HESTIA, PERËNDESHA E FAMILJES
Shkëputur nga libri: Mitologjia, filozofët dhe poetët e lashtë Grekë (I) – Lorena Stroka
Në mitologjinë Greke, Hestia ishte perëndesha e vatrës dhe familjes në përgjithësi, në emër të saj njerëzit kryenin çdo flijim lidhur me familjen, megjithëse nuk kishte adhurim publik. Në mitologjinë Romake, homologia e saj, Vesta, përfaqësonte vatrën publike, adhurimi ndaj së cilës i lidhte të gjithë Romakët në një familje të madhe.
Emri i saj do të thotë shtëpi dhe vatër. Hestia simbolizon aleancën midis kolonive dhe mëmë-qyteteve të tyre, është vajza e madhe e Rheas dhe Kronit, gjithashtu motër e Zeusit, Herës, Poseidonit dhe Demetrës. Fillimisht, ishte listuar në dymbëdhjetë zotat e Olimpit, por më vonë u zëvendësua nga Dionisi. Paskëtaj, kujdesej për zjarrin e shenjtë në Olimp. Altarët e saj përfshinin çdo familje.
Menjëherë pas lindjes së tyre, Kroni gëlltiti Hestian dhe vëllezërit e tjerë, përveç Zeusit, i cili më vonë i shpëtoi dhe i kryengriti në luftë kundër Kronit dhe Titanëve të tjerë. Hestia u betua se do të qëndronte gjithmonë e virgjër, nuk pranoi asnjë thirrje të Poseidonit dhe Apollonit. Një herë rrezikoi të përdhunohej nga Priapi, një zot alternativ i pjellorisë, por shpëtoi nga pëllitja e një gomari.
Hestia, Athena dhe Artemida ishin të vetmet perëndesha mbi të cilat Afrodita nuk kishte asnjë lloj force (që kishte nënshtruar pothuajse të gjithë zotat dhe njerëzit)./AlbStroka.com/
© www.AlbStroka.com