një zjarri, filluan të ziheshin me njëri-tjetrin:

– “Po këtë ç’e duam me vete, ky di më pak se ne?” – tha i pari..

– “Ke të drejtë.” – ia priti i dyti.

– “Jo! – u thotë prerazi i treti, – “ai është i logjikshëm dhe praktik, na duhet.”

Si përfundim, ranë dakord që të vazhdonin rrugën të pandarë.

Të nesërmen, ec e ec, diku mes gjethnajës së blertë, pranë një rrëkeje u përballën me skeletin e një luani të ngordhur prej kohësh.

– “Ja një mundësi e mirë për të provuar se kush jemi. Ejani ta ngjallim përsëri të gjorën kafshë!” – sugjeroi njëri prej brahminëve!

Pas pak, tre idhujtarët iu shtruan punës.

I pari, mori përsipër lidhjen e pjesëve të shkëputura të skeletit. I dyti, e mbuloi me mish e gëzof. Ndërsa i treti, u përgjunjë për të kryer lutjen magjike. Papritmas, u dëgjua, thirrja e të shokut të katërt, i cili deri në atë çast thjesht bënte sehir.

– “Mos bëni gabim ta ringjallni, po e bëtë, egërsira do të na shqyejë të gjithëve “ – u tha ai.

– “Thuaj, ç’të duash, asgjë s’ka për të na trembur!”

Në kohën që brahmini i tretë po i frynte trupit të luanit, më pak i dituri, por më i logjikshmi njëkohësisht, u ngjitë në majë të një peme për t’u mbrojtur. Nuk vonoi shumë dhe para syve të tij u shpalos tmerri që pati parashikuar. Luani i porsa-ngjallur, krejt i uritur u sul në drejtim të shokëve, duke i bërë copash.

Pasi u ngop e shuajti etjen te rrëkeja në krah, u zhduk në thellësi të pylllit të dendur,

Shoku i katërt, që s’kishte pranuar pjesëmarrjen në veprimet magjike të shokëve të vet, e që në të njëjtën kohë, kish parashikuar fundin e dhimbshëm, duke u fshehur majë pemëve, pas shtjellimit të ngjarjes së frikshme, zbriti me ngadalë dhe mori rrugën e kthimit.

E ndërsa ecte, fillikat, mendonte për të disatën herë sa të padobishme janë dijet, kur nuk shoqërohen nga logjika e prakticiteti. Ndërkohë që ai vetë, falë këtyre dy të fundit, kishte arritur të shpëtonte gjënë më të çmuar në botë: JETËN E VET!/ALBSTROKA.COM/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top