Intervistë ekskluzive me shkrimtarin e talentuar Artan Mullaj
Artan Mullaj: “Piktura është gruaja ime, letërsia, e dashura ime”
“Ju keni talentin e mjaftueshëm për të shkruar letërsi të vërtetë,çka është diçka e rrallë në këtë botë.Ju keni gjithashtu përgatitje profesionale dhe ndjeshmëri artistike të shkallës së lartë”. (nga letra e Ismail Kadaresë drejtuar Artan Mullait)
Intervistoi: Lorena Stroka
Është e çuditshme por ekzistojnë personalitete që zotrojnë mendime të veshura me stilistikë brilante, fjala e tyre është e rëndë, e vlefshme, plot nuanca admirimi, befasimi dhe idealizmi, kështu që çdo dekoracion i jashtëm përshkrues do të ishte i tepërt. Rrugëtimi i tyre nuk është aspak i rastësishëm, ujëvara e inspirimeve të tyre të njëpasnjëshme është e pashtershme, janë të brumosur nga vetë shpirti i ekzistencës letrare. Përplasjet e panumërta të realitetit shkëmbor pasqyrohen denjësisht vetëm nëse pena sigrafike gëzon talentin e mprehtësisë rrëfimtare… Duke lexuar veprat e shkrimtarit Artan Mullaj është e lehtë të dallosh të lartpërmendurat. I lindur në qytetin e Korçës, (që e ka për traditë të pasqyrojë vetëm figura të shquaraletrare, me në krye të madhin Dritëro Agolli) menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme në vendlindje, vendos të tranferohet në Tiranë për të ndjekur studimet e larta për Inxhinieri Elektrike. Pas diplomimit këmbana e valës emigrante nuk vonoi së trokituri dhe në zemrën e Artanit i cili ashtu si shumë bashkëatdhetarët e tij me shpresën e një jete më të mirë niset drejt kufijëve të vendeve fqinje, fillimisht në Itali dhe më pas në Greqi. Si një shpirt i shqetësuar që nuk mjaftohet me të zakonshmen por kërkon të zgjerojë vazhdimisht horizontet e tij, Artani konkuron dhe fiton të drejtën e studimit pranë Institutit KARAPIPERIOS të artit bizantin figurativ në degën e Ikonografisë. Në vitin 1996 pas përfundimit me sukses të studimeve i jepet e drejta e ushtrimit të profesionit si piktor ikonograf. Në vazhdim realizon piktura të ndryshme murale në disa qytete të Greqisë. Paralelisht ka ndjekur seminare gazetarie në Greqi. Aktualisht është anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve. Krahas angazhimit të tij të herëpashershëm në gazeta të ndryshme, për disa kohë ka qenë dhe korrespondent i gazetës “Koha Jonë”, duke mbuluar kronikën e zezë në lidhje me çështjet e emigrantëve në veri të Greqisë. Edhe pse bazat e një letersie të mirëfilltë Artani i kishte marrë qysh në fëmijëri duke lexuar poezitë e Agollit dhe Kadaresë, në vitin 1997 bën hapin e tij të parë në livadhin e bleruar të krijimtarisë së bukur shqipe duke u prezantuar para lexuesve me romanin “PA TY”, një histori e bazuar në ngjarje reale. Mjeshtëria rrëfimtare dhe ndërthurëse e personazheve i fal përveç jehonës së publicitetit dhe një sërë kritikash pozitive. Romani në fjalë nuk tërhoqi vetëm vëmendjen e lexuesëve të thjeshtë (të cilët për disa muaj me rradhë e mbajtën në krye të shitjeve duke përshpejtuar ribotimin e tij), por dhe atë të shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, i cili i dërgoi një letër personale autorit duke e përgëzuar për punën e tij letrare. Në 2000 autori boton romanin e dytë me titull “FUNDI I BOTËS”, po këtë vit përkthehet dhe botohet në Greqi romani i tij i parë duke njohur sukses analog dhe atje. Ndërsa në 2007 boton romanin “BOSHLLËKU I MUNGESËS TËNDE”, libër interesant i mirëshkruar, pa zgjatje dhe ripërsëritje të lodhshme… Jetojmë në epokën ku letësia është shndërruar në biznes fitimprurës dhe nënvlerësim vlerash të vërteta, prandaj ia vlen të përmendim dhe njohim më shumë ata origjinalët e paktë të cilët na nderojnë si komb me punën e tyre përkushtuese…
Dëshiroj që këtë intervistë ta fillojmë disi ndryshe nga të tjerat. Ju Artan keni lindur në qytetin e serenatave, pra në Korçë. Aty morët mësimet e para, deri në çastin që u larguat për studimet e larta, pikë në të cilën do të ndalemi më poshtë. Do doja të më përshkruanit marrëdhëniet tuaja të para me artin sigrafik?
