You Are Here: Home » Mjekësi » Fruta dhe perime për duhanpirësit

Fruta dhe perime për duhanpirësit

Nga Lorena Stroka

Sipas një hulumtimi të ri shkencor (realizuar në Holandë), përfshirja e frutave dhe perimeve në menunë ditore mund të reduktojë kënaqshëm shfaqjen e disa llojeve të kancerit të mushkrive te duhanpirësit. Studimet e mëparshme kishin treguar efektet pozitive që rrjedhonin nga konsumimi i frutave dhe zarzavateve në përgjithësi, ndërsa studimi i ri nënvizon për herë të parë rëndësinë e shumëllojshmërisë, përtej sasisë.

Studimi i kryer nga epidemilogu Bas Bueno-de-Meskita pranë Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Mjedisit (Holandë), u botua në revistën mjekësore Cancer Epidemiology, Biomarkers & Prevention e Unionit Amerikan për Hulumtimin e Kancerit, sipas stacioneve Franceze.

Hulumtimi mbuloi pothuaj 452 000 persona në Europë, prej të cilëve 1613 u ishte diagnostikuar kancer në mushkri. Shkencëtarët konkluduan se shumëllojshmëria e frutave dhe perimeve ka efekt më të madh mbrojtës në krahasim me sasinë që konsumohet.  Për këtë arsye, shkencëtarët u rekomandojnë duhanpirësve që jo vetëm të konsumojnë sasi të mëdha frutash dhe perimesh, por kryesisht një përzierje të pasur.

Megjithatë, shkencëtarët theksuan se pavarësisht nga ushqyerja, ndërprerja e duhanit mbetet masa më e mirë parandaluese për uljen e rrezikut të kancerit të mushkrive.

Gjithashtu, ia vlen të përmendet se sot ka më shumë se 1 miliard duhanpirës në mbarë botën, shumë prej të cilëve janë të varur nga nikotini, prandaj dhe vështirësohen që të ndërpresin duhanpirjen, pavarësisht nga përpjekjet e tyre. Veçanërisht në këto raste, sipas studiuesve, është tepër e rëndësishme përfshirja e shumëllojshmërisë së frutave dhe perimeve në ushqyerjen e tyre të përditshme.

© Ndalohet ribotimi i shkrimit pa autorizimin e autores.

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top