GASTROSOFIA E SHEKUJVE TË KALUAR… PSE FEMRAT KONSUMONIN TESTIKUJ TË BLUAR KASTORI?
Nga Lorena Stroka
Në shekujt e kaluar, mbizotërimi i sëmundjeve të rrezikshme për jetën, i kishte detyruar njerëzit të provonin receta të veçanta popullore, të cilat në më të shumtën e rasteve rezultonin të paefektshme…
Romakët pavarësisht plotfuqishmërisë perandorike dhe qytetërimit të tyre shumëpërmasor, shquheshin edhe për supersticion… Për të larguar syrin e keq, ata përdornin një hajmali në formë penisi, të cilën ose e mbanin me vete, ose e varnin në derën e jashtme të shtëpisë. Konsumonin akoma dhe gjak të ngrohtë luftëtarësh, pasi mendonin se mund të shëronte epilepsinë. Gjithashtu, përdornin urinë njeriu si gargarë, por, dhe amoniakun e saj për zbardhjen e rrobave.
Në shek. 16-17-të, europianët e pasur hanin kufoma njerëzish, duke besuar se do të shëroheshin nga sëmundje të ndryshme. Hanin akoma dhe mbetje të gjetura mumiesh egjiptiane, për të cilat paguanin qimet e kokës!
Kontraceptivë me testikuj të bluar kastori…
Në shek. 16-të, femrat në Kanada kishin vetëm një mënyrë për të mos mbetur shtatzënë, të konsumonin testikuj të bluar kastori me alkool. Ato mendonin se përmbajtja e androgjeneve do të ndikonte hormonet, duke zvogëluar fertilitetin.
Në Egjiptin e lashtë, gratë kryenin larje vaginale me lëngun e disa llojeve të grurit dhe në vazhdim pinin një përzierje vaji, selinoje dhe elbi.
Në shek. 19-të, një ilaç i njohur për fëmijë, Mrs Winslow’s soothing syrup, përmbante morfinë. Bëhej fjalë për një formulë të shpikur nga zonja Winslow, dhe hedhur në treg nga i biri i saj në vitin 1849, me një fushatë të fuqishme rekalmuese nëpër gazeta, revista dhe libra gatimi.
Shitej kryesisht në Amerikë dhe Angli dhe premtonte se mund të qetësonte foshnjat nevrike.
Në vitin 1911, Organizata Amerikane e Shëndetësisë botoi një artikull, përmes të cilit fajësonte ilaçin në fjalë për vdekjet e papritura të shumë foshnjave. 19 vjet më vonë, pra në 1930, u hoq nga qarkullimi./albstroka.com/
© AlbStroka.com