You Are Here: Home » Kuriozitete » FOTOT QË TRONDITËN BOTËN (II)

FOTOT QË TRONDITËN BOTËN (II)

Nga Lorena Stroka

Një çast mund të bëjë ndryshimin… Vetëm një shkrepje… pastaj fotografia mund të marrë përmasa monstruoze. Të bëhet simbol për shoqëritë, flamur për revolucionistët ose ikonostazë për çdo njeri me ndjeshmëri. Klikimi vendimtar për fotot e mëposhtme ndoshta nuk ndryshoi “çastet e kapura”, por ndryshoi këndvështrimin e një pjesë të madhe të njerëzimit. Dhe bëri që shprehja “një foto flet sa nja një mijë fjalë” të duket e pamjaftueshme.

1. Bëhet fjalë për një nga fotot më të diskutuara, të realizuara gjatë luftërave. Republikani Borrell Garcia (të paktën kështu e mendonin), shënjestërohet dhe vritet, fotografi ndodhet atje dhe na sjellë përmes fotos  çastet e fundit të ekzekutimit, gjatë betejës së Luftës Civile në Spanjë. Vërtetësia e fotos është vënë në diskutim me dhjetëra herë, s’janë të paktë ata që bëjnë fjalë për “skenë të sajuar”, dhe se vendi nuk është identik me atë ku u gjet i vrarë anarkisti Garcia. Megjithatë, në çdo rast, u bë “flamur” antipolemik në të gjithë Evropën dhe jo vetëm, pasi u botua në revistën franceze “VU” dhe në vazhdim në atë amerikane “LIFE”.

2. Amerika përjeton krizën e madhe dhe qindra të papunë kërkojnë një jetë më të mirë drejt shteteve të tjera. Gruaja në foto është një rast i tillë. Bëhet fjalë për Florence Owens Thompson, vejushë me shtatë fëmijë, të cilët detyroheshin të ushqeheshin me shpendë të ngordhur dhe perime nga fushat përreth. Gjatë rrugëtimit të saj për “një jetë më të mirë”, takohet me fotografen Dorothe Lange, dhe fotoja e saj bëhet simbol i krizës së madhe.

3. Ndodhemi në vitet 70-të dhe djali i shurdhër me emrin Harold Whittles pranon një kufje në vesh. Në çastin e klikimit, shohim shprehjen e tij, kur dëgjon zërin e vet për herë të parë. Si dëgjohet vallë shushurima e gjetheve, kur nuk ka masë krahasimi? Sa e tmerrshme i duket zhurma e një makine dhe sa i çuditshëm zëri i tij? Vetëm ai e di dhe na e përcjellë unikisht përmes fotos së shumë diskutuar.

4. Është nëntor i vitit 2011, dhe një plak po fle në stacionin hekurudhor të Shanxi Taiyuan në Kinë. Gjumi i tij me sa duket po zgjatë më shumë se zakonisht, dhe njerëzit përreth tij kuptojnë se diçka nuk shkon mirë.  Grupi i ndihmës së shpejtë konfirmon vdekjen e tij, dhe atëherë një murg që po priste trenin i afrohet, i prekë dorën dhe kryen një ritual lutjeje, për pushimin e shpirtit të tij. Fotografi i Reuters që rastisë të jetë atje, e fotografon, për të njomur sytë e mijëra njerëzve në mbarë globin më vonë.

5. Duke parë këtë foto, kupton se sa shumë gjëra kanë ndryshuar brenda një shekulli. Dallimet shoqërore deri në vitet 50-të impononin ekzistencën e dy çezmëve, për “të bardhët’ dhe për ata “me ngjyrë”. Shumë komunitete akoma dhe sot, ndodhen nën racizëm informal, dhe sigurisht fotoja e Erwitt flet me shpirt./Albstroka/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top