You Are Here: Home » MITOLOGJI » Greke » Fragment nga “PERSËT” e Eskilit

Fragment nga “PERSËT” e Eskilit

Shkëputur nga libri: MITOLOGJIA, FILOZOFËT DHE POETËT E LASHTË GREKË (I) – Lorena Stroka

Përktheu nga origjinali: Lorena Stroka

“…e  nderuara mbretëreshë e Persianëve
dërgo pra ti lëngjet e tua
në mbretërinë e Hadit, nën tokë,
dhe ne himnësisht do të kërkojmë
nga zotat e së poshtmes botë
përkrah të na qëndrojnë.
Ju zotat e së poshtmes botë
Tokës, Shkretëtirës, por dhe ti i të vdekurve mbret,
të sillni sërish në dritë, të tijin shpirt,
sepse ai që e di më mirë se çdokush
përveç se mund të shërojë të hapurat plagë,
mund të parashikojë dhe tonin fund.

I ndjeri, a më dëgjon,
mbreti i barazvlefshëm me zot,
që në amtaren gjuhë, persisht,
e thërras gjithë vaje e ngashërim?
Sa të kem zë, aq më fort do të bërtas
fatkeqësinë që na përpin tërësisht,
a më dëgjon vallë nga brendësia e varrit ai?

Por ti, Tokë
dhe ju të të vdekurve zotat e tjerë,
lereni nga mbretëria juaj të dalë në dritë,
i ndjeri, krenar shpirt,
i zotit të Persianëve që lindi në Shushan,
dërgojeni lart,
njeriun që të ngjashëm me të,
dheu i Persisë s’mbuloi kurrë më parë.

Sa shumë i dashur është burri,
sa shumë i dhembshur është dhe varri i tij
që mbulon një kaq të dashur shpirt.
Hedonea, dërgoje të ngjitet tek ne,
nxirre jashtë në dritë,
Darion, të pakrahasueshmin tonë mbret.
Atë që kurrë s’shkonte
të shkatërronte ushtrinë e vet,
në luftëra të kota, beteja pa të drejtë.

Dituri të zotit e quanin Persianët,
dhe sofia e zotit ishte vërtet,
që përherë qeverisi ndershmërisht popullin e vet.
I yni mbret, eja mbreti ynë i vjetër,
eja dhe shfaqu,
këtu përmbi tëndin varr,
ngrije sandalen e bukur stolisur këmbës,
këtu lart.

Të shkëlqejë para syve tanë,
kurora jote, atë,
shfaqu, mbreti ynë i mirë prapë.

Eja, dhe shfaqu,
që të dëgjosh të reja e të padëgjuara fatkeqësi,
zoti i mbretit tonë,
zija pllakosi rreth nesh,
si vdekja resh.
Pse e gjithë rinia e dheut tonë,
iku, humbi përgjithmonë,
shfaqu, ç’pret i miri ynë mbret?
Ah mjerë unë, mjerë unë,
që për humbjen tënde të gjithë qanë,
më thuaj imzot, ç’është kjo
fatkeqësi e dyfishtë që na mbërtheu vallë?!
Iku ushtria jonë, humbi,
shkuan, humbën të fortat tona anije,
thërime, të gjitha u bënë thërime…” (vijon)


*Hedonea – ishte Hadi, zoti i botës së poshtme

*Dario – mbret i Persisë

© www.AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top