Nuk e di se si lind dëshira për të shkruar! Të paktën nuk e mbaj mend periudhën kur në ndërgjegjen time filloi të instalohej një pasion i brishtë si një emocion fëminor… Fëmijë, ndihesha mirë me poezitë e Agollit, Kadaresë, dhe të Pol Elyar, natyrisht dhe shkëlqeja i tëri kur emocionet atje pershtatnin dicka me jetën time provinciale, me ndjesitë e fshehta të saj…
Nuk e di nëse talentin e të shkruarit e trashëgoni nga ndonjë i afërmi juaj, apo është thjesht një rastësi…?
Them se është thjesht rastësi.
Gjithësesi, vërej se edhe pse letërsia ju ka bërë pjesë të saj, ju vendosni të studioni për Inxhinieri Elektrike, pra shkoni në Universitetin Politeknik, dikush do priste që kjo të ishte zgjedhja e fundit për një shpirt letrar?
…unë kam studjuar ne Universitetin e Tiranes, 5-vjecarin e fundit të monizmit, kur ende shumica nuk mund të kishin te drejten e zgjedhjes e ca me pak mundësinë të profesionalizoheshin në të njëjten linje me prirjet e tyre… Futja ime ne fakultetin e inxhinierisë elektrike ishte një rastësi me nuanca mallkimi për mua, ndërsa ishte absolutisht jashtë preferencave te mia… Në atë kohe unë neglizhoja kurset laboratorike dhe seminaret e vështira per t’ju kushtuar krijimit letrar dhe publicistikës sipas nje modeli që përpiqem ta ruaj ndonëse jo gjithmonë me sukses… edhe sot. Ngrihesha herët ne mengjes dhe shkruaja 1000 fjalë në ditë, si Xhek Londoni… megjithatë përfundova studimet dhe u diplomova si inxhinier, megjithëse nuk punova asnjë ditë si i tille më pas.
Por akoma më i çuditshëm është vendimi juaj i dytë të studioni në Institutin “KARAPIPERIOS” në degën e ikonografisë, madje e gjithë kjo rrjedhoi pas një konkurimi që u realizua, nëpërmjet të cilit rezultuat fitues, dhe kështu ju dha e drejta të studioni aty. Ma merr mendja se arti figurativ duhet të jetë mjaft interesant, Sa e lehtë është për ju t’i përshtateni trigonit Letërsi – Inxhinieri Elektrike – Ikonografi?
Përveç dipllomës dhe kujtimeve te jetës shkollore, me inxhinierinë nuk me lidh më asnje gjë…Sikurse, e kam thënë edhe në përgjigje të tjera, nëse piktura në përgjithësi në analogji do quhej gruaja ime, letersia, krijimi, njelloj ka qenë e dashura ime dhe me sa duket keshtu do të jetë.
Avash-avash arrijmë në vitin 1997, viti ku bëni debutin tuaj të madh me romanin “PA TY”. Vepër e cila u mirëprit nga publiku shqiptar dhe jo vetëm, pasi më vonë përkthehet dhe në gjuhën greke. Romani u mirëdiskutua nga mjaft pena të shquara shqiptare duke filluar nga i madhi Kadare, Agolli, Kiço Blushi etj. Thuhet se Kadareja ju dërgoi dhe një letër personale, brenda së cilës shprehte vlerësimin e tij për ju dhe romanin tuaj. Si u ndjetë atëhere?
U ndjeva shkrimtar! Nje hap larg mundësisë për të qenë krijues profesionist, por edhe i ngazëllyer nga flladi përkëdhelës i nje publiciteti të premtuar.
Pas tre vjetësh, pra në vitin 2000 botoni romanin tuaj të dytë me titull “FUNDI I BOTËS”, titull prototip, simbolizon ndonjë gjë të veçantë?
Ndërimi i mijëvjeçaëeve në fakt, ishte një situatë komplekse, e trazuar të themi. Sfidat burojnë pikërisht në trazime të tilla të parametrave që përbëjnë qenien tonë… Në këtë rast, unë kisha trazimin por edhe kureshtjen që në atë kohë e kishin shumë të tjerë në vigjilje të mijvjeçarit të ri, që shoqërohej si gjithmonë me profecira të frikshme për mbarimin e ditëve… Fundi i përfolur i botës ishte si një shkëndijë për shkrimin e nje romani rrufe, qe u shkrua dhe rishkrua brenda dy muajve.
