FORCIMI I AFTËSIVE TË LEXIMIT TE FËMIJËT

Nga Lorena Stroka – MA in Special Educational Needs
Mbështetja e fëmijëve që përballen me vështirësi në lexim është një çështje shumëdimensionalë që kërkon vlerësim klinik dhe strategji të specializuara ndërhyrjeje. Vështirësitë në lexim nuk kufizohen vetëm në një sfidë për dekodifikimin e fjalëve, por ndikojnë gjithashtu në zhvillimin e aftësive gjuhësore dhe njohëse të fëmijës, si dhe në aftësinë e tij për të kuptuar dhe interpretuar gjuhën e shkruar. Shkaktarët e mundshëm të këtyre vështirësive mund të përfshijnë çrregullime të tilla si disleksi, vonesa zhvillimore ose pengesa të tjera njohëse dhe emocionale. Mbështetja efektive për fëmijët me vështirësi në lexim kërkon përdorimin e strategjive dhe metodave që i përgjigjen nevojave të tyre unike, ndërkohë që forcojnë aftësitë e tyre gjuhësore dhe leximin.
Hapi i parë në ndërhyrje është diagnoza, e cila mundëson përcaktimin e saktë të shkaqeve që shkaktojnë vështirësitë në lexim. Vlerësimi përfshin vlerësimin e nivelit të leximit të fëmijës, njohjes fonologjike dhe aftësisë për të kuptuar gjuhën e shkruar. Sidomos njohja fonologjike, që do të thotë aftësia e fëmijës për të identifikuar dhe menaxhuar tingujt e fjalëve, është një tregues kyç për diagnozën e vështirësive të leximit dhe përforcimi i kësaj aftësie është thelbësor për ndërhyrjen e suksesshme.
Një nga strategjitë më të dobishme është forcimi i njohjes fonologjike. Fëmijët me vështirësi në lexim shpesh kanë vështirësi në lidhjen e shkronjave me tingujt e tyre. Prandaj, mësimi i fonemave dhe lidhja e tyre me simbolet përkatëse të shkruara është thelbi i qasjes terapeutike. Strategjitë si ushtrimet e njohjes fonologjike, lojërat me tinguj dhe rimat, dhe përdorimi i kartave me imazhe dhe fjalë janë të dobishme për forcimin e kësaj aftësie. Ushtrimet fonologjike dhe lojërat që përfshijnë njohjen e tingujve ndihmojnë fëmijët të kuptojnë strukturën e gjuhës dhe lidhjen e tingujve me simbolin e shkruar, çka lehtëson procesin e leximit.
Për më tepër, përdorimi i mbështetjeve vizuale dhe akustike është dëshmuar jashtëzakonisht i dobishëm për fëmijët me vështirësi në lexim. Përdorimi i librave audio ose librave me lexim akustik forcon kuptimin e përmbajtjes dhe ndihmon fëmijët të familiarizohen me shqiptimin e duhur të fjalëve. Po ashtu, kartat vizuale dhe mjetet digjitale interaktive lejojnë fëmijët të krijojnë lidhje të drejtpërdrejta midis fjalëve dhe imazheve ose kuptimeve, duke forcuar kështu kujtesën dhe kuptimin.
Përsëritja e vazhdueshme dhe forcimi i fjalorit përmes aktiviteteve që përfshijnë njohjen e fjalëve të reja dhe shpjegimin e tyre është gjithashtu thelbësore për zhvillimin e aftësive të leximit. Fëmijët që kanë vështirësi në lexim shpesh nuk kanë një fjalor të mjaftueshëm për të kuptuar përmbajtjen që lexojnë dhe forcimi i fjalorit të tyre përmes aktiviteteve të përditshme leximi dhe diskutimesh mund të ndihmojë ndjeshëm në zhvillimin e kuptimit të gjuhës së shkruar. Përdorimi i kartave të fjalorit, aktiviteteve të diskutimeve rreth tregimeve dhe forcimi i kuptimit përmes pyetjeve dhe përgjigjeve janë strategji që përforcojnë aftësinë e leximit.
Qëndrimi pozitiv ndaj leximit është një tjetër faktor përcaktues në mbështetje të fëmijëve me vështirësi në lexim. Krijimi i një ambienti mbështetës dhe zhvillimi i një qëndrimi pozitiv ndaj leximit mund të ndihmojë në forcimin e vetëvlerësimit dhe besimit të fëmijës në aftësitë e tij. Njohja e progresit, edhe për hapa të vegjël, dhe inkurajimi i përpjekjeve të fëmijës është shumë e rëndësishme për forcimin e qëndrimit dhe vetëvlerësimit të tij.
Përfundimisht, mbështetja e fëmijëve që kanë vështirësi në lexim kërkon një qasje të kombinuar që përfshin diagnozën e shkaqeve, përdorimin e strategjive të specializuara të ndërhyrjes dhe forcimin e vazhdueshëm të aftësive gjuhësore. Bashkëpunimi me specialistë, si logopedi dhe mësues të arsimit special është thelbësor për monitorimin e progresit të fëmijës dhe për përshtatjen e vazhdueshme të ndërhyrjeve për të siguruar efektivitetin e strategjive të aplikuara. Zhvillimi i aftësive të leximit është një proces që kërkon kohë dhe durim, por me strategjitë e duhura, fëmijët mund të kalojnë përtej vështirësive dhe të arrijnë objektivat e tyre./AlbStroka.com
© AlbStroka.com