You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » ANTOLOGJI » Heroi im – KUDO DHE ASKUND

Heroi im – KUDO DHE ASKUND

Heroi im

© Lorena Stroka

Tezeus, për ty tradhtova tim atë,
Minosin, mbret në Kretë,
shkela rite, doke, zakone vendi,
treguar ty daljen e fshehtë.

Për ty tejkalova vetveten,
shpërfillur ndrojtje e frikë,
perin udhërrëfyes të dhashë duarsh,
hero të dilje nga i mistershmi Labirinth.

Si e çmendur rrihte e imja zemër,
në çdo lëvizje që bëje ti,
sa herë filli mpleksej, zvarritej ngushtësive vdekjendjellëse,
aq herë dridhej i imi shpirt.

Besoja në ty hero legjendar,
mundësin e Prokrustit mitik,
grabitësit më të ashpër Helen,
që udhëtarët shqyente si bishë.

Minotauri i pamposhtur,
përbindëshi që s’ngopej me mish të rinjsh,
ishte sfida jote më e madhe,
bëma që do të falte lavdinë.

Tezeus, ia dole mbanë,
ashtu si hero i vërtetë,
përdhe shtrive Minotaurin e përgjakur,
emri jot mori dhenë.

Fort gjirit më shtrëngove hyjnori im,
duke më puthur në ballë,
“Ariadni, e imja do të bëhesh”, më the,
“veç vdekja do të na ndajë”.

Pas triumfit heroi im,
anijes vërshuam me nxitim,
velat ngritur deri në qiell
seç përkundnin tonën krenari.

Por stuhia ziliqare,
mes deti na zuri pusinë,
por si gjethe harruar valësh
endeshim të pashpresë unë e ti.

Buzë detit na gjeti nata,
plasur rërës krahështrirë,
“mbylli, sytë, fli”, më the,
“nesër na pret një ditë më e mirë”.

Kur dallga e harbuar më njomi sytë,
e më zgjoi nga gjumë i thellë,
përreth meje s’qe askush,
mbrëmë të kisha parë për të fundit herë.

Klitha, bërtita si e marrë
me vështrimin kthyer nga deti i gjerë:
“pse më braktise, pse më mohove”, të pyeta,
“kur sa ty s’desha askënd, asnjëherë?!”

* Botuar në librin: KUDO DHE ASKUND

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top