Ndërsa në vitin 2007 qarkullon dhe romani juaj i tretë “BOSHLLËKU I MUNGESËS TËNDE”. Ngaqë pata fatin ta lexoj këtë libër ajo çka më bëri përshtypje është figuracioni letrar që përdorni, përshkrimet janë aq të gjalla, aq të ndjeshme saqë të trupzojnë me personazhin kryesor. Personazhi kryesor është një vajzë 18 vjecare e cila i nënshtrohet një sërë peripecive… Me pak fjalë dua të më thoni vështirësitë me të cilat u përballët gjatë shkrimit të romanit, pasi nuk është e lehtë të përshkruash botën e të menduarit të një gruaje?
Me shume se vleresimet per figuracionin letrar qe thoni dhe pershkrimet e gjalla, kenaqesia ime e madhe ka qenë pikërisht fakti se disa mendojnë qe une jam nje njohës i mire i shpirtit femeror… Ne fakt nuk e dija se isha i tille, këtë gje me shtyne te tjeret te nis te besoj… vleresuesit e mi, sidomos vleresueset e mia. Nuk me ka qene e veshtire, ndihesha te themi si ne kopshtin tim, mes luleve qe i kisha mbjellë vetë, dhe aromës së trëndafilave qe ujisja përdite… Porse veshtirësite me te mëdha ishin tjeterkund, ne kompozimin e romanit… Eshte nje mënyre e re ndertimi të një romani lirik.
Historitë që shtjelloni nëpërmjet romaneve tuaja, përmbajnë dozë nga realiteti shqiptar, apo janë thjesht produkte fantazie, në këtë pikë flasë për dy romanet e mëparëshëm, pasi i treti pasqyron 100% realitetin e dhimbshëm të emigracionit dhe jo vetem?
“FUNDI I BOTES” ka qene nje produkt fantazie bazuar ne mesazhe te qarta filozofike… ‘Pa TY” perkundrazi, eshte nje nje veper e ndertuar mbi ngjarje reale.
Të gjithë ne që shkruajmë, e dimë mire se brenda veprave tona jo rrallë herë vendosim dhe një penel nga jeta jonë private. Në romanet e Artanit ekziston kjo gjë?
Sigurisht! Nuk mund ta konceptoj te kundërtën…
Aktualisht, përgatisni ndonjë gjë të veçantë?
Po! Po shkruaj një histori te dhimbshme ekstremisht te fuqishme të një vajze kosovare, në kohën e ekspansionit serb në Kosovë.
Në mos gaboj deri tani jeni prezantuar para publikut vetëm me romane, keni tentuar të provoni dhe ndonjë gjini tjetër p.sh poezi?
Jo, asnjeherë. Kam shkruar poezi dashurie, por vetem te dedikuara.
Sidoqoftë, krahas romaneve ju merreni dhe me shkrime gazetareske, thelbi i të cilave u përket kryesisht çështjeve politike. Ka menduar ndonjëherë Artani të kandidojë për deputet, nëse po, cilën forcë politike do të përfaqësonte dhe pse?
Pyetje e veshtire!… Shqiperia sot eshte në një krizë vetëdije… Të rrëmben një zemërim i shëndetshem me gjithe sa ndodh tek ne, dhe njelloj, per kete arsye, ndihesh i ftuar te marresh pjese, te kontribosh per nje ndryshim te madh drejt te mires… Por cdo pjesmarje ka pas nje iluzion, qe do te thote nje zhgenjim… qe rrjedh nga monopolizimi total i jetes shqiptare. Te jesh deputet… është joshje e forte dhe e rrezikshme njeheresh…
Sipas jush çfarë është ajo që i mungon politikës shqiptare vizioni, strategjia, apo vetë përzgjedhja e duhur e politikanëve që përfaqësojnë forca të ndryshme politike?
Pak nga te treja keto qe keni përmendur.
Sipas burimeve të ndryshme gazetareske dhe jo vetëm, thuhet se në vitet e ardhshme Shqipëria do të anëtarësohet në familjen e madhe të BE-së. Thëniet në fjalë përmbajnë ndonjë vërtetësi, apo përdoren thjesht si instrumente për arritjen e mbajtjes së politronave hijerëndë nga politikanët tanë?
