You Are Here: Home » Mjekësi » Historia e AIDS-it

Historia e AIDS-it

Nga Lorena Stroka

“Paraardhësi” i virusit vdekjeprurës ekzistonte mijëra vjet më parë. Pas një hulumtimi që hedh dritë mbi historinë e AIDS-it, shkencëtarët Amerikanë konstatuan se “paraardhësi” i virusit që shkakton sëmundjen e rrezikshme ekzistonte te majmunët dhe gorillat plot 32000 vjet më parë – dhe jo disa qindra vjet siç besohej deri më sot.

Ky zbulim tregon se HIV ka një histori tejet të gjatë dhe se shfaqja e tij te njerëzit është e lidhur me kafshët e lartpërmendura. “Sa herë që njerëzit gjuanin majmunët apo gorillat për të siguruar ushqimin e tyre rrezikonin të prekeshin nga virusi”, theksojnë në revistën “Science” shkencëtarët amerikanë të Universitetit “Tulane” (Luiziana).

Megjithatë, pa përgjigje vazhdon të mbetet pyetja se pse gjitarët edhe pse ishin infektuar pothuajse të gjithë, nuk u sëmurën kurrë. Ç’ndodhi në Afrikë në fillim të shek. XX që çoi në transmetimin e sëmundjes nga majmunët te njerëzit, duke u shndërruar sot në një nga sëmundjet më të rrezikshme për jetën e njeriut, me plot 25000.000 viktima anembanë botës?

“Komuniteti shkencor ka informacione për identitetin e virusit vetëm 25 vitet e fundit”, thekson virologisti dhe udhëheqësi i studimit, Priston Mark, duke shtuar se “studimet e mëparshme kishin treguar se virusi daton vetëm 2000 vjet më parë”.

Gjetjet

Bazuar në gjetjet e Universitetit të Luizianës, virusi (ndoshta) u transmetua nga majmunët te njerëzit të paktën pesë herë. HIV-1, virusi më i zakonshëm te njerëzit dhe HIV-2 që është më i butë dhe zbulohet më rrallë te banorët e Afrikës Perëndimore u përhap nga një lloj majmuni që konsumohet gjerësisht nga vendasit.

Shkencëtarët, nënvizojnë se gjaku i kafshëve të infektuara nga një formë e butë e sëmundjes, ndoshta infektoi disa herë njerëzit./AlbStroka.com/

© Ndalohet ribotimi i shkrimit pa autorizimin e autores.

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top