Ka vertetë në përgjithesi nje koeficient te madh inflacioni në gjithe sa zakonisht thuhet e shkruhet tek ne.
Roli i gruas shqiptare në politikë në krahasim me vende të ndryshme Europiane është mjaft i reduktuar. Përse ndodhë kjo, mos ndoshta në mentalitetin shqiptar vazhdon të dominojë ende ideja se tema-politikë përbën çështje serioze, dhe si e tillë vetëm nga meshkujt mund të trajtohet denjësisht?
Eshte çështje mentaliteti.. Por duhet theksuar se në të njëjtën kohë, pergjithesisht gruaja shqiptare nuk eshte gati te luaje rolin e saj ne politike, masivisht. Dhe kjo jo ngaqe grate nuk jane te afta te luajne kete rol, përkundrazi… Çështja është se nevojitet nje reformim perceptimi shoqeror per kete çeshtje, me politika te caktuara sociale, te cilat per fat te keq nuk kane qene ne seriozitetin e duhur deri tani… Të shpresojmë qe kjo do te ndodhe në te ardhmen.
Jetojmë në epokën ku fjala shplodhje pothuajse nuk ekziston, por akoma dhe kur i gjejmë ato pak çaste të lira, jo gjithmonë i shfrytëzojmë ashtu siç duhet. Si e kalon Artani kohën e lirë?
Une kam nje moto te thjeshte “LODHJA ME Ç’LODH”.. Leximi eshte nje kënaqësi e pakrahasueshme për mua.
Shkrimtarët tuaj të preferuar janë…?
Jane shumë, Hygo, Cvajg, Markez, Heminguej, Kadare, Taker, Cehov etj, etj.
Thonë se njerëzit e letrave në përgjithësi janë tipa romantikë, Artani është i tillë?
Eshtë e sigurtë që nuk jam një etalon për ata (romantiket)… Them se edhe jam, sipas rastit.
Ju pëlqejnë udhëtimet? Keni ndonjë destinacion të veçantë që do dëshironit të realizonit?
Kam udhetuar shume, dhe vazhdoj ta bej… Dua te shkoj ne kultura te largëta, Honolulu apo Filipine.
Keni menduar që një ditë të ktheheni në Shqipëri?
Në njëfarë mënyre une jam kthyer në Shqipëri… Shkoj, rri disa ditë, zhgënjehem, acarohem nga harbutëria në rrugë dhe harbutëria në komunikim… Pastaj largohem me nje acarim të brendshem, që shkallëzohet ne një lloj rrënqethje, e cila mund te shpjegohet me faktin se jemi qytetarë te një vendi, i cili na ka privuar barbarisht te drejtën per te qene krenar me të. Rrikthehem, largohem, e keshtu pa pushim.
Të mira janë sukseset, miqësitë por vjen një çast kur njeriu në jetë nevojitet një tjetër lloj raporti… pra dashurinë. Si ndihet Artani në këtë aspekt?
Pyetje delikate… Nuk ka rendesi je ose jo i dashuruar… Rëndësi ka qe kur ajo troket ne ditet e tua papritur, t’i perkushtohesh dhe ta respektosh në mënyrë te fisme njëlloj si herën e parë.
Vetë jeta ngjan me detin ku njeriu thirret të përballet me çdo dallgë të mundshme, të cilat herë janë të qeta dhe herë të rrëmbyera, sipas rasteve dhe njeriu vepron analogisht. Ka ndonjë gjë për të cilën jeni penduar dhe do të donit ta ndryshonit?
Mendoj se çdokush ka pervoja te cilat do të deshte t’i kish përjetuar ndryshe… Por për ato nuk ka vlerë pendimi. Gabimet dhe dështimet janë eksperienca, shkallët ne të cilat ngjitemi në perplasjet me veshtirësite dhe pengersat. Jeta është e brishte, nuk duhet ndëshkuar me moralitet të tepruar… natyrisht, brenda normave te personalitetit… Remark thote: “Ai që është i përsosur, e ka vendin në muzeum!”
Ajo që nuk do të falnit kurrë në jetë është…?
Tradhëtia, në të gjitha kuptimet.
Mesazhi juaj për rininë shqiptare brenda dhe jashtë vendit do të ishte…?
Të duan! Të guxojnë!
Pjesë nga romani “VARRI I PAGËZIMIT” mund të lexoni këtu:
http://lorenastroka.com/?p